Skema suplementare për personat që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të shtetit.

1. Baza ligjore:
a) Ligji nr. 8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, i ndryshuar.

Ndryshimet e Ligjit:
b) Ligji nr. 8500, datë 10.06.1999;

c) Ligji nr. 9061, datë 08.05.2003;
d) Ligji nr. 9827, datë 05.11.2007;
e) Ligji nr. 9990, datë 15.09.2008,

f) Ligji nr. 27/2015.

2. Kushtet e përfitimit:
a) Të keni kryer funksione kushtetuese apo detyrën si punonjës i shtetit, sipas listës që i bashkangjitet VKM nr. 382, datë 20.05.1996, të ndryshuar. Funksionet dhe detyrat, janë klasifikuar sipas përcaktimeve në Ligj, pra në dy grupe. Në grupin e parë bëjnë pjesë dy nëngrupe: sipas shkronjës “a” të pikës 8, të nenit 1, të Ligjit dhe shkronjës “b” të pikës 8, të nenit 1, të ligjit. Në grupin e dytë ka katër nëngrupe: sipas shkronjës “a” të pikës 9, të nenit 1 të Ligjit, sipas shkronjës “b” të pikës 9, të nenit 1 të Ligjit, sipas shkronjës “c” të pikës 9, të nenit 1 të Ligjit, sipas shkronjës “d” të pikës 9, të nenit 1, të Ligjit;

b) Të keni paguar kontribute suplementare, duke filluar nga data 01.04.1996:
– Për personat e grupit të parë/ “a”,”b” 5% të shumës bruto të listëpagesave;
– Për personat e grupit të dytë/ “a”,”b” dhe “c”, 4% të shumës bruto të listëpagesave;
– Për personat e grupit të dytë/ “d”, 3% të shumës bruto të listëpagesave.

3. Cilat janë kushtet sipas përfitimeve, që jepen në bazë të këtij Ligji?
a) Pagesa kalimtare.

Kushtet e përfitimit:
- Të jeni larguar nga funksioni, i cili duhet të jetë klasifikuar në grupin e parë, grupin e dytë, shkronja “a”, sipas përcaktimeve në listën që i bashkëlidhet VKM nr. 382, datë 20.05.1996, i ndryshuar.

 Masa e përfitimit:
- Personave të grupit të parë /shkronja “a”/, iu jepen tri paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave iu jepet 50% e pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion;

– Personave të grupit të parë / shkronja “b”/, iu jepen dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave iu jepet 50% të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion;
– Personave të grupit të dytë / shkronja “a”/, pas largimit nga funksioni, iu jepen dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 40% të pagës referuese, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 1 vit nga momenti i largimit nga ky funksion;
– Kur përfituesi punësohet brenda periudhës së përfitimit të pagave të funksionit të fundit apo të pagesës kalimtare, masa e pagesës mbi pagën e re është një kompensim deri në nivelin e pagës referuese të funksionit, por në çdo rast ajo nuk mund të jetë më shumë se paga e funksionit të fundit apo pagesa kalimtare e tij.

b) Pensionet shtetërore suplementare të pleqërisë.

Kushtet e përfitimit:
Për personat e klasifikuar në grupin e parë:
1.Të kenë mbushur moshën 60 vjeç ose para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit për sigurimet shoqërore të detyrueshme. Duke filluar nga data 1.1.2032, mosha e përfitimit rritet me nga 6 muaj për çdo vit, deri në arritjen e moshës 63 vjeç.

2. Të kenë periudha të njohura shërbimi në një nga funksionet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 8, të nenit 1.

3. Të ketë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.”.

Për personat e klasifikuar në grupin e dytë:
Kushtet e përfitimit për personat e grupit të dytë, sipas këtij ligji, janë:

a) të kenë kryer 35 vite shërbimi në detyrat ose funksionet e parashikuara nga ky ligj; ose
b) të kenë arritur moshën për pension pleqërie, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; ose
c) para kësaj moshe, kur deklarohet invalid i plotë, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Personat, të cilët plotësojnë njërin nga kushtet e sipërpërmendura, duhet të kenë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.”.

