Pensioni për invalid lufte është një pension që bazohet në Ligje dhe Vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, që iu jepet invalidëve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit Shqiptar.

Baza ligjore:

  • Ligji nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
  • Ligji nr. 7663, datë 20.01.1993 “Për statusin e invalidëve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
  • VKM nr. 326, datë 21.6.1993 “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
  • VKM nr. 190, datë 03.05.1995 “Për zbatimin e Ligjit Nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
  • VKM nr. 2, datë 10.01.1996 “Për disa ndryshime në VKM Nr. 190, datë 03.05.1995 “Për zbatimin e Ligjit nr. 7874, datë 17.11.1994 “Për statusin e veteranit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit Shqiptar”.

Kush e përfiton:

  • Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që janë  plagosur dhe  gjymtuar  duke  luftuar kundër pushtuesve nazifashistë nga 7 Prilli i vitit 1939, deri në çlirimin e Shqipërisë;
  • Luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë që janë  plagosur dhe  gjymtuar duke  luftuar jashtë kufijëve të Atdheut deri më 09.05.1945;
  • Të gjithë personat, që janë plagosur dhe gjymtuar, duke zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet, në prapavijë të armikut ose në zonat e  çliruara;
  • Të burgosurit dhe të internuarit, që janë  plagosur dhe  gjymtuar  në burgjet dhe kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit

Procedurat dhe dokumentacioni për të përfituar të ardhura nga invaliditeti i Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar.

  • Libreza e pensionit të invaliditetit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, ose e pensionit të pleqërisë, kur në të është llogaritur edhe shtesa si invalid lufte;
  • Vërtetimet zyrtare të lëshuara nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Rendit Publik, Dega ushtarake, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, Spitali Ushtarak, si dhe çdo akt tjetër zyrtar që vërteton plagosjen dhe gjymtimin, sipas nenit 1, të Ligjit nr. 7763, datë 20.01.1993;
  • Kur nuk ka dokumenta zyrtare, plagosja dhe gjymtimi në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar vërtetohet në rrugë gjyqësore, sipas dispozitave në fuqi;
  • Të qënit invalid, grupi përkatës dhe ndryshimi i grupit të invaliditetit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar, përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, mbi bazën e kërkesës të të interesuarit ose të sigurimeve shoqërore, sipas kritereve të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Masa e përfitimit:
Invalidët e Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar përfitojnë një shtesë mujore, mbi pensionin e invaliditetit në masën:

  • 4 000 lekë për grupin e parë të invalidëve;
  • 3 500 lekë për grupin e dytë të invalidëve;
  • 3 000 lekë për grupin e tretë të invalidëve;
  • 2 500 lekë për grupin e katërt të invalidëve;
  • Këtë shtesë invalidi i Luftës e merr edhe kur del në pension pleqërie;
  • Kjo shtesë do të ndryshojë aq herë sa ndryshon  dhe pensioni i pleqërisë.

Efektet financiare për përfitimin e shpërblimit të veteranëve të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar fillojnë nga 01.02.1993.