•  admin
  •  

Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, në gazetën “Panorama”, më datë 31 tetor 2016

Duke nisur nga data 1 nëntor nis kthimi pas i parave për ish-ushtarakët e prekur nga Akti Normativ i miratuar në 2010-n.

Kështu, bashkë me pensionin, 5400 ushtarakë do të kenë mundësi të përfitojnë edhe shtesën. Sipas drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, pagesat do të kryhen me këste deri në muajin maj të 2017-s. Përmes një interviste dhënë për gazetën, thotë se shuma e debisë së mbajtur është e ndryshme dhe varion nga 1 lek deri në 500 mijë lekë.

ISSH ka gati edhe skemën që do të aplikohet për kthimin pas të parave, të cilën Hado e ilustron përmes shembujve konkretë. “Në rast se një ishushtarak ka debi të shlyer prej 52.500 lekësh, kjo shumë do t’i jepet në muajin nëntor 15.000 lekë dhe pjesa e mbetur prej 37.500 lekësh do t’i jepet në tre këste, përkatësisht në muajin dhjetor 15.000 lekë, në muajin janar 15.000 lekë dhe në muajin shkurt pjesa e mbetur prej 7500 lekësh.

Në rastet kur shuma që do të kthehet është më e madhe, atëherë në muajin nëntor do të marrë 15.000 lekë dhe në muajt e tjerë do të marrë 1/6 e shumës deri në muajin maj”. Sakaq e menjëhershme dhe e plotë do të kryhet pagesa për ata që kanë për të përfituar më pak se 15 mijë lekë.

Në muajin maj të këtij viti, Qeveria miratoi ligjin për faljen e detyrimeve të ish-ushtarakëve sipas Aktit Normativ. Ku konsistojnë këto detyrime të ish-ushtarakëve ndaj skemës dhe pse kanë lindur këto borxhe?

Në muajin maj të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 46/2016 për faljen e detyrimeve të ish-ushtarakëve ndaj skemës së pensioneve suplementare nga rillogaritja sipas ligjit 10142 të vitit 2009. Ky ligj sanksionon që të gjitha detyrimet që ish-ushtarakët kanë ndaj skemës për shkak të rillogaritjes do të falen dhe ato detyrime që janë paguar do të kthehen.

Arsyeja e krijimit të këtyre detyrimeve është për arsye administrative, pra për një vonesë të llogaritjes së pensioneve. Në ligjin 10142 është përcaktuar që të gjithë përfitimet e caktuara deri në datën 1 korrik 2009 do të rillogariten sipas përcaktimeve të këtij ligji përfshirë edhe ato përfitime që janë caktuar sipas vendimeve gjyqësore. Në këtë ligj, por edhe në vendimet e Këshillit të Ministrave të dala në zbatim të ligjit është përcaktuar që rillogaritjen do ta kryejë ISSH, por në bazë të dokumentacionit që do të dërgojnë ministritë e linjës ku përcaktohet vjetërsia në shërbim për çdo ish-ushtarak dhe paga referuese neto sipas pozicioneve të punës.

Për shkak të ankimimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese dhe ndryshimeve që iu bë bazuar në vendimin e kësaj gjykate, për një periudhë rreth dyvjeçare ishte e pamundur rillogaritja e pensioneve duke filluar nga 1 korriku 2009. Dokumentet e dërguara nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe institucionet e tjera u dërguan me vonesë pranë ISSH dhe për rrjedhojë nga momenti i ardhjes së dokumenteve dhe rillogaritjes deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, që është 1 korriku 2009, pensionet ishin tërhequr sipas ligjit të vjetër dhe të parillogaritura.

Për personat që pas rillogaritjes masa e pensionit rezultonte më e lartë se masa e pensionit sipas ligjit të ri, nga ana jonë iu paguan shumat kreditore duke filluar nga 1 korriku i vitit 2009, ndërsa për personat që nga rillogaritja masa e pensionit rezultonte më e ulët se masa e më- parshme, u llogarit shuma e marrë tepër dhe u shpallën debitorë. Kjo shumë debitore iu është mbajtur në masën 20% të masës mujore të pensionit deri në shlyerjen e saj sipas përcaktimit të ligjit.

Më lejoni të theksoj se këto detyrime nuk kanë lindur si rezultat i llogaritjes gabim nga ana e strukturave të sigurimeve shoqërore, por si rezultat i vonesës së zbatimit të ligjit dhe dërgimit të dokumentacionit përkatës nga ministritë dhe institucionet e linjës të ngarkuara nga ligji dhe aktet nënligjore.

Kur do të fillojë falja e detyrimeve për ish-ushtarakët dhe a do t’u kthehen shumat e mbajtura deri tani?

Duke filluar nga data 1 qershor 2016, të gjithë ish-ushtarakëve debitorë nga rillogaritja nuk u mbahet as një lek nga pensioni i tyre dhe të gjitha detyrimet u janë falur.

