Më datë 10 mars 2015, u inauguruan zyrat e rikonstruktuara të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës. Në këtë ceremoni mori pjesë Kryeministri Z. Edi Rama dhe Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Z. Erion Veliaj të cilë shpërndanë dhe librezat e pensioneve të rritura me mbi 30 për qind, si rezultat i reformës së pensioneve. 

Tashmë rreth 100 mijë qytetarë që paraqiten çdo vit pranë sporteleve të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës do të mund të marrin shërbime në kohë rekord në një ambient jo vetëm tërësisht të rikonstruktuar, por edhe që ofron lehtësi teknologjike në plotësimin e dokumenteve të nevojshme.

“Përmirësimi i shërbimit është pjesë e një rrugëtimi që ISSH ka nisur për dixhitalizmin e plotë të sistemit të sigurimeve shoqërore, me qëllim që gjithkush të arrijë që të ketë shumë shpejt llogaritë personale, nga ku mund t’i kontrollojë në çdo kohë. Për të gjithë këto hapa ne kemi kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, duke komunikuar me shumicën e tyre, për të bërë të mundur kështu një përafrim sa më të madh mes punonjësve dhe qytetarëve, ku gjithkush të ndjehet i shërbyer në kohë dhe në mënyrë të merituar. Për të përshpejtuar shërbimin ndaj qytetarëve ne sot nuk kemi vetëm një zyrë të re, por edhe një staf të dyfishuar dhe një model të mbështetur nga Qeveria përmes modelit “One stop shop”, ku çdo qytetar do të ketë një kohë më cilësore në shërbim të tij dhe në marrjen e përfitimeve, pagesën e kontributeve apo shërbime të tjera për të cilët qytetarët kanë nevojë në të gjitha zyrat tona”, deklaroi Braho.

Nëpërmjet një pune të madhe, u arrit që tashmë qytetarëve t’iu ofrohet shërbim në kushte tepër cilësore dhe brenda një kohe të shkurtër. Kjo falë edhe risive teknologjike të përdorura në këtë Agjenci, siç është dhe “Kioska Elektronike”, një pajisje, e cila është e lidhur me regjistrin elektronik të shtetasve. Qytetarët e interesuar nuk kanë nevojë të sorollaten nëpër dyert e gjendjeve civile për të marrë certifikatat e nevojshme që duhen paraqitur për të lidhur dosjet e përfitimeve. Tashme vetëm me përdorimin e kartës së identitetit shfaqen të gjitha të dhënat e tyre familjare dhe personale, të cilat më pas printohen për tu përfshirë në dosjen e pensionit, që vlejnë vetëm për sigurimet shoqërore.

Përveç këtij programi, është bërë e mundur që për herë të parë në zyrat e Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore të përdoret edhe sistemi i biletave me numër, ç’ka bën të mundur që kur të paraqiten për të marrë shërbimin, qytetarët të pajisen me një biletë me numër dhe në bazë të numrit rendor që kanë të mos presin në rradhë, por të vijnë më vonë, në varësi të fluksit të personave që ndodhen në ALSSH për të marrë shërbim.