Merrnin pjesë Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Z. Erion Veliaj, si dhe Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Znj. Vjollca Braho.

Kryeministri Rama theksoi se bëhet fjalë për një reformë “që na bën krenar të gjithëve” dhe që qeveria e mëparshme nuk arriti dot ta realizonte.  “Ne hoqëm tavanin e pensionit dhe krijuam një hapësirë që të gjithë të vendosin vetë për pensionin e tyre, duke paguar më shumë apo më pak kontribute”, shpjegoi z. Edi Rama. Sot, jemi në gjendje që kujt ka derdhur djersë, t’i përgjigjemi me një pension që e meriton”, shtoi Kryeministri i Shqipërisë.

Ndërkohë, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, tha: “Në fund të këtij mandati, 120 mijë persona do të jetojnë më mirë se më pare, sepse do të kenë pension më të lartë”.

Nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithëshme e ISSH-së, Vjollca Braho theksoi se Instituti i Sigurimeve Shoqërore edhe gjatë këtij viti po punon me të njëjtat ritme si viti që lamë pas, ku gjatë tremujorit të parë plani i të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore është realizuar në masën 133 për qind me një tejkalim prej 227 milionë lekësh. Tashmë falë reformës së pensioneve si dhe shifrave të mbledhjes së kontributeve do të garantojmë një skemë më të fortë sigurimesh shoqërore dhe sigurisht të ardhura më të larta për të gjithë pensionistët.

Rritja e pensioneve deri në masën 32 mijë lekë në muaj, si rezultat i reformës, iu ka dhënë besim qytetarëve të jenë pjesmarrës aktivë në skemën e sigurimeve shoqërore, çka do t’u garantojë atyre një të ardhme të sigurtë.

Stafi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore do të vijojë punën për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve duke u fokusuar në dixhitalizimin e plotë të sistemit duke ofruar siguri dhe garanci për çdo kontribut të paguar prej tyre.

Takimi u zhvillua në datën 22 prill 2015.