•  admin
  •  

Nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Ali Emini, sqaron në gazetën “Shekulli” të datës 29 shtator 2014, projektligjin e ri. Përfituesit e pensionit, kushtet si dhe rimbursimet. Ligji pritet të diskutohet së shpejti në Parlament. ISSH ka gati draftin

-Parlamenti pritet të marrë në shqyrtim projektligjin për pensionin e minatorëve të përgatitur nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Disa çështje të rëndësishme të projektligjit janë sqaruar për gazetën “Shekulli” nga nëndrejtori i ISSH, Ali Emini. Sipas këtij projektligji, minatorët e nëntokës pritet të përfitojnë pension të parakohshëm në rast se kanë 12 vjet e gjysmë punë në nëntokë. Shpenzimet për këtë pension, sipas projektligjit pritet të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe punëdhënësit e tyre. 

Pse u pa e nevojshme ndryshimi i ligjit për minatorët e nëntokës? 

Qeveria, kohët e fundit ka paraqitur në Kuvend për shqyrtim, një projektligj që lidhet me shqetësimet e punonjësve që kanë punuar në minierat në nëntokë. Punonjësit që kanë punuar në miniera në nëntokë deri në vitin 1993, me ligjin e vjetër dilnin në pension në kushtet e kategorisë së parë të punëve. Pra ishte e mjaftueshme që një minator të ishte në pension në moshën 50 vjeçare, të kishte bërë 20 vjet punë dhe të paktën 10 vjet t’i kishte në punë në minierë nën tokë. Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 1993, si për të gjithë shqiptarët edhe mosha e minatorëve, u rrit gradualisht dhe me një ligj të vitit 2009, ajo qëndroi në këto kushte dhe në këto nivele. Sipas ligjit të 2009, çdo njeri që kishte punuar në miniera në nëntokë dhe që kishte jo më pak se 15 vjet punë në këto kategori pune, pra duke punuar si minator apo në profesione të tjera në nëntokë, dilte në pension në moshën 60 vjeç, por me kusht që të kishte gjithsej 30 vite punë. Natyrisht, që tashmë në vitin 2014 ka disa persona që kanë plotësuar këto kushte dhe që kanë bërë edhe kërkesë për të dalë në pension. Mirëpo ndërkohë në kuadrin e reformës së pensioneve, qeveria, përveç studimit që i bëri skemës së pensionit në përgjithësi, pa të arsyeshme që të ndalet dhe të shqyrtojë problemet e pensioneve dhe moshës së minatorëve. Kemi të bëjmë me një kategori njerëzish, që në fakt punojnë nëntokë. Është një profesion shumë i vështirë, është një profesion që kryhet në disa miniera, ku edhe kujdesi nga investitorët nuk ka qenë në nivelin e duhur, megjithëse jemi në vitin 2014, praktikisht ne po shohim që në miniera, teknologjia që përdoret, është ajo e viteve 1985. Ka shumë nga këta punonjës dhe sidomos ata që kanë punuar në minierat e bakrit që janë të sëmurë nga sëmundje profesionale që kanë nevojë edhe për rehabilitim. Ndërkohë që mbi 3600 persona marrin një trajtim të veçantë financiar por që për shumë njerëz, për mbi 70 për qind e tyre është në nivelin minimal të pensionit. Të gjithë këto kushte, për këta persona që kanë punuar në miniera nëntokë, që vazhdojnë të punojnë në këtë industri, që vijon të punojë në kushte të rënda dhe të veçanta pune, qeveria arsyetoi që mosha e daljes në pension, si për të gjithë shqiptarët 60 dhe 65 vjeç është shumë e gjatë. ndërkohë që edhe jetëgjatësia mesatare e kësaj kategorie, për shkak të vështirësive të punës është edhe më e ulët. Në projektligjin që është paraqitur për shqyrtim, është parashikuar që mosha e daljes në pension, për të gjithë ata persona që kanë punuar në miniera nëntokë të jetë 55 vjeç. Ndërkohë ata duhet të plotësojnë dy kushte të vjetërsisë në punë. E para, të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi në punë për 30 vjet, të cilën mund ta kenë kryer në punë në minierë nëntoke, ose në sipërfaqe, apo edhe në profesione të tjera. Po ndërkohë, detyrimisht ata do të kenë jo më pak se 12.5 vjet si punonjës të nëntokës. Kur flasim për punonjës të nëntokës, kam parasysh që mund të ketë qenë edhe një inxhinier, apo edhe punëtor, vagonist, por që mjafton të ketë punuar në nëntokë.

Çfarë përjashtimesh ka në ligj? 

Po ligji ka edhe një përjashtim. Ai është bërë për ata punonjës që realisht kanë punuar në miniera në nëntokë, janë kategori mjaft e madhe punonjësish dhe që marrin trajtime të veçanta financiare, për shkak se kanë punuar në nëntokë dhe nuk arrijnë aktualisht që të bëjnë 12 vjet e gjysmë në nëntokë, megjithëse vjetërsinë e përgjithshme të punës e kanë mbi 30 vjet. Ka patur raste dhe vetëm për këta persona që tashmë janë në listat e sigurimeve shoqërore dhe marrin trajtimet e veçanta, mosha e pensionit është parashikuar që të jetë 55 vjeç. Vjetërsia e përgjithshme në punë edhe nga persona të tjerë është mbi 30 vjet, por vjetërsia e punës në nëntokë të jetë 11 vjet e 6 muaj. Jo 12 vjet e 6 muaj, siç janë për gjithë të tjerët. Më lejoni të them që vjetërsia e punës në nëntokë 12 vjet e 6 muaj, nuk është plotësuar deri sa të hyjë ligji në fuqi, ajo mund të plotësohet edhe më vonë. Me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, pas miratimit të ligjit, do të përcaktohet qartë se si do të evidentohet vjetërsia dhe lloji i punës që kryen. Ndërkohë që, për të gjithë ata që do të vazhdojnë të punojnë, punëdhënësit e tyre do të vazhdojnë për japin një kontribut shtesë. Sepse për të gjithë këta persona që do të punojnë dhe marrin pension përpara të tjerëve duhet të ketë një fond të veçantë që do të financojë pensionet e tyre.

A do të ketë pasoja në buxhet nga dalja në pension përpara kohe? 

Është parashikuar që fondi i sigurimeve shoqërore do të ketë pasoja nga dalja në pension përpara kohe të minatorëve, sepse buxheti i shtetit do të ndërhyjë dhe do të mbulojë të gjitha kostot e pensioneve nga mosha 55 vjeç dhe deri në moshën që miratohet dhe që realisht është mosha 60 vjeç.

Si do të përllogaritet pensioni i minatorëve të nëntokës? 