Masa e përfitimit:

Për personat e klasifikuar në grupin e parë:
Masa e pensionit shtetëror suplementar është:

a) për Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin, 25 për qind e pagës referuese, edhe nëse periudha e shërbimit është më e vogël se dy vjet, dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbimi mbi dy vjet;
b) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 8, të nenit 1, përjashtuar personat e përmendur në shkronjën “a”, të këtij neni, 25 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar në masën 1 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi;
c) për grupin e parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 8, të nenit 1, 20 për qind e pagës referuese për 2 vjet shërbim dhe 5 për qind më shumë për çdo vit shërbim mbi këta 2 vjet. Kur këta persona nuk plotësojnë periudhën e shërbimit prej dy vjetësh, përfitojnë pension suplementar të reduktuar, në masën 0,8 për qind të pagës referuese për çdo muaj shërbimi.

Masa e pensionit nuk duhet të jetë më e madhe se:
a) 60 për qind e pagës referuese për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “a”, të nenit 1;
b) 50 për qind e pagës referuese për personat e grupit të parë, përcaktuar në shkronjën “b”, të nenit 1.
Masa e pensionit shtetëror suplementar, plus pensionin e përfituar nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jetë më e madhe se 75 për qind e pagës referuese mesatare të funksioneve.”

 Për personat e klasifikuar në grupin e dytë:
Masa e pensionit shtetëror suplementar në kushtet e nenit 10 është:

a) për personat e grupit të dytë, sipas shkronjës “a”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji, 1,5 për qind në vit të pagës referuese, për çdo vit shërbimi;
b) për personelin drejtues të grupit të dytë, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji,1,3 për qind në vit të pagës referuese, për çdo vit shërbimi;
c) për personelin specialist të grupit të dytë, sipas shkronjës “d”, të pikës 9, të nenit 1, të këtij ligji, 1,1 për qind në vit e pagës referuese, për çdo vit shërbimi.
Pensioni shtetëror suplementar maksimal, sipas këtij neni, nuk duhet të jetë më i madh se 40 për qind e pagës referuese.
Masa e pensionit shtetëror suplementar, plus pensionin e përfituar nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jetë më e madhe se 75 për qind e pagës referuese të funksionit.”.

Pensioni suplementar familjar

Kushtet e përfitimit:
- Përfitojnë pensione familjare nga personi që vdes dhe që përfitonte ose kishte kushte për pension shtetëror suplementar, sipas këtij Ligji, bashkëshorti pasjetues dhe jetimi, kur kanë plotësuar kushtet për pension familjar, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar.

Masa e përfitimit:
- Masa e pensionit për bashkëshortin pasjetues është 50% e pensionit që kishte ose i takonte të përfitonte mbajtësi i familjes;- Masa e pensionit për jetimin është 25% e pensionit që kishte ose i takonte të përfitonte mbajtësi i familjes;- Kur nuk merret pensioni i parashikuar për bashkëshortin pasjetues, masa e pensionit për jetimin është vetëm 50% e pensionit që kishte ose i takonte të përfitonte mbajtësi i familjes;- Masa e pensionit suplementar familjar nuk mund të jetë më e lartë se pensioni që kishte ose i takonte të përfitonte mbajtësi i familjes;

– Masa e pensionit shteteror suplementar, plus pensionin e përfituar nga Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë ”, nuk mund të jetë më e madhe se 75% e pagës referuese të funksionit.
d) Pensionet shtetërore për personat që aksidentohen në shërbim.

Kushtet e përfitimit:
- Kur aksidentohen në shërbim (shërbim-në kuptim të këtij Ligji) dhe deklarohen invalidë të përhershëm, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar.

 Masa e përfitimit:
- Masa e përfitimit është 40% e pagës referuese, pavarësisht nga koha (kohëzgjatja) e punës në funksione a detyrë;

– Masa e pensionit shtetëror suplementar, plus pensionin e përfituar nga Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, nuk mund të jetë më e madhe se 75% e pagës referuese të funksionit.

