Sigurimi vullnetar është një e drejtë që vepron për të gjithë personat e interesuar, shtetas shqiptarë në Shqipëri, dhe vetëm për shtetasit shqiptarë kur jetojnë jashtë shtetit. Në kushtet për të përfituar një pension të pjesshëm pleqërie duhen minimalisht 15 vite sigurim, dhe për një pension të plotë pleqërie  duhen 35 vite.

Kjo skemë njeh të drejtën për:
-sigurim vullnetar në kushtet kur personat e interesuar nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin korent. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal,  për përfitime deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familiar;
-zgjerimin vullnetar të degës së sigurimit për dy grupe të mëdha: të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit, të cilët janë në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Kjo do të thotë se ata mund të sigurohen vullnetarisht për përfitime që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm si: në rast aksidenti në punë, sëmundje profesionale dhe paaftësi të përkohshme në punë;
-mbulim vullnetar të periudhave të kaluara. Pra, personat e interesuar mund të sigurohen vullnetarisht për periudha të kaluara që nuk janë mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm, duke filluar nga 01.10.1993. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familiar;
-më shumë të ardhura për të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë. Kështu, të vetëpunësuarit, (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), të punësuarit dhe punëdhënësit privatë,  vazhdojnë krahas sigurimit të detyrueshëm,  edhe sigurimin vullnetar për një pension më të lartë të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.

Për të përfituar një pension të plotë duhen plotësuar dy kushte kryesore, që janë mosha, si dhe vjetërsia në punë. Kjo kategori mund të sigurohet për vitet e mbetura për të marrë përfitim të pjesshëm apo të plotë, sipas rastit.

  1. Në çdo moment të jetës së tij personi duhet të jetë i siguruar. Personat të cilët nuk janë në marrëdhënie pune, duhet të jenë klientë të skemës së sigurimit vullnetar për të qënë në vazhdimësi të siguruar.
  2. Shumë persona të larguar nga Shqipëria kanë një vjetërsi pune në qëndra të ndryshme prodhuese dhe joprodhuese, për periudhën e jetuar në vend. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm kërkohen 15 vite sigurimi në punë.  Aktualisht ka shumë shtetas që janë në prag përfitimi por që ju mungojnë 1 ose disa vite sigurimi.  Në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin.  Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime për të përfituar një pension të pjesshëm.
  3. Shumë persona mund ta kenë plotësuar vjetërsinë për 15 vjet pune për të marrë një pension të pjesshëm, por është më me interes të plotësojnë 35 vjet pune për të marrë një pension të plotë pleqërie.  Edhe këta individë mund “të blejnë vitet e punës” menjëherë,  për t’u  shtuar vitet e siguruar të punës.
  4. Për të gjithë emigrantët, me interes do të ishte edhe njohja me vazhdimësinë e sigurimit vullnetar duke paguar kontribute, çdo vit.  Parapagimi i shumës vjetore ka një ulje prej 6%, gjashtë mujore 3% dhe tremujore 1.5%.
  5. Një kategori relativisht e madhe personash është në kushtet e emigracionit ilegal si dhe e rregjistrimit me identitet të rremë, duke u përjashtuar nga skemat e mbrojtjes shoqërore të vendeve respektive si dhe nga përfitimi në rast të nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale me këto vende. Kjo kategori është e interesuar të përfshihet në skemë.
  6. Kategoria e punonjësve sezonalë ose dhe part-time, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore.
  7. Kategoria e grave shtëpiake, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore.
  8. Është në interes të gjithë personave, që skema ju ofron këtë shërbim, të njihen me mundësinë e pagesave dyfish, trefish deri në pesëfish të kontributit minimal, sipas mundësive financiare, për të përfituar deri në pension maksimal të pleqërisë.
  9. Në rast fatkeqësie, kur personi pëson aksident apo sëmuret, në kushtet e të qënit i siguruar dhe që plotëson kriteret, ai mund të marrë pension invaliditeti gjatë gjithë jetës së tij.
  10. Në rast fatkeqësie ekstreme, vdekja e personit të siguruar, shoqëron dhënien e pensionit familjar për bashkëshorten dhe fëmijët.

Procedura e sigurimit vullnetar është shumë e thjeshtë. Personi paraqitet në strukturat e ISSH, agjensi ose Drejtori Rajonale dhe merr kontakt me punonjësin e ngarkuar me sigurimin vullnetar, i cili i jep gjithë informacionin lidhur me këtë skemë sigurimi. Mbasi personi i interesuar vendos të aplikojë në skemën e sigurimit vullnetar i kërkohen këto dokumenta:
-    Fotokopje e librezës së punës ku pasqyrohen periudhat e sigurimit dhe fotokopje e librezës së kontributeve nëse ka.
   Çertifikatë personale ose fotokopje e pasaportës /letërnjoftimit /kartës së identitetit/pasaportës biometrike.