Parashikohet që nga ky projekt ligj të përfitojë dhe të kenë përfitim të menjëhershëm rreth 3600 minatorë, të cilët, nëse deri sot marrin një pension mesatar që është afërsisht 9 500 deri në 10 mijë lekë të reja, do të kenë në të ardhmen një pension që do të jetë jo më i vogël se pensioni minimal që është aktualisht dhe afërsisht sa është pensioni mesatar që merr pensioni i pleqërisë. Duke ju shtuar atyre edhe kompensimet që ju jepen për çmimin e bukës dhe çmimin e energjisë elektrike, një minator që plotëson kushtet e ligjit të ri nuk mund të marrë më pak se 14 300 lekë të reja në muaj, por mund të marrë edhe një pension që është më i lartë, por që nuk është më shumë se 25 mijë lekë të reja në muaj. Projektligji do të ketë edhe dispozita shoqëruese të tjera, menjëherë Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të fillojë përllogaritjet e pensioneve.

Si do të shpërndahen pensionet që do të dalin nga ndryshimi i ligjit? 

Pensionet do të jepen me kërkesë të personave që janë të interesuar, me kërkesë të atyre që mendojnë se plotësojnë kushtet. Prandaj me daljen e ligjit dhe dispozitave të tjera, të gjithë ata persona që kanë punuar në miniera nëntokë dhe plotësojnë kushtet, duhet të bëjnë kërkesë pranë agjencive të sigurimeve shoqërore. Ndërkohë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nëpërmjet bazës së të dhënave që ka, për pension për trajtime të veçanta, në bazë të të dhënave për sigurimin e kontributeve mund të marrë përfitimin. Këta janë një masë e madhe njerëzish që do të përballojnë këtë volum punë që është shumë i ngjeshur.

Sa parashikohet të jetë numri i përfituesve? 

Përfituesit e ligjit, që dalin në pension në vitin 2015 janë 3600 persona. Pastaj në vazhdim vijnë në rritje vit pas viti. Të gjithë ata që plotësojnë kushtet, gradualisht do të dalin në pension kur të plotësojnë moshën 55 vjeç dhe vjetërsinë e përgjithshme të punës 30 vjet dhe nën tokë 12 vjet e gjysmë. Kjo do të jetë një skemë që do të qëndrojë në vazhdimësi dhe do të quhet skema e minatorëve, e cila natyrisht, për atë pjesë të periudhës që do të dalin në pension para kohe, do të financohen nga buxheti i shtetit dhe nga kontributet që do të paguajnë punëdhënësit e minatorëve. Kjo skemë është vetëm për ata punonjës që kanë punuar në miniera nën tokë. Ka shumë profesione të tjera që janë të vështira por nuk kanë kushtet e vështirësisë së punës në nëntokë apo të asaj pune që shpesh herë ka mjaft sëmundje profesionale të cilat sjellin pasoja edhe në jetëgjatësinë e kësaj shtrese.

Kur do të hyjë në fuqi ky ligj? 

Në fillim do të kalojë në Kuvend, të miratohet dhe më pas, sipas rregullave do të botohet në Fletoren Zyrtare. Hyn në fuqi 15 ditë pasi të jetë publikuar në këtë fletore.

Numri i minatorëve që marrin pension 

Industria e minierave ka pasur një numër të caktuar punëtorësh. Fillimisht kanë dalë në pension në moshën 45 vjeç deri në vitin 1993. Pastaj ka pasur një skemë tjetër të dytë të pensioneve të parakohshme për punonjësit e nëntokës në vitin 1995, kur dolën rreth 18 mijë punonjës në pension. Ka pasur një skemë tjetër të trajtimit të veçantë të nëntokës kur dolën në pension 4300 punonjës të nëntokës. Tani kemi skemën përfundimtare e cila do të japë pension në moshën 55 vjeç të gjithë ish- punonjësve të nëntokës që kanë plotësuar kushtet e cilësuara më sipër, por që edhe do të vazhdojë si një skemë e mirëfilltë e pensioneve në të ardhmen. Pensioni i tyre do të llogaritet njësoj siç llogaritet pensioni i pleqërisë. Do të kenë formulat dhe të gjitha shtesat dhe kompensimet që marrin edhe pensionet e pleqërisë. Thjesht për këta persona mosha e daljes në pension nuk është 60 vjeç, por është 55 vjeç. Nënvizoj që faktikisht, mosha e daljes në pension është 60 vjeç. Nga analizimi që kemi bërë në bazën tonë të të dhënave na rezulton që për këtë vit, kanë plotësuar moshën për pension 60 vjeç dhe vjetërsinë e punës në nëntokë 4 minatorë, të cilët ende nuk kanë dalë në pension.

  •  admin
  •  

Artikull i botuar në faqen e internetit www. respublica.al, datë 30 shtator 2014 dhe në gazetën “Tirana Observer”, më datë 01 tetor 2014, faqe 7.

Reforma e pensioneve ka nisur. Në Kuvend drafti i paraqitur nga ISSH dhe ministria e linjës u kthye në ligj me 88 vota pro. E pyetur mbi risitë e skemës së re, Vjollca Braho, Drejtoreshë e Përgjithshme e ISSH-së, thotë se kjo reformë e bën sistemin më të drejtë, duke lidhur kontributet e paguara me përfitimet për çdo individ.

– Keni ardhur në krye të ISSH-së pas një karriere të gjatë në administratë. Si e ndjeni veten në raport me punën dhe stafin?

Vjollca Braho: – Mendoj se një eksperiencë e madhe në administratë të ndihmon të jesh më e qartë dhe efektive kur merr përsipër postin e një menaxhereje të lartë në një institucion publik. Karriera besoj më ka bërë më të matur. Të paktën mua. Më ka bërë të respektoj kolegët me të cilët bashkëpunoj, të krijoj frymën e grupit dhe të marr mendimet më të mira para vendimmarrjeve të nevojshme. Sepse besoj që një drejtues nuk mund t’i arrijë i vetëm objektivat, pa pasur një staf të mirë dhe bashkëpunues.

– Jeni në krye të një drejtorie shumë të rëndësishme. Me çfarë vështirësish jeni përballur duke qenë në pozita femërore?

Vjollca Braho: – Unë erdha në një institucion, i cili përpara meje ishte drejtuar nga një femër. Nuk kam ndjerë asnjë vështirësi dhe besoj se edhe kolegët e mi nuk kanë pasur kurrfarë pengesë në marrëdhëniet me mua. Madje sot, raporti meshkuj-femra në postet drejtuese në institucionin që drejtoj është i barabartë, falë dhe promovimit për drejtuese që unë kam bërë në këto vite. Por ky nuk ka qenë një synim për barazim gjinor, por një përpjekje për të vlerësuar këdo që punon.

– Reforma e pensioneve ka nisur. Cilat janë arsyet që ju çuan në këtë vendim?

Vjollca Braho: – Duke parë vështirësitë që haste skema ekzistuese e pensioneve dhe deficitin e lartë që akumulonte çdo vit, ishte bërë i domosdoshëm reformimi. Në thelb, reforma ka si qëllim thellimin e parimit kontributiv, lidhjen më të drejtë të përfitimeve me kontributet e paguara, garantimin e të drejtave të fituara dhe të atyre që do të lindin nëpërmjet përmirësimit të balancës financiare dhe uljes së deficitit.

