I nderuar Z. Kryeministër

I nderuar Z. Ministër

Të nderuar të pranishëm

Reforma e Sistemit të Sigurimeve Shoqërore, që u ndërmor nga Qeveria Shqiptare gjatë vitit që shkoi, do të bëjë të mundur konsolidimin e skemës së pensioneve, uljen e deficitit,  inkurajimin e qytetarëve  për derdhjen e kontributeve,  si dhe një skemë më të drejtë ku përfitimi lidhet ngushtësisht me  kontributet e paguara.

Kjo reformë është produkt i një pune të madhe studimore, analizash të njëpasnjëshme, eksperience dhe ekspertize teknike të admirueshme. Ndaj, më lejoni që përpara jush të falenderoj grupin teknik të punës të ngritur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore që realizuan hartimin e kësaj reforme. Dua të falenderoj Enkelejd Musabelliun, Astrit Kukën, Ali Eminin, Astrit Hadon dhe Brikena Meçen, për punën e jashtëzakonshme që bënë si pjesë e grupit teknik për realizimin e reformës, dhe për një bashkëpunim të shkëlqyer me ekspertët e Bankës Botërore. E them me bindje se na keni bërë të gjithëve të ndjehemi krenarë!

Nuk mund ta fsheh faktin se në fillim të punës jemi ndjerë të stepur nga pesha dhe përgjegjësia e madhe me të cilën përballeshim. Kjo edhe për faktin se reforma e ndërmarrë një dekadë më parë, ishte me një sistem sigurimesh ku 46% e shpenzimeve  financohej nga Buxheti i Shtetit dhe raporti kontribues-përfitues ishte në nivele kritike. Për këtë arsye, i gjithë grupi i punës, më shumë se nevojë për ekspertizë, kishte nevojë për besim dhe motivim. Për këtë arsye dëshiroj t’iu kërkoj leje Zoti Kryeministër për të falenderuar në mënyrë të veçantë Ministrin Veliaj. E them sinqerisht, si dikush që ka punuar prej më shumë se dy dekadash, në institucione të ndryshme financiare dhe shtetërore, se pa inkurajimin dhe besimin e treguar prej tij do kish qenë e vështirë ndërmarrja e kësaj reforme themelore, për të ardhmen e skemës së Sigurimeve Shoqërore.

Për Institutin e Sigurimeve Shoqërore puna e vërtetë, e madhe, fillon tani, me zbatimin e kësaj reforme. Është detyra jonë që e gjithë reforma e parashikuar  të përkthehet në përfitime për të gjithë qytetarët në kohën e duhur, e saktë, transparente dhe pa vonesa, si për pjesëmarrësit në skemën e detyrueshme, ashtu edhe për personat e moshuar, që do të përfitojnë pensionin social.

Më lejoni që tiu informoj se ISSH është e përgatitur dhe ka filluar tashmë zbatimin në praktikë të kësaj reforme të rëndësishme.

Krahas punës për reformimin e sistemit, rëndësi e veçante iu kushtua administrimit të sistemit dhe realizimit të të ardhurave të buxhetit për vitin 2014, ku të ardhurat nën përgjegjësinë e ISSH-së u tejkaluan me mbi 5.8 miliardë lekë. Mund të themi se viti 2014 ka qene viti i parë me ritmin më të lartë të rritjes së kontributeve në 10 vitet e fundit, me një rritje 19%,  si dhe numrin më të lartë të kontribuesve fermerë në sistemin e Sigurimeve Shoqërore.

Ne jemi aktualisht drejt rrugës së dixhitalizmit të plotë të sistemit të sigurimeve shoqërore, me qëllim që gjithkush të arrijë që të ketë shumë shpejt llogaritë personale, nga ku mund t’i kontrollojë në çdo kohë. Për të gjitha këto hapa ne kemi kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve, duke komunikuar me shumicën e tyre, për të bërë të mundur kështu një përafrim sa më të madh mes punonjësve dhe qytetarëve, çka rrit besimin në menaxhimin e skemës, ku gjithkush të marrë atë që meriton dhe aksush të mos marrë pension të pamerituar.

I nderuar. Z. Kryeministër!

I nderuar z. Ministër!

Duke besuar se me ligjin e ri të sigurimeve shoqërore ne kemi nisur një etapë te re, që do ta forcojë më shumë skemën e sigurimeve shoqërore, unë dëshiroj t’Ju falenderoj për gjithë mbështetjen që i keni dhënë stafit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore gjatë gjithë kësaj periudhe dhe t’Ju siguroj për angazhimin tonë të plotë në atë që është edhe më e rëndësishme: zbatimin me sukses të kësaj skeme të re.

Faleminderit!