Të pranishëm në këtë takim ishin Kryeministri Z. Edi Rama, Ministri i Mirëqënies Sociale Z. Erion Veliaj si dhe Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Znj. Vjollca Braho.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Z. Edi Rama u shpreh se reforma e pensioneve u bë realitet në një kohë të shkurtër, duke e konsideruar si një moment me rëndësi të madhe aplikimin e skemës së re të pensioneve. “Në një vit e gjysëm të qeverisjes tonë u bë e mundur që cdokush që paguan rregullisht sigurimet shoqërore arrin të marrë pension më të lartë se me skemën e vjetër. Një mësues që për 35 vjet ka paguar sigurimet me formulën e vjetër do të merret 245 mijë lekë pension, ndërsa me formulën e re pensioni shkon në 277 mijë lekë. Këto janë fakte që çdo pensionist i vërteton në xhepin e tij”.

Ndërsa, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Z. Erion Veliaj tha se “në vitin e parë të qeverisjes ne rritëm pensionet me 2%, në gjysmën e parë të këtij viti do të rrisn me 2 % pensionet sërisht. Për herë të parë në Shqipëri sot kemi pensionistë me një pension mbi 300 mije lekë të vjetra”. Më tej ai shtoi se “vendimet në politikë ndërmerren për të përmirësuar jetesën dhe pensionet të jenë më të larta. Kjo bëhet që ata që janë në moshë të tretë, që kanë punuar tërë jetën e tyre, të kenë mundësi të rikuperojnë në moshën e tretë kontributin e viteve të tyre të punës”. Gjithashtu z. Erion Veliaj u ndal në mënyrën e përllagaritjes së pensionit. “Nuk ka sot, një mënyrë tjetër për të llogaritur pensionin vecse të llogarisin ata njerëz që janë sot, në listën e sigurimeve shoqërore. Të rrisësh sigurimet shoqërore në shkallë vendi, pothuajse me mbi 93 302 kontribues të rinj është ndoshta lajmi më i mirë, për shifrat e punësimit këtu në Shqipëri”, deklaroi Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj.

Nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithëshme e ISSH-së, Vjollca Braho bëri të ditur se institucioni që ajo drejton do të vazhdojë punën për ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve si dhe zbatimin e reformës së re të pensioneve në mënyrë që të gjithë kontribuesit në skemë të marrin pensione të shtuara. “Në rradhë parë të theksoj punën e mirë që është bërë në Drejtorinë rajonale të Sigurimeve Shoqërore Vlorë, ku përveç tejkalimit të planit të ardhurave me 561 milionë lekë, është rritur ndjeshëm cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve ku ditët mesatare të lidhjes së një pensioni kanë zbritur në 14. Por gjithashtu dua të theksoj se ne do të vazhdojmë punën në zbatimin e reformës së pensioneve për tu garantuar të gjithë kontribuesve përfitime të drejta dhe të shtuara”, theksoi gjatë fjalë së saj Znj. Vjollca Braho. Reforma dhe skema e re e pensioneve që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti bën të mundur lidhjen e masës së përfitimit me kontributet e paguara duke krijuar një sistem ku secili përfiton pension në bazë të kontributit që jep. Pra, sipas skemës së re, përfiton pension më të lartë i siguruari që ka kontribuar më shumë si në vite ashtu edhe në paga në ndryshim nga skema ekzistuese. Heqja e tavanit të pensionit maksimal, ben  të mundur pagimin e pensioneve më të larta që i përgjigjen kontributit të paguar.