– Ju thoni që reforma do të sjellë në balancë sistemin dhe do të rrisë përfitimet e atyre që dalin pas datës 1 janar 2015. Ku çalonte ai?

Vjollca Braho: – Sistemi jo vetëm është në një deficit të madh, por sipas parashikimeve, nëse nuk ndërhyhet, ai do të vazhdojë të rritet duke rrezikuar seriozisht vetë sistemin. Por nuk është kjo arsyeja e vetme për reformim. Sistemi nuk inkurajonte pjesëmarrjen në skemë, deklarimin real të pagës, dekurajim të pagesës së kontributeve reale dhe kthim të skemës nga skemë kontributive në skemë asistenciale. Megjithatë dua të them se efektet e reformës nuk janë afatshkurtra por afatgjata, dhe qëndrueshmëria financiare nuk do të ndodhë që vitet e para por në vazhdim.

– Çfarë do të thotë më shumë se kaq?

Vjollca Braho: – Në fakt unë jam e bindur që përmirësimet e skemës jo vetëm do të ndihen që në vitet e para duke frenuar thellimin e deficitit, por gjithashtu do të inkurajojnë pjesëmarrjen dhe kontribuimin real. Rritja e qëndrueshmërisë do të realizohet nëpërmjet rritjes së kontribuuesve, pagimit të kontributeve mbi paga reale, vazhdimit të punësimit dhe kontribuimit për një pension më të madh si dhe formalizimit të ekonomisë dhe tregut të punës.

– Sa e vështirë ka qenë për ju një ndërmarrje e tillë?

Vjollca Braho: – Reformat në çdo fushë janë të vështira, por reforma e pensioneve është akoma problematike pasi ajo ndikon në gjithë popullsinë, nga lindja e deri në fund të jetës. Duhet ruajtur një balancë e vështirë midis gjendjes financiare, të drejtave të fituara dhe të drejtave që do të lindin më pas. Duhet të parashikosh se ç’do të ndodhë në 30-50 vitet e ardhshme etj.

– Çfarë ndryshon me koeficientet e rinj të indeksimit të pagës për pension?

Vjollca Braho: – Koeficientët janë ndryshuar me qëllim aktualizimin real të pagave të realizuara më herët dhe për dhënien e një përfitimi real e të lidhur me kontributet e paguara. Kjo normë, vitet e fundit është ulur me rreth 14%. Aktualisht, si rezultat i ndryshimeve të normës së kontributit, e disa faktorëve të tjerë, koeficienti i indeksimit nuk paraqet realitetin e pagave duke dhënë si rezultat paga e pensione më të ulëta. Është parashikuar që deri në fund të vitit 2014, pagat për të gjithë pensionet e reja, që do të lidhen sipas ligjit, do të indeksohen me rritjen e pagave si një indeks më afër realitetit. Këta koeficientë janë rreth 40% më të lartë se aktualët dhe pagat e viteve të mëparshme aktualizohen dhe japin një pension më të drejtë.

– Sa ndikojnë këta koeficientë për ata që dalin në pension pas 1 janarit 2015?

Vjollca Braho: – Formula e llogaritjes së pensionit i jep një rëndësi të madhe pjesës së pensionit që llogaritet në bazë të viteve të sigurimit dhe pagave mbi të cilat janë paguar kontributet. Kjo pjesë llogaritet 1% për çdo vit sigurim të bazës së vlerësueshme që është paga mesatare kontributive e realizuar gjatë gjithë periudhës së sigurimit, e aktualizuar. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë paguar muaj pas muaji në bazë të pagës për një periudhë që është 35-40 vjet dhe gjatë kësaj periudhe të gjatë pagat kanë evoluar. Indeksimi i tyre sipas këtyre koeficienteve i vlerëson pagat e mëparshme duke i sjellë në vlerën e tanishme të tyre. Përdorimi i këtyre koeficientëve të rinj lidh në mënyrë të drejtë dhe realiste kontributet me përfitimet si dhe përmirëson ndjeshëm pensionin.

– Është parashikuar që dy llojet e pagave minimale të barazohen. Cilat kategori preken nga ky ndryshim?

Vjollca Braho: – Sot në Shqipëri ekzistojnë dy paga minimale, 19 mijë lekë dhe 22 mijë lekë në muaj, për efekt të llogaritjes së kontributeve dhe një për efekt të punësimit. Paga për efekt të llogaritjes së kontributeve është më e ulët se paga minimale që merr një i punësuar. Pas 1 janarit 2015 nuk do të ketë dy lloj pagash minimale në shkallë vendi por vetëm një, paga minimale për efekt punësimi. Ky ndryshim është propozuar për të shmangur keqkuptimet dhe keqpërdorimet si dhe për të harmonizuar pensionet sipas formulës së re. Paga minimale për efekt kontributesh është një pagë teorike dhe është përdorur për të llogaritur kontributet e të vetëpunësuarve e nga ky ndryshim do të preket kjo kategori të siguruarish. Nëse do të vazhdohej të mbaheshin dy lloj pagash, atëherë personat që paguajnë mbi pagën 19 mijë lekë do të përfitonin pension më të ulët se personat që paguajnë mbi pagën minimale prej 22 mijë lekë.

– Si do veprohet me kompensimin e çmimit të dritave e të bukës për pensionistët?

Vjollca Braho: – Të gjithë pensionistët aktualë do të vazhdojnë t’i marrin të gjitha llojet e kompensimeve në të njëjtën masë edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Pensionet e reja pas datës 1 janar nuk do të përfitojnë kompensime sepse këto janë të përfshira në llogaritje sipas formulës dhe do të jenë objekt indeksimi i përvitshëm. Për të sqaruar opinionin: aktualisht personat me pension minimal përfitojnë në formën e kompensimeve rreth 2150 lekë dhe shuma e të ardhurave që marrin është pension plus kompensime pra:12024+2150=14174 lekë. Pensionistët e rinj pas 1 janarit do të marrin të njëjtën shumë por si masë pensioni dhe jo pension plus kompensime.

– Ligji i ri parashikon rritjen e moshës së daljes në pension për gratë dhe për burrat. Përse bëhet kjo rritje?

Vjollca Braho: – Në ligj parashikohet një rritje graduale e moshës së daljes në pension për gratë nga 60 vjeç në 63 vjeç. Rritja do të jetë 2 muaj në vit dhe në moshën e përcaktuar do të dalin gratë që kanë lindur në vitin 1969 ose që mbushin moshën në vitin 2032. Kjo rritje është e moderuar dhe me një zgjatje prej 18 vjetësh. Pas vitit 2032 do të ketë indeksim të rritjes së moshës së daljes në pension për të dyja kategoritë deri në kufirin 67 vjeç, kufi që do të arrihet në vitin 2056. Kjo rritje moshe për gratë bëhet për shkak të rritjes së jetëgjatësisë si dhe faktit që mesatarisht gratë jetojnë 5 vjet më shumë se burrat.

