ISSH, në kuadër të mirëadministrimit të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe shmangien e informalitetit në pagesat e pensioneve, në vite, ka nisur procesin e pastrimit të skemës, i cili konsiston në auditimin e pensioneve dhe përfitimeve të tjera, si dhe në informatizimin e proceseve të punës dhe dixhitalizimit të të dhënave.

Përsa i përket ligjshmërisë së përfitimeve që iu lindin qytetarëve nga skema e sigurimeve shoqërore, është konstatuar një dëm ekonomik i konsiderueshëm, i cili llogaritet në rreth 2.9 miliardë lekë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore po vijon punën për pastrimin e skemës nga përfitimet e padrejta, duke u përqëndruar në disa mënyra kontrolli të dosjeve të pensioneve. Duke pasur parasysh që nga kjo skemë aktualisht përfitojnë rreth 560 mijë pensionistë, në total janë konstatuar rreth 5 667 dosje me probleme. Sipas të dhënave, vetëm nga Drejtoria e Auditit në ISSH janë konstatuar rreth 3 970 dosje me shkelje, nga të cilat pensione me ndryshim datëlindjesh pra përfitues që kanë hyrë në skemën e përfitimit disa vjet para se t’u lindë e drejta, janë konstatuar gjithsej 1 998 raste, me përfitim të padrejtë në masën 1.328.452.000 lekë. Ndërsa për pensionet e përfituara në mënyrë të padrejtë si rezultat i paraqitjes të dokumentave të parregullta janë konstatuar gjithsej 1972 raste, me një vlerë 881.356.601 lekë. Kryesisht, ndër shkeljet e konstatuara për këtë kategori ka qenë ndryshimi i vjetërsisë në punë, duke i kaluar në kushtet e kategorisë së parë, si punë në nëntokë, fonderi etj, ndërkohë që kanë punuar në punë të kategorisë së tretë ose në kooperativa bujqësore, duke përfituar padrejtësisht pension disa vjet më parë sesa parashikohet në Ligj.

Në këtë kuadër, ISSH ka ndërtuar një sistem informatik të qendërzuar dhe sipas standarteve europiane, për informatizimin e të gjitha proceseve e punës, ku janë hedhur, veç të tjerave, rreth 90% e dosjeve të vjetra të pensionit, për krijimin e regjistrit kombëtar unik të pensioneve dhe pagimin online të tyre. Falë këtij sistemi, i cili funksionon online me regjistrin kombëtar të shtetasve, bëhet e mundur kontrolli i datëlindjeve në kohë reale për dosjet e pensioneve në të gjithë vendin. Ky proces bën të mundur konstatimin e menjëhershëm të rasteve kur rezultojnë abuzime me datëlindje ose gjeneralitete të ndryshme. Gjithashtu, hedhja e dosjeve të pensioneve në një sistem unik të qendërzuar nxjerr në pah rastet e personave që marrin më shumë se një përfitim. Nga ky proces janë konstatuar 108 raste përfitimesh të dyfishta, për të cilat janë kryer veprimet përkatëse të llogaritjes së dëmit financiar, si dhe denoncimet në prokurori. Nga këto raste janë evaduar 94 raste me dëm financiar 91 milionë lekë, ndërkohë që po vijon puna edhe për dosjet e mbetura. Për sa i përket përfitimeve që rrjedhin nga trajtimet e veçanta si minatorë, që rrjedhin nga Ligji nr. 8685, datë 09.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në n/tokë”, janë konstatuar 989 dosje me problem, me një dëm ekonomik prej rreth 455 milionë lekësh. Paralelisht me verifikimin e emrave të përfituesve, sistemi informatik ka bërë të mundur verifikimin e të dhënave të gjendjeve civile të përfituesve për dosjet e hedhura në system, nga kanë rezultuar pensione të lidhura me ndryshim datëlindjesh 802 raste, me një dëm prej rreth 203 milionë lekësh.


Falsifikim moshe
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20
Abuzime të tjera
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20