Të gjitha detyrimet e tyre janë hequr nga sistemi informatik i pagesave dhe paguhen në masën që u ka dalë pensioni nga rillogaritja. Të gjitha shumat e paguara deri në atë datë do t’u kthehen ish-ushtarakëve sipas përcaktimeve të ligjit 46/2016 dhe VKM 704, datë 12.10.2016.

  •  test
  •  

Në datat 22-24 nëntor 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u organizua takimi për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren në implementimin e marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 34/2016, datë 24.03.2016.

 Nga zbatimi i kësaj Marrëveshjeje do të mundësohet njohja dhe mbrojtja e kontributeve të paguara nga shtetasit që janë subjekt i legjislacioneve respektive në të dy vendet, duke bërë të mundur që asnjë kontribut i tyre të mos humbasë, por të merret në konsideratë në llogaritjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni.

 Kjo Marrëveshje hyn fuqi duke filluar nga 1 shkur 2017.

  •  test
  •  

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Blendi Klosi, iu kërkoi sot drejtorëve të Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore që ta konsiderojnë çdo ditë të dhjetorit si një betejë për të arritur objektivat për të ardhurat e të vetëpunësuarve.

Në takim u analizuan të gjithë treguesit e çdo DRSSH, duke vënë theksin në gjetjen e rrugëve për zgjerimin edhe më shumë të hartës të të siguruarve të vetëpunësuarve në bujqësi, duke bërë të mundur që çdo familje që siguron të ardhurat përmes bujqësisë të jetë pjesë e skemës, që gjithkush të ketë mbrojtjen e duhur sociale në moshën e tretë.

  •  admin
  •  

Mbështetur në VKM nr. 885, datë 16.12.2016 “Për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit, 2016”, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare sha, nënshkruan sot marrëveshjen, ku Posta Shqiptare merr përsipër të kryejë pagesën e shpërblimit të festave të fundvitit pensionistëve, në qendrat e saj paguese, duke organizuar punën sipas një grafiku të veçantë, të miratuar për këtë qëllim, me orar veprimi nga ora 07.30 deri në orën 20.00, çdo ditë, duke filluar nga data 21.12.2016.

Pagesat e shpërblimit evidentohen me listëpagesë të veçantë. Listëpagesat do jenë ato që përdoren për pagesat e pensioneve. Në rastet e pagesave për persona të autorizuar, dokumentet e identifikimit do të shërbejnë edhe për pagesën e pensionit.

 GRAFIKU I PAGESAVE

Pagesa e shpërblimit do të kryhet në qendrat paguese të pensioneve në të gjithë vendin, duke filluar nga data 21 – 30.12.2016, si më poshtë:

DATA E PAGESËS

SË SHPËRBLIMIT

PENSIONISTËT

E DATËS/DATAVE

21.12.2016

21.12.2016         dhe      1, 2 dhjetor 2016

22.12.2016

22.12.2016         dhe      5, 6 dhjetor 2016

23.12.2016

23.12.2016         dhe      7, 8 dhjetor2016

24.12.2016

24.12.2016         dhe     9, 12 dhjetor 2016

26.12.2016

26.12.2016         dhe     13, 14 dhjetor 2016

27.12.2016

27.12.2016         dhe     15, 16 dhejtor 2016

28.12.2016

28.12.2016         dhe     19, 20 dhjetor 2016

29 – 30.12.2016

29.12.2016       dhe ata që kanë mbetur pa tërhequr më parë

Grafiku i shpërndarjes së pagesave është pjesë e marrëveshjes midis ISSH dhe POSTËS SHQIPTARE sha.

Të gjithë ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 30 dhjetor do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në Janar e në vazhdim.

  •  admin
  •  

Në datën 25 tetor 2017, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua analiza 9-mujore e punës, me drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

Gjatë kësaj analize, Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado vuri theksin në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe realizimin e planit të ardhurave.

Masave të ndërmarra nga ISSH në këtë drejtim, tashmë i janë shtuar edhe heqja e një serë dokumentesh, që deri para pak kohësh merreshin personalisht nga qytetarët.

Ndaj çdo punonjës në zyrat e ALSSH-ve dhe DRSSH-ve do t’i tërheqë në mënyrë elektronike këto dokumente, duke eleminuar në maksimum ecejaket dhe rradhët për aplikuesit.

Pavarësisht se treguesit financiarë për këtë vit janë në nivele të kënaqshme, të gjitha strukturat e drejtorisë së kontributeve në ISSH dhe në DRSSH, duhet të vazhdojnë me intensitet punën për realizimin e planit të të ardhurave nga sigurimi i të vetëpunësuarve në bujqësi dhe atij vullnetar.

  •  admin
  •  

Intervistë e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, dhënë në “Gazeta shqiptare”, 27 tetor 2017.