– Pasi hiqet pensioni i parakohshëm, si rregullohet vendosja e formulës që pas 15 vjetësh merr pension për aq vite sa ke punuar?

Vjollca Braho: – Çdo kush ka të drejtë të dalë në pension të reduktuar deri në 3 vjet para moshës ligjore duke iu nënshtruar reduktimit të masës së pensionit. Ajo që është hequr si koncept është pensioni i pjesshëm. Në ligjin e ri është vetëm koncepti pension pleqërie, që llogaritet sipas formulës dhe në varësi të viteve të sigurimit. Kushti i vetëm që është ruajtur është periudha minimale e sigurimit prej 15 vjetësh. Me këtë ndryshim pensionet e personave që kanë më pak se periudha prej 35 vjetësh nuk pësojnë ulje por përkundrazi janë më të larta duke rregulluar një padrejtësi për shkak të mënyrës së llogaritjes.

– Si i parashikon ligji i ri pagesat e nënave shtatzëna dhe të raporteve mjekësore?

Vjollca Braho: – Sa i përket përfitimeve të barrëlindjes, ligji i ri përcakton të drejtat dhe kategoritë që përfitojnë. Është sanksionuar e drejta e baballarëve për përfitimin e kujdesit ndaj fëmijës. Është rritur periudha e pas lindjes për gratë nga 42 në 63 ditë. Është ndryshuar periudha e marrjes në konsideratë të pagës nga paga e vitit të fundit kalendarik në pagën e 12 muajve të fundit para lindjes së të drejtës. Tanimë llogaritja e pagesës së barrëlindjes dhe e raporteve mjekësore do të bëhet mbi bazën e pagës neto dhe jo bruto. Ky ndryshim është bërë pasi masa e përfitimit është 80% dhe me ndryshimet e sistemit të taksimit të ta ardhurave konstatohet që një person me raport mjekësor merr para më shumë se kur punon. Ky ndryshim vendos drejtësi në këtë lloj përfitimi, stimulon kthimin në punë dhe ul abuzivizmin.

– Ndryshim ka pësuar dhe skema për fshatin. Si do të llogaritjet pensioni për fermerët?
Vjollca Braho: – Skema e re në vetvete nuk krijon ndarje në pension fshati apo qyteti. Skema i trajton të gjithë pjesëmarrësit dhe llogarit përfitimet në bazë të kontributeve të paguara. Në këtë kontekst edhe të vetëpunësuarit në bujqësi trajtohen njëlloj si ata në qytet duke lidhur masën e pensionit me kontributin. Të vetëpunësuarit në bujqësi që do të kontribuojnë më shumë do të marrin pensione më të larta se ata që kontribuojnë më pak. Kjo e bën skemën më të drejtë dhe inkurajuese.

– Dixhitalizimi i regjistrimit online të personave të siguruar. Kur do të përfundojë ky projekt?

Vjollca Braho: – Krijimi i Arkivës Qendrore të Sigurimeve Shoqërore si dhe i Informatizimit të Aktivitetit të ISSH është një nga arritjet më të mëdha për të cilën jam krenare. Në kuadër të informatizimit të aktivitetit është edhe dixhitalizimi i periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Është ngritur gjithë infrastruktura për të realizuar këtë gjë dhe po punohet me ritme të shpejta. Deri tani është përfunduar dixhitalizimi për ish-KB, rreth 70% e ish-ndërmarrjeve shtetërore të para vitit 1994 dhe po fillon dixhitalizimi i periudhave të sigurimit pas vitit 1994. Kjo është një punë shumë e madhe dhe me përgjegjësi, pasi çdo e dhënë apo shifër në dokumentet në letër përkthehet në lekë që do të përfitohen dhe paguhen nga sigurimet shoqërore. Mjafton të them që bëhet fjalë për skanim dhe dixhitalizim të milionave faqe dokumentacioni të vjetër, i krijuar në kohë, jo i ruajtur mirë dhe i plotësuar me shkrim dore të cilësive të ndryshme. Megjithatë, shprehem besimplotë që ky proces do të vazhdojë dhe do të përfundojë brenda një periudhë optimale.

  •  admin
  •  

 Intervistë e Drejtores së Përgjithshme të ISSH, znj. Vjollca Braho, në gazetën “Panorama”, faqe 6 – 7, datë 10 nëntor 2014.

 Drejtoresha e ISSH, Vjollca Braho, sqaron përfitimet nga falja e kamatave e gjobat për të blerë vitet e pensionit. Tabela me pagesat nga 1993.

Minatorët do të jenë kategoria e parë e profesioneve të vështira që do të trajtohen në mënyrë të diferencuar nga qeveria dhe do të përfitojnë më herët pensionin.

Ndryshimet e fundit ligjore parashikojnë uljen e moshës së daljes në pension për këtë kategori nga 60 vjeç që është aktualisht, në 55 vjeç. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, në një intervistë për gazetën sqaron se përfituesit e parë të ndryshimeve ligjore janë 3740 minatorë. Ajo sqaron se është ulur edhe periudha e sigurimit nën tokë, ku nga 15 vjet që ishte më herët, pra gjysma e kohës së plotë të sigurimit, tashmë kjo periudhë duhet të jetë jo më pak se 12.5 vjet, ndërkohë që masa e pensionit ndryshon dukshëm edhe për ata që sot janë me trajtim të veçantë që nga viti 2001. Por, ISSH do të jetë zbatuesi edhe i një ndryshimi tjetër ligjor që fal kamatëvonesat për periudhën e sigurimit për të vetëpunësuarit në bujqësi. Të gjithë ata që kanë vite të pasiguruara nga viti 1993 deri në vitin 2014 mund të blejnë këto periudha sigurimi pa paguar kamatëvonesa, por vlerën e parë të sigurimit. Afati për të blerë këtë periudhë është deri në fund të dhjetorit të këtij viti. Gazeta boton të plotë tabelën e pagesës për të blerë vitet e punës që nga viti 1993 deri sot.

Me ligjin e ri, janë rreth 3740 minatorë që preken nga ndryshimi i moshës. Kush janë përfitimet përveç uljes së moshës?

