Baza ligjore:

  • Ligji nr. 10139, datë 15.05.2009 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të Universiteteve, Shkollave të Larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, që kanë tituj shkencorë”, i ndryshuar me Ligjin nr. 108/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10139, datë 15.05.2009 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, qendrës së studimeve albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”.

Personat përfitues:

  • Sipas këtij Ligji, përfitojnë pensione suplementare shtetërore, si të ardhura shtesë mbi përfitimet që jepen sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, i ndryshuar, personat të cilët:
  • Deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të kenë gëzuar titullin shkencor “Profesor”, “Profesor i asociuar” (“Drejtues kërkimesh”, “Mjeshtër kërkimesh”), sipas Vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës;
  • Pas hyrjes në fuqi të Ligjit, të kenë gëzuar titullin shkencor “Profesor”, “Profesor i asociuar” (“Drejtues kërkimesh”, “Mjeshtër kërkimesh”), sipas Vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe të kenë derdhur kontribut suplementar, duke qenë në marrëdhënie pune me universitetet, shkollat e larta, Qendrën e Studimeve Albanologjike, Akademinë e Shkencave dhe me të gjitha institucionet e tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë;
  • Si dhe personat me tituj shkencorë “Docent”, “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, të cilët i kanë pasur këto tituj para vitit 1994 dhe i kanë përfituar pasi është fituar më parë grada shkencore “Kandidat i shkencave”.

Kontributet suplementare paguhen në fondin e sigurimit suplementar shtetëror. Masa e tyre është:

  • 5% e pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin publik;
  • 7% e pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin jopublik.

Lloji i përfitimit:

  • Pension suplementar pleqërie.

Kushtet dhe masa e përfitimit:

Masa e pensionit

1. Masa mujore e pensionit suplementar është 1,3 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Profesor” / “Drejtues kërkimesh” dhe 1,1 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Asistent profesor”/ “Mjeshtër kërki-mesh”.

2. Masa e pensionit suplementar për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të titullit “Docent” dhe të titullit “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” është 1,1 për qind e pagës referuese. Paga referuese përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Shuma mujore e pensionit suplementar, bashkë me përfitimet nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit të pleqërisë, të përfituar sipas ligjit nr. 7703,datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Masa mujore e pensionit suplementar nuk mund të jetë në asnjë rast më e vogël se 6 për qind e pagës referuese.

5. Masa mujore e pensionit suplementar fillestar për personat që nuk kanë kontribuar nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, të përfituar sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”.

Dokumentacioni:

  • Fotokopje e nënshkruar e letërnjoftimit elektronik ose çertifikatë personale;
  • Deklaratë personale, nëse personi merr ose jo përfitime nga skema të tjera suplementare shtetërore;
  • Fotokopje e noterizuar e dëshmisë për dhënien e titullit, ose në mungesë, një vërtetim për titullin shkencor, të lëshuar nga Komisioni i Kualifikimit ose nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve;
  • Vërtetim i pagës referuese;
  • Vërtetim nga qendra e punës për kontributet suplementare të paguara nga data 01.01.2010 deri në datën e lindjes së të drejtës;
  • Vërtetim për kohën e gëzimit të titullit.