Katër certifikata dhe një sërë dokumentesh të tjera do të sigurohen ‘online’ dhe një pensionist duhet vetëm të paraqitet në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ky institucion bën me dije se për pensionistët nuk ka më arsye të humbasin kohë në sportelet e gjendjes civile si dhe të shpenzojnë para, pasi dokumentet janë ‘online’.

Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, bën të ditur se një pensionist nuk ka më arsye përse të shkojë në gjendjen civile për të tërhequr certifikatat, që i duhen për të përfituar pension. Përmes procesit të rregullimit që parashikon transferimet ‘online’ të dokumenteve, punonjësit në zyrat e pensioneve i tërheqin vetë ato përmes sistemit.

“Katër lloj certifikatash mund të gjenden ‘online’ përmes portalit ‘e-Albania’, që është certifikata familjare, certifikata personale e cila në përgjithësi nuk kërkohet, certifikata e vdekjes, në rastet kur pensionistët ndërrojnë jetë dhe certifikata e martesës për ato martesa që janë realizuar pas vitit 2008.

Përpara vitit 2008 nuk janë të dixhitalizuara, që do të thotë janë mbi bazë letre.

Të gjitha ato certifikata do të sigurohen vetë në portalin tonë përmes lidhjes që kemi me gjendjen civile. Qytetari vetëm deklaron”, thotë Hado në një intervistë për “Ora News”. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, tha se edhe një sërë dokumentesh të tjera tërhiqen ‘online’. “Ne sigurojmë vetë edhe një sërë dokumentesh të tjera, të cilat prodhohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore nga segmente të caktuara të administratës së sigurimeve shoqërore, si dhe dëshminë e penalitetit për përfitimet suplementare nuk ua kërkojmë më qytetarëve, por e marrim ne pranë Ministrisë së Drejtësisë”, bën të ditur Hado.

 Pagesat

“Në këtë mënyrë, pensionisti përfiton duke mos paguar para dhe duke mos shpenzuar kohë. Çdo certifikatë kushton 500 lekë të vjetra, minimalisht për çdo përfitim ne kërkojmë 2-3 certifikata, që për një pensionist është e qenësishme, por është edhe koha e harxhuar. Nuk do të shkojnë qytetarët pensionistë të mbajnë radhë në gjendje civile që të marrin certifikatë. Apo ndonjëherë për shkak të shumë arsyeve mund ta marrin edhe gabim, dhe do të duhet të rikthehen dhe ta marrin prapë. I gjithë sistemi i ISSH është dixhitalizuar, ndaj pensionistët aktualisht përfitojnë nga këto lehtësira”, bën të ditur drejtori i ISSH-së, Astrit Hado.

Vërtetim pensioni

Shërbimi elektronik “Vërtetim pensioni” u mundëson qytetarëve të marrin ‘online’ vërtetimin e përfitimit të pensionit. Shërbimi është i vlefshëm vetëm për kategorinë e qytetarëve që përfitojnë pension.

Dokumentacioni i nevojshëm

1.Dokument identifikimi. Kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin ‘e-Albania’).

Hapat e procedurës

1.Regjistrohuni si qytetar në portal.

2.Kërkoni shërbimin “Vërtetim pensioni”.

3.Klikoni butonin “Përdor” për të parë dhe shkarkuar vërtetimin e përfitimit të pensionit.
Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit: Menjëherë; periudha e vlefshmërisë, pa afat.
Kostot: Pa pagesë

Certifikata personale

Shërbimi elektronik “Certifikatë personale” në “e-Albania” ju mundëson të shikoni dhe verifikoni të dhënat personale, duke marrë ekstrakt nga regjistri i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, në formën e certifikatës personale.

Dokumentacioni i nevojshëm

1.Dokument identifikimi: Kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal).

Hapat e procedurës

1.Identifikohuni si qytetar në portalin “e-Albania”

2.Zgjidhni shërbimin “Certifikatë personale”.

3.Klikoni butonin “Përdor”

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit: Menjëherë

Kostot: Marrja e informacionit nëpërmjet portalit “e-Albania” është pa kosto. Në qoftë se ju i drejtoheni gjendjes civile për marrjen e këtyre informacioneve, kosto është 50 lekë.

Masat e patërhequra të pensionit të pleqërisë

Ky shërbim elektronik bën të mundur publikimin e masave të patërhequra të pensionit të pleqërisë.
Dokumentacioni i nevojshëm

Dokument i identifikimit të kërkuesit: kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin “e-Albania”).

Hapat e procedurës

Për të përdorur shërbimin duhet të regjistroheni si qytetar në portal dhe të aksesoni shërbimin, i cili hapet menjëherë kur klikoni butonin “Përdor” në krah të tij.
Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit: Menjëherë.

Kostot: Pa pagesë.

  •  admin
  •  

  •  admin
  •