Me ligjin e ri të miratuar para disa ditësh, është përcaktuar dalja në pension pleqërie për minatorët i cili ul moshën e daljes në pension për këtë kategori nga 60 vjeç në 55 vjeç. Personat që përfitojnë këtë ulje moshe duhet të plotësojnë kushtin e vjetërsisë në punë e cila është 30 vjet vjetërsi pune ose periudhë sigurimi nga të cilat 12 vjet e 6 muaj duhet të jenë punë nën tokë. E theksoj faktin që puna në minierë duhet të jetë detyrimisht nën tokë pasi ka edhe punë dhe profesione në minierë që realizohen mbi sipërfaqe. Përfitimet përveç uljes së moshës janë ulja e periudhës së punës nëntokë nga 15 vjet aktualisht në 12.5 vjet që është një ulje e konsiderueshme dhe rrit numrin e përfituesve sipas këtij ligji. Tjetër përfitim është për kategorinë e ish minatorëve që përfitojnë trajtim të veçantë si punonjës të nëntokës. Aktualisht, janë rreth 3600 ish minatorë që përfitojnë këtë trajtim të veçantë nga viti 2001 dhe ky trajtim është përfituar me një vjetërsi totale prej 23 vjetësh dhe me vjetërsi pune nën tokë prej 11.5 vjetësh. Për këtë kategori është parashikuar në ligj që me mbushjen e moshës 55 vjeç, kanë të drejtë të kalojnë në pension pleqërie edhe pse nuk plotësojnë kushtin prej 12.5 vjetësh nën tokë. Vlen të theksohet se ky numër është I madh dhe masa e përfitimit të tyre rritet nga 5000 -10000 lekë në muaj.

Çfarë duhet të bëjë një minator për të përfituar nga ligji i ri? I duhen dokumenta shtesë?

Për të përfituar këtë pension duhet të paraqiten të gjitha dokumentat e kërkuara për pension pleqërie si deri më tani. Nga ana jonë do të verifikohet saktësia dhe vërtetësia e këtyre dokumentave të paraqitura sipas përcaktimit të rregullores për pensionet dhe në veçanti puna e realizuar nëntokë, pasi kjo periudhë pune bën diferencën dhe jep privilegjin e daljes parakohe në pension me 10 vjet më herët se kategoritë e tjera të punës.

Po minatorët që janë aktualisht në pension, përfitojnë nga ndryshimi?

Siç e shpjegova me sipër, nga ky ligj do të përfitojnë të gjithë ish-minatorët që janë në trajtim të veçantë që kanë mbushur ose mbushin moshën 55 vjeç. Ndërsa përsa I përket ish minatorëve që tashmë gëzojnë statusin e pensionistit, ky ligj nuk ka ndikim. Kjo për faktin se në ligjin e pensioneve actual dhe të ligjit që hyn në fuqi në 1 Janar 2015 është shprehur qartë që pensionet  e caktuara nuk janë objekt ndryshimesh por vetëm objekt I indeksimit të përvitshëm për të ruajtur aktualitetin e ndryshimeve të çmimeve.

Qeveri ka miratuar një tjetër ligj, atë të faljes së kamatvonesave dhe gjobave për të blerë vitet e sigurimit. Kush për fiton nga ky ndryshim?

Më lejoni të bëj një saktësim, ligji që po pyesni, fal kamatvonesat për kontributet e sigurimeve shoqërore vetëm për të vetëpunësuarit në bujqësi ose për fermerët dhe nuk fal gjoba të vendosura për kategori të tjera. Të vetëpunësuarit në bujqësi kanë një specifikë si në masën e kontributit që paguajnë, procedurave të mbledhjes ashtu edhe në blerjen e periudhave të mëparshme. Masa e kontributit për të vetëpunësuarit në bujqësi është një masë fikse, e cila përcaktohet çdo vit. Kjo masë është ndjeshëm më e ulët se kontributi që paguajnë të vetëpunësuarit urbanë ose ata që zhvillojnë aktivitetit në qytete. Të vetëpunësuarit kanë detyrimin që t’i derdhin këto kontribute mbi bazë tremujori dhe për mospagesë në afat aplikohen kamatvonesa të miratuara me ligj. Një veçori tjetër është që fermerët kanë të drejtën e pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqëore edhe për periudhat e kaluara me të njëjtën masë që ka qënë në vitin që do të paguajë plus kamatvonesat e llogaritura deri në momentin që paguhet. Pra, fermerët përveç privilegjit që paguajnë në masë më të ulët se të siguruarit e tjerë, kanë edhe privilegjin e pagimit të periudhave të kaluara me të njëjtën masë plus kamatvonesat. Për ta ilustruar këtë që sapo thashë, psh një fermer ka të drejtë të paguajë sigurimet e vitit 1994 me masën e atij viti që për zonat fushore është 1620 lekë dhe zonat malore 982 lekë në vit plus kamatvonesat. Megjithë aplikimin e kamatvonesave përsëri shuma që duhet të paguhet është shumë e ulët. Me faljen e kamatvonesave fermerët kanë të drejtë të blejnë psh vitin 1994 me 1620 lekë që është një shumë e papërfillshme, ndërkohë që një I vetëpunësuar në qytet paguan vetëm për një muaj afërsisht 5000 lekë.

Nga ky ligj, përfitojnë të gjithë fermerët që kryejnë aktivitet bujqësor dhe blegtoral dhe nuk kanë paguar kontributet ne vitet  e mëparshme. Pra, kjo është një mundësi e shkëlqyer për të plotësuar vitet e sigurimit për një pension në mbushjen e moshës.

Cfarë dokumentash duhen për të blerë vitet e punës?,

Kriteret për të përfituar  nga falja janë:

Fermerët duhet të jenë banorë të fshatit ose të nënqarkut ku kanë aktivitetin, të kryejnë aktivitet bujqësor apo blegtoral, të kenë tokë në pronësi apo me qera. Dokumentat që duhet të paraqisin janë: një dokument që vërteton që janë banorë të komunës apo nënqarkut ku kryhet aktiviteti bujqësor apo blegtoral, dokument të pronësisë të tokës si dokument hipotekor ose dokumentat e ndarjes së tokës sipas ligjit 7501, kontratë qeraje të tokës që kryejnë aktivitetin, një vërtetitm nga organet e pushtetit local që kryejnë ose kanë kryer aktivitet bujqësor apo blegtoral. Të gjitha këto dokumenta dorëzohen pranë inspektorit të sigurimeve shoqërore pranë çdo komune apo agjensie të sigurimeve shoqërore, të cilët pasi kontrollojnë rregullshmërinë dhe saktësine e tyre e pajisin fermerin me një dokument ku përcaktohet periudha e sigurimit dhe shuma që do të paguhet për këtë periudhë. Me këtë dokument fermeri kryen pagesën në degët e bankave të nivelit të dytë ose prane zyrave të Postës Shqiptare. Pas pagesës pajisen nga ana e inspektorit me dokumentin përkatës që vërteton pagesë e kontribuetit krahas mandat pagesës që vetë fermeri ka nga banka ose zyra postare. Duke shfrytëzuar këtë intervistë, këtë të drejtë e kanë edhe ata qytetarë që nuk jetojnë në fshat aktualisht por që kanë lëvizur drejt zonave urbane, por vetëm për atë periudhë që kanë jetuar dhe punuar në fshat. Psh, nëse një qytetar ka jetuar dhe punuar në tokën e vet deri në vitin 2000 dhe më pas është zhvendosur në një zonë urbane psh në Tiranë, ka të drejtë të paguajë kontributet si I vetëpunësuar në bujqësi nga 1 tetori 1993 deri në datën që ka ndryshuar vendbanimin në qytet. Krahas dokumentave që përshkrova më lart, qytetari duhet të paraqesë një çertefikatë nga gjendja civile ku të jetë shënuar qartë data e ndryshimit të vendbanimit nga fshati në zonë urbane. E rëndësishme për qytetarët është që të mos paguajnë kontribuete për periudhat që nuk kanë qënë banorë të fshatit dhe skanë kryer aktivitet bujqësor ose blegtoral pasi këto periudha janë objekt verifikimi dhe nuk do tju njihen si periudha sigurimi për përfitime.

