Pensioni i posaçëm shtetëror është një shtesë që jepet me Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.

Baza ligjore:

  • Neni 5, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
  • VKM nr. 429, datë 12.09.2002 “Për kushtet e përfitimit, shumën dhe procedurat e dhënies së pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore”.

Kushtet e përfitimit:
Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që:

  • Kanë marrë pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, në lëvizjet popullore, në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë brënda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta;
  • Kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës;
  • Kanë vuajtur nga persekutimi politik nën rregjimin komunist.

Dokumentacioni:
a) Kërkesa, propozimi për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror bëhet nga:

  • Personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
  • Organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit;
  • Titullarët e Ministrive, ku punon përfituesi përkatës;
  • Kryeministri;
  • Kryetari i Kuvendit;
  • Presidenti i Republikës.

b) Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentat, si vijojnë:

  • Fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose çertifikatën e gjendjes civile;
  • Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit;
  • Vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë;
  • Kopjet e noterizuara të dokumentave që vërtetojnë meritat e veçanta si titujt, medaljet, urdhërat etj;
  • Kopjen e noterizuar të Statusit të të përndjekurit politik.

Masa e përfitimit:

  • Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që iu takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore;
  • Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes të së drejtës;
  • Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror mund të jetë deri në kufirin maksimal, me kusht që shuma e pensionit që i takon nga Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”  me këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal.

Pensioni për merita të veçanta
Pensioni për merita të veçanta është pensioni i caktuar sipas nenit 33, të Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe vazhdon të paguhet nga organet e sigurimeve shoqërore, deri sa përfituesi vdes. Sot pensioni për merita të veçanta nuk llogaritet. Ky lloj  përfitimi po vjen drejt mbylljes së tij.