Punonjësi i sigurimit vullnetar mbasi i llogarit vjetërsinë aktuale personit të interesuar e informon për periudhën kontributive që i duhet për të përfituar një pension të pjesshëm ose të plotë si dhe për masën e kontributit që duhet të paguajë. Kur personi i interesuar vendos të aplikojë, plotëson marreveshjen për periudhën dhe fushën përkatëse të sigurimit vullnetar. Mbas nënshkrimit të marrveshjes punonjësi i sigurimit vullnetar, i plotëson urdhër veprimin. Me marrjen e urdhër veprimit, personi paraqitet në bankë për të bëreë pagesën. Punonjësi i sigurimit vullnetar, pasi bën konfirmimin me sektorin e financës për arkëtimin e shumës së shënuar në urdhër veprim, bën rregjistrimin e tij në një faqe të veçantë të rregjistrit. Më pas bëhet dhe rregjistrimi në rregjistrin elektronik të bazës së të dhënave të miratuar. Për çdo person të siguruar punonjësi i sigurimit vullnetar mban një dosje të veçantë ku është i gjithë dokumentacioni përkatës. Emigrantët mund të kryejnë vetë sigurimin vullnetar, por në rast pamundësie, mund të autorizojnë të afërmit e tyre këtu në Shqipëri, të cilët kryejnë të gjitha procedurat e sipër përmendura.  

Sigurimi vullnetar kryhet para lindjes së të drejtës për përfitim nga sigurimi i detyrueshëm, pra para mbushjes së moshës për pension.

Shembull 1.
Një emigrant në Itali, datëlindjes 1960, ka një vjetërsi pune prej 13 vjet e 3 muaj. Është shkëputur nga puna në vitin 1992. Ai do të dijë:

  • Sa vjetërsi do t’i duhet për të përfituar një pension?
  • Duke qenë se s’ka librezë pune, si mund ta gjejë vjetërsinë e punës?
  • Sa duhet të paguajë për të marrë pension?

Në përgjigje tëkëtyre pyetjeve, sqarojmë si më poshtë:

  • Sigurimi vullnetar mund të kryhet për periudhat pas datës 01.10.1993, kohë kur ka hyrë në fuqi skema e sigurimit vullnetar.
  • Për të marrë një pension të pjesshëm duhet një vjetërsi pune prej 15 vitesh. Meqenëse qytetari ka 13 vjet e 3 muaj, atëherë atij  duhen edhe 1 vit e 9 muaj të bëjë sigurim vullnetar, për të përfituar pension të pjesshëm. Nëse qytetari do të plotësojë vitet për pension të plotë pleqërie atij  duhen edhe 21 vite e 9 muaj për të siguruar.
  • Duke qënë se qytetari nuk ka librezë pune, ai duhet të drejtohet pranë zyrave të arkivës në DRSSH, ku ai ka gjendjen civile për të marrë prej andej dokumentin e duhur. Në pamundësi për t’u paraqitur, ai mund t’i drejtohet Patronateve si Acli apo Inas, që veprojnë në Itali, me një kërkesë ku pasqyron vitet dhe sektorët ku ka punuar. Brenda një kohe shumë të shkurtër bëhet i mundur verifikimi i periudhave kontributive.
  • Për të marrë pension të pjesshëm, nëse do të mbulojë periudha të kaluara me sigurim vullnetar, ai duhet të paguajë me masën aktuale të sigurimit vullnetar, që është në fuqi 4,752 lekë për një muaj, kështu që 21 muaj* 4,752 lekë /muaj = 99,792 lekë gjithsej. Nëse ai dëshiron të plotësojë 35 vite, për një pension të plotë pleqërie atëherë ka të drejtë të mbulojë me sigurim vullnetar me masën aktuale nga 01.10.1993, të gjitha vitet deri sa të plotësojë vjetërsinë e nevojshme. Vazhdimi i sigurimit mund të bëhet duke parapaguar për vitin korent, duke përfituar kështu dhe zbritjet përkatëse.

Shembull 2.
Një qytetar i datëlindjes 10.10.1949, i ka shkëputur marrëdhëniet e punës në 30.09.2006. Gjithsej ka 32 vite e 6 muaj vjetërsi pune. Sa duhet të paguajë për të përfituar një pension të plotë pleqërie?

Në përgjigje të pyetjes së qytetarit sqarojmë se për të përfituar një pension të plotë pleqërie duhen 35 vite sigurim, pra atij i nevojiten edhe 2 vite e 6 muaj për ta përfituar këtë pension. Nëse personi, duke filluar pas datës 30.09.2006 e në vazhdim, ka  periudha të pambuluara me sigurim, atëherë ai mund të bëjë sigurim vullnetar për këtë periudhë duke paguar:
30 muaj * 4,752 lekë/muaj = 142,560 lekë.