Po ato kategori që i kanë blerë më parë vitet gjatë këtij viti, a përfitojnë rimbursim nga ligji i ri?

Për të gjithë personat që kanë blerë periudha të mëparshme duke paguar kamatvonesat nuk do të ketë efekt apo rimbursim të kamatvonesave. Efektet e ligjit nuk janë prapavepruese.

Kjo falje kamatvonesash është në përputhje me ligjin e ri dhe reformën e pensioneve tashmë të miratuar?

Në reformën e pensioneve që fillon zbatimin në fillim te vitit të ardhshëm është përcaktuar që mënyra e llogaritjes së pensioneve të fshatit është e njëjtë me pjesën tjetër të të siguruarve dhe nuk ka dy lloj skemash si deri më sot. Gjithashtu, është përcaktuar që masa e kontributit të fermerëvee do të rritet çdo vit deri në barazimin me të vetëpunësuarit në qytet në vitin 2018. Është sanksionuar e drejta e blerjes së periudhave të kaluara por jo më me masën e vitit që sigurohet  por me masën e kontributit që është në vitin që paguhet. Kështu, nëse në vitin 2015 një fermer do të paguajë për vitin 1994 masa që do të paguajë nuk është 1620 lekë plus kamatvonesat por masën që është në vitin 2015. Për tju kthyer pyetjes Tuaj, kjo falje është në fuqi deri në 31 dhjetor 2014 dhe është një mundësi e fundit për fermerët për të siguruar vitet e nevojshme për pension me kuota preferenciale. Kjo falje do tju japë mundësi fermerëve për të siguruar një pension më të lartë sipas skemës së re dhe nuk bie ndesh me reformën e pensioneve. Do të theksoja që është një dhuratë shumë e mirë të cilën të gjithë fermerët duhet ta shfrytëzojnë pasi pas datës 31 dhjetor nuk do ta kenë më mundësinë të blejnë periudha me çmime të ulëta. Falja e kamatvonesave për fermerë që duan të blejnë periudha nga 1.10.1993 deri në 31.12.2014 është rreth 121000 lekë për zonat fushore dhe rreth 80000 lekë për zonat malore.

Ju përmendët më sipër zona fushore dhe zona malore. A mund të na thoni kush rrethe përfshihen në zonën malore dhe kush në zonën fushore?

Në zonën malore që ka edhe masë kontributi më të ulët përfshihen sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave rrethet, Tepelenë në rajonin Gjirokastër, Kolonjë në rajonin Korçë, Librazhd dhe Gramsh në rajonin Elbasan, Mirditë në rajonin Lezhë, Pukë dhe Malësi e Madhe në rajonin Shkodër, Skrapar në rajonin Berat, gjithë rajoni Dibër me rrethet Peshkopi, Mat dhe Bulqizë, gjithë rajoni Kukës me rrethet Kukës, Has dhe Tropojë. Të gjithë rrethet e tjera përfshihen në zonën fushore

A është bërë gati sistemi I ri për llogaritjen e pensioneve në janar?

Me miratimin e ligjit në Kuvend nga ana e ISSH janë përgatitur Projekt vendimet e Këshillit të Ministrave që duhet të dalin në zbatim të ligjit dhe do të miratohen së shpejti. Gjithashtu, janë hartuar dhe po punohet fort për rregulloret dhe udhëzimet e nevojshme për zbatimin korrekt të reformës. Është hartuar një plan trajnimi për të gjithë punonjësit e sigurimeve shoqërore për reformën dhe në janar të vitit të ardhshëm jemi plotësisht gati për zbatimin  korrekt dhe të shpejtë të ligjit të ri.

 Masa e kontributit per cdo vit sipas zonave

Nr.

Vitet

Masa vjetore e kontributit për t`u paguar   (leke)

Zona fushore

Zona malore

1

1993

                                405                                                      243

2

1994

                                1,620                                                      972

3

1995

                                1,620                                                      972

4

1996

                                1,620                                                      972

5

1997

                                1,620                                                      972

6

1998

                                1,620                                                      972

7

1999

                                1,620                                                      972

8

2000

                                1,620                                                      972

9

2001

                                1,620                                                      972

10

2002

                                3,890                                                      2,335

11

2003

                                5,215                                                      3,592

12

2004

                                6,951                                                      4,790

13

2005

                                7,820                                                      5,390

14

2006

                                9,455                                                      6,223

15

2007

                                10,000                                                      6,500

16

2008

                                12,000                                                      7,800

17

2009

                                13,600                                                      8,840

18

2010

                                15,840                                                      10,296

19

2011

                                19,440                                                      12,636

20

2012

                                24,300                                                      17,220

21

2013

                                28,250                                                      21,483

22

2014

                                31,250                                                      23,959
 

Periudha e paguar 21 vjet e 3 muaj

             201,376       139,083
  •  admin
  •  

Të ardhurat nga kontributet në vitin 2013 u arkëtuan me një vlerë prej 51 390 milionë lekësh dhe numri mesatar vjetor i kontribuesve arriti në 561 169 persona, me një rritje ndaj vitit 2012 për rreth 11 069 persona.  Ndërkohë, për periudhën janar – shtator 2014, të ardhurat nga kontributet jo vetëm që u realizuan, por u konstatua dhe një tejkalim për më shumë se 1 miliard lekë. Tejkalimi i të ardhurave në vlerë u shoqërua me rritje të numrit të kontribuesve ndaj vitit 2013 për rreth 43 000 persona.

Puna më e mirë në zbulimin dhe zbardhjen e evazionit të kontributeve, rritja e punësimit nëpërmjet programeve në drejtim të nxitjes së tij, kushtet më të favorshme të zhvillimit të biznesit, si dhe falja e kamatëvonesave të kontributeve të personave që janë të vetëpunësuar në bujqësi, bënë të mundur jo vetëm rishikimin në rritje të programit të të ardhurave të vitit 2015, por dhe rritjen e pjesëmarrjes dhe numrit të kontribuesve, në skemën e sigurimeve shoqërore, për vitin 2014.