Dokumentacioni:
- Paraqituni në strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore, ku keni vendbanimin, dhe pajisuni  me një format- kërkesë;- Kërkesës së plotësuar në të gjitha rubrikat, i bashkëlidhet dokumentacioni i renditur më poshtë, sipas llojit të përfitimit. Më pas, kërkesa së bashku me dokumentat paraqiten pranë DRSSH-së, ku keni vendbanimin.Kujdes! Për çdo përfitim, data e regjistrimit të kërkesës do të jetë data e paraqitjes së saj, ndërsa kur ajo dërgohet me postë merret parasysh data e vulës postare nga ku është nisur. Kur kjo kërkesë nuk shoqërohet me të gjitha dokumentat e nevojshme, brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së saj, njoftoheni për mangësitë e dokumentave që duhet të plotësoni. Në rast se brenda 30 ditëve nga data e njoftimit nuk paraqisni dokumentat plotësuese, atëhere iu kthehen zyrtarisht të gjitha dokumentat e paraqitura, duke bërë shënimet përkatëse në regjistër. Në këtë rast, data e regjistrimit të parë nuk ka vlerë, përsa i përket llogaritjes së afatit për fillimin e përfitimit të kërkuar.a) Për përfitimin e pagesës kalimtare, bashkëlidhur kërkesës duhet të keni:- Fotokopje të letërnjoftimit elektronik ose çertifikatë personale;- Dëshmi penaliteti;- Vërtetim të pagës referuese (plotësuar nga punëdhënësi);- Vërtetim të viteve të shërbimit (plotësuar nga punëdhënësi);

– Librezën e kontributeve suplementare;
– Origjinalin e Librezës së punës (nëse jeni i punësuar fotokopje të librezës së punës);
– Nëse jeni i punësuar, vërtetim nga punëdhënësi i fundit për datën e fillimit të punës dhe pagën që përfitoni;
– Nëse nuk jeni i punësuar, do të deklaroni pranë inspektorit të përfitimeve suplementare numrin e llogarisë bankare në Bankën Intessa San Paolo apo Credins;
– Nëse nuk jeni  i punësuar, duhet të dorëzoni dhe një vërtetim nga Zyra e Punës;
– Nëse nuk jeni i punësuar një vërtetim nga Tatim-Taksat;
– Deklaratë personale për gjendjen e punësimit.
b) Për përfitimin e pensionit suplementar të pleqërisë, bashkëngjitur kërkesës duhet të keni:
– Fotokopje të letërnjoftimit elektronik ose çertifikatë personale;
– Dëshmi penaliteti;
– Vërtetim të pagës referuese (plotësuar nga punëdhënësi);
– Vërtetim të viteve të shërbimit (plotësuar nga punëdhënësi);
– Librezën e kontributeve suplementare;
– Fotokopje të librezës së punës.
c) Për përfitimin e pensionit suplementar për personat që aksidentohen në shërbim, bashkëlidhur kërkesës, duhet të jenë:
– Fotokopje e kartës së identitetit ose çertifikatë personale;
– Dëshmi penaliteti;
– Procesverbali i mbajtur nga qendra e punës për aksidentin në shërbim;
– Vërtetim i pagës referuese (plotësuar nga punëdhënësi);
– Vërtetim i viteve të shërbimit (plotësuar nga punëdhënësi);
– Vendim i Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë;
– Libreza e kontributeve suplementare;
– Fotokopja e librezës së punës.
d) Për përfitimin e pensionit suplementar familjar, bashkëlidhur kërkesës duhen:
– Çertifikatë familjare;
– Çertifikata e vdekjes së personit, që ka kryer funksione kushtetuese apo detyra në administratën shtetërore;
– Fotokopje e letërnjoftimit elektronik ose çertifikatë personale e përfituesit;
– Dëshmi penaliteti e të ndjerit;
– Vërtetim i pagës referuese (plotësuar nga punëdhënësi);
– Vërtetim i viteve të shërbimit (plotësuar nga punëdhënësi);
– Vendim i Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë;
– Libreza e kontributeve suplementare të të ndjerit;
– Fotokopje e librezës së punës së të ndjerit;
– Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët, që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar;
– Vendim i KMCAP për paaftësinë në punë të personave në ngarkim të të ndjerit, kur janë në moshë pune;
– Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që një i ve mban një fëmijë deri në moshën 8 vjeç, që ishte në ngarkim të të ndjerit;
– Vërtetim nga zyra e punës se nuk është në marrëdhënie pune dhe nuk merr sigurim papunësie jetimi që ka mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar, kur nuk vazhdon shkollën dhe është nën 18 vjeç;
– Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik.

Si bëhet aktualizimi i këtyre përfitimeve:
- Këto përfitime rillogariten sa herë që ndryshon paga referuese mbi të cilën janë llogaritur;

Personat e interesuar plotësojnë tek punëdhënësi formularin e pagës referuese, të ndryshuar, dhe e paraqesin tek DRSSH-ja që administron këtë përfitim, apo e dërgojnë në rrugë postare në këtë Drejtori.