Baza ligjore:

  • Neni nr. 26; 27; 28; 29, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
  • Rregullore nr. 37, e ISSH-së, datë 23.12.2004 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e përfitimeve afatshkurtra”;
  • Rregullore nr. 494, e ISSH-së, datë 05.10.1993 “Për lëshimin e raporteve për paaftësi të përkohëshme në punë”.

Neni 26

Në degën e sigurimit për barrëlindje paguhen:

a) të ardhurat për barrëlindje;

b) të ardhurat për kompensimin për barrëlindje, kur ndryshohet vendi i punës;

c) shpërblimi për lindje fëmije.

Neni 27

E ardhura për barrëlindje

1. E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm;

2. Periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve;

3. E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është:

         a) 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes;

         b) 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim.

4. E ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi llogaritet sipas pikës 3, të këtij neni. Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë.

6. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes.

7. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.”.

Neni 28

E ardhura për kompensimin për shtatëzani

1. Gruaja e siguruar, që me vendim të komisionit mjekësor kompetent ndryshon vendin e punës për arësye shtatëzanie, ka të drejtë të përfitojë kompensim të ardhurash për pakësimin që pëson nga ndryshimi i vendit të punës.Ky kompensim jepet në rast se është derdhur kontribut për një kohë jo më pak se 12 muaj;

2. Shuma e të ardhurave që do të përfitohet për kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës të mëparshëm dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë së 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit, nga data e lindjes të së drejtës për pagesë.   

 Neni 29

Shpërblimi për lindje fëmije

1. Shpërblim për lindje fëmije i paguhet një personi të siguruar, i cili është nëna ose babai i një fëmijë që lind, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribuar për një vit para lindjes se fëmijës. Shpërblimi do të bëhet i pagueshëm vetëm një herë dhe nëna do të ketë përparësi në përfitimin e pagesës, në rast se ajo është e siguruar;

2. Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë me 50 përqind të pagës minimale mujore.