Bazuar në këto të dhëna, në fund të vitit 2014, të ardhurat nga kontributet parashikohet të realizohen në shumën mbi 55 130 milionë lekë, me një rritje rreth 7.3 % ndaj vitit 2013, ose me një tejkalim me mbi 3740 milionë lekë. Nga raportimet e agjentëve konstatohet se numri i kontribuesve pret një rritje të ndjeshme, si në bizneset jobujqësore, ashtu edhe në të vetëpunësuarit në bujqësi. Vetëm në 10 ditët e fundit, nga data e miratimit në Kuvend të Ligjit të Faljes së Kamatëvonesave të kontributeve të personave të vetëpunësuar në bujqësi, janë mbledhur mbi 457 milionë lekë, duke bërë të mundur realizimin e programit vjetor të të ardhurave nga këto subjekte.

Shkarko në PDF Ligjin nr 153/2014 “Për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi

Derdhja e kontributeve vazhdon me ritme të larta dhe krahas tyre është rritur dhe pjesëmarrja në skemë. Mbështetur në këto të dhëna, numri i kontribuesve në fund të vitit 2014 parashikohet të arrijë në rreth 642,5 mijë persona, me një tejkalim prej mbi 81 352 kontribues, në krahasim me vitin 2013.

  •  admin
  •  

Intervistë e Drejtoreshës së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho, dhënë në gazetën “Panorama”, të datës 26 dhjetor 2014

Kanë mbetur edhe pak ditë nga fundi i vitit dhe fundi I amnistisë për pensionet? Sa vetë kanë përfituar  nga kjo amnisti?

Është e vërtetë që kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të afatit të faljes së kamatvonesave për kontributet e sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe këto ditë të mbetura duhet të shfrytëzohen maksimalisht nga të interesuarit për të blerë periudhat e kaluara me kuotat e viteve përkatëse. Interesimi për tu siguruar është shumë lartë dhe nga ana jonë po punohet me orare të zgjatura edhe në ditët e pushimit me qëllim krijimin e lehtësirave për fermerët. Si rezultat I punës intensive në terren  të dhënat tona janë operative dhe nuk mund të deklarojmë një numër të saktë pa u mbyllur viti por ajo që mund tju siguroj është se numri është I lartë  dhe interesi në këto ditë është po ashtu  shumë I lartë. Për të ilustruar këtë gjë mjafton tju them se vetëm në një ditë janë paguar mbi 300 milionë lekë që është afërsisht sa plani I një muaji për këtë  kategori.  Të ardhurat e realizuara për muajin dhjetor deri më  datën 25, janë 2.94 miliardë lekë nda 491 milionë të planifikuar ose 598 përqind ndërsa realizimi vjetor deri në këtë datë është 5.87 miliardë nga 2.95 miliardë të planifikuara ose 199 përqind.  Nga ana jonë janë kontaktuar derë më derë mbi 110 mijë fermerë dhe pritshmëria deri në fund të vitit është për një rritje të numrit të të siguruave.

Sa kushton për një të punësuar blerja e një viti pune?

Më lejoni të bëj një sqarim në lidhje me faljen e kamatvonesave. Edhe në pyetjen tuaj por edhe nga kontaktet që kemi me qytetarët shpesh ngatërrohet falja e kamatvonesave. Kjo falje vlen vetëm për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe jo për kategoritë e tjera të të punësuarve. Pra, të drejtën për të blerë periudha të kaluara me kuotën e vitit dhe pa paguar kamatvonesat e kanë vetëm të vetëpunësuarit në bujqësi për vetë veçorinë që ata kanë. Kjo kategori ka të drejtën e blerjes së periudhave të kaluara me kuotën e vitit duke paguara edhe kamatvonesat përkatëse të përcaktuarë në ligj në çdo kohë që ata munden. Ligjji ifaljes ju jep mundësinë e e mospagimit te kamatvonesave dhe pagimit vetëm të kuotës përkatëse. Në lidhje me pyetjen se sa është kuota për një vit, kuotat janë të ndryshme për çdo vit dhe nga viti 1994 deri në 2001 është për zonat fushore vetëm 1620 lekë dhe për zonat malore 980 lekë në vit. Në vitin actual është 33000 lekë në vit për zonat fushore dhe 25 300 mijë për zonat malore. Siç shihet nga këto kuota është shumë e leverdisshme pagimi I kontributeve sidomos në kuadër të reformës së re të pensioneve që lidh masën e pensioneve me kontributet e paguara. Një arsye tjetër se përse duhet të paguhen deri në fund të vitit është edhe fakti që duke filluar  nga janari I vitit të ardhshëm e drejta e blerjes së viteve të mëparshme do të ekzistojë por me kuotën e vitit pra me 33000 mijë lekë për zonat fushore dhe 25300 për zonat malore.

Deri sa vite mund të blihen me këtë falje?

Çdo i vetë punësuar që plotëson kushtet për këtë lloj sigurimi mund të blejë të gjithë vitet që I ka të pasiguruara që nga data 1 tetor 1993 deri në 31 dhjetor 2014. Pra, për personat që nuk janë siguruar kanë të drejtën të paguajnë 21 vite e tre muaj me një vlerë prej rreth 200 mijë lekësh për zonat fushore dhe 140 mijë lekë për zonat malore. Vlera e falur e kamatvonesave është rreth 120 mijë lekë për fermerët e zonave fushore dhe rreth 80 mijë për fermerët e zonave malore.

Cfarë dokumentash duhen të paraqiten për të përfituar faljen dhe ku duhet të drejtohen fermerët?

Dokumentat që duhen për të përfituar këtë falje janë një document që vërteton pasjen në pronësi të një toke bujqësore të dhënë sipas ligjit 7501 ose të blerë, kontratë qeraje  për marrjen e tokës, një document nga gjendja civile që vërteton që je banor I rrethit në të cilën është personi ka tokën si dhe një vërtetim nga pushteti local që vërteton që është kryer aktivitet bujqësor ose  blegtoral. Të gjitha këto dokumenta duhet të paraqiten pranë inspektorëve të sigurimeve shoqërore  që janë në çdo komunë të cilët janë në punë gjatë githë ditës me orar të zgjatur. Inspektorët pas verifikimit të dokumentacionit, lëshon një document që quhet urdhër veprimi I cili përmban gjeneralitetet dhe shumën që duhet të paguhetdhe vitet për të cilat paguhet. Me këtë document fermeri kryen pagesën pranë bankave të nivelit të dytë ose sporteleve të postës shqiptare. Në asnjë rast punonjësit e sigurimeve shoqërore nuk arkëtojnë vetë para por vetëm administrojnë dokumentat dhe mandate pagesat. Duke shfrytëzuar këtë intervistë ju bëj thirrje të gjithë fermerëve që të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore pa kamatvonesë sepse është një mundësi e shkëlqyer. Gjithashtu, tëgjithë qytetarët që nuk plotësojnë kushtet për të paguar sit ë vetëpunësuar në bujqësi të mos tentojnë të paraqisin dokumenta të pavërteta apo të paguajnë kontribuete pasi këto contribute nuk do të merren në konsideratë për dhënien e përfitimeve nga sigurimet shoqërore.

Kush është ndryshimi pas datës 1 janar? Sa më shumëdo të paguhet?

Ndryshimi i vetëm pas datës një janar është masa e kontributit që do të paguhet. Masaqw do tw paguhet pas kësaj date do të jetë sa masa që është në fuqi në momentin e pagimit. Nwsw do tw paguhet psh viti 1994 pas 1 janarit shuma  është 33000 për zonat fushore dhe 25300 për zonat malore në vit. Diferenca për vitet e kaluara është e qartë. Nëse deri më 31 dhjetor 21 vjet e 3 muaj në zonat fushore mund të blihen me 200 mijë lekë, pas janarit kjo shumë do të jetë rreth 700 mijë lekë. Nëse një fermer nuk arrin të paguajë për të blerë vitet e kaluara, cfarë  ndodh pas 1 janarit?

Nëse një fermer nuk paguan deri në fund të vitit, do të humbë një mundësi të artë për të përfituar një pension të mirë me një investim të vogël. Pas 1 janarit nuk I humbet e drejta e blerjes së viteve të mëparshme por kostoja do të jetë më e lartë mbi tre herë në krahasim me sivjet. Më lejoni të shpjegoj, që falja e kamat vonesave nuk është bërë për të mbledhur disa para më shumë pasi nga pikpamja ekonomike nuk është në leverdi të skemës sepsë çdo pagesë e ulët do të kthehet në pension në të ardhmen. Kjo falje është bërë për tju ardhur në ndihmë fermerëve që të sigurohen dhe të perfitojnë pensione të qënësishme në të ardhmen. Parë në këtë këndvështirim ata duhet të paguajnë sot në kuota shumë të ulëta që të sigurojnë një jetë normale në moshën e tretë.

Cila është thirrja e fundit që ju dëshironi ti bëni fermerëve?

Thirrja ime për këto ditë që kanë mbetur nga kjo falje është që të nxitojnë të paguajnë kontributet sepse ato do tju kthehen disa fish në të ardhmen në formën e pensionit. Sepse mosha e pensionit vjen shumë shpejt dhe kur ajo të vijë nuk do të kenë mundësi të rrisin masën e pensionit të tyre. Gjithashtu, ju bëj me dije se punonjësit e sigurimeve shoqërore do të jenë në dispozicion të tyre deri në datën 31 dhjetor  pa orar dhe të gatshëm për tju ardhur në ndihmë me konsultime, shpjegime të nevojshme dhe ndihmë për pagimin e kontributeve.

  •  admin
  •  

Intervistë e N/Drejtorit të Përgjithshëm të ISSH-së, z. Astrit Hado, dhënë në Gazetën Shqiptare të datës 08 janar 2015

Një person me pagë minimale dhe me periudhë sigurimi 35 vjet sipas skemës së vjetër do të merrte pension në masën 12 264 lekë, ndërsa sipas skemës së re, masa e pensionit është 14 500 lekë”. Shpjegimi vjen nga nëndrejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” shpjegon funksionimin e skemës së re të pensioneve, që hyri në fuqi në datën 1 janar 2015 si dhe përfitimet që do të kenë kategori të ndryshme nga zbatimi i saj. Gjithashtu, Hado e vë theksin te rritja e koeficientëve të indeksimit të pagave pas vitit 1994, të cilët sipas tij janë rreth 40% më të lartë, çka do të ndikojë direkt në rritjen e masës së pensioneve që do të përllogariten me skemën e re.

Z. Hado, cilat janë ndryshimet midis skemës së vjetër dhe skemës së re përsa i përket mënyrës së llogaritjes së pensioneve? Mund ta ilustroni me një shembull?
Në thelb skemat nuk kanë ndryshime të mëdha, pasi edhe sipas reformës së ndërmarrë, sistemi i sigurimeve shoqërore vazhdon të funksionojë mbi bazën e parimit të solidaritetit midis brezave dhe të rishpërndarjes. Ndryshimet janë në parametra dhe jo në sistem. Janë ndryshuar parametrat e skemës duke e bërë atë më të drejtë dhe më atraktive për pjesëmarrje reale, pra kontribuim deri në moshën e pensionit si dhe paga reale. Të gjitha ndryshimet parametrike kanë për qëllim që pensioni të jetë i merituar, i drejtë, t’u përgjigjet kontributeve të paguara dhe të japë një masë më të madhe se skema e vjetër. Përsa i përket mënyrës së llogaritjes së pensioneve, është ruajtur e njëjta formulë, por është ndryshuar raporti që zënë pjesët e pensionit duke i dhënë më shumë peshë pjesës që rezulton nga vitet e sigurimit dhe pagës në ndryshim me skemën e mëparshme, ku pjesa fikse kishte peshë më të madhe. Gjithashtu, janë hequr të gjitha kufizimet e masës së pensionit duke bërë të mundur pagimin e pensionit real të llogaritur mbi bazën e kontributeve dhe jo të shumave fikse të përcaktuara administrativisht. Është hequr tavani i pensionit maksimal, duke mos e kufizuar atë dhe për herë të parë do të paguhen pensione mbi këtë tavan. Janë përmirësuar llogaritja e pensioneve që kanë më pak se 35 vjet periudhë sigurimi, duke dhënë një pension më të mirë sipas skemës së re dhe eliminimin e reduktimit të dyfishtë që ka qenë me skemën e mëparshme. Nëse do të marrim një shembull për një person me pagë minimale dhe me periudhë sigurimi 35 vjet, sipas skemës së vjetër, masa e pensionit është sa pensioni minimal prej 12 264 lekë, ndërsa sipas skemës së re masa e pensionit është 14 500 lekë. Nëse ky person ka periudhë sigurimi më shumë se 35 vite, le të themi 40 vite, sipas skemës së vjetër masa e pensionit është po minimale 12 264 lekë, ndërsa sipas skemës së re masa është 16 427 lekë, pra dukshëm më i lartë. E njëjta gjë vlen edhe për pagat mesatare apo maksimale. Masat e pensionit janë më të larta se skema e pensioneve edhe për shkakun e përmirësimit dhe rritjes së indekseve të pagave të kaluara. Koeficientët janë rritur me rreth 40%, duke dhënë një pagë mbi të cilat llogaritet pensioni rreth 40% më i lartë.

Kush preket nga ndryshimi i ligjit?
Efektet e këtij ligji janë vetëm për personat që plotësojnë kushtet për pension, duke filluar nga data 1 janar e në vazhdim dhe nuk ka asnjë efekt mbi pensionistët aktualë. Pensionistëve aktualë u ruhen të gjitha të drejtat e fituara dhe do të indeksohen përfitimet sipas indeksit të inflacionit. Por ky ligj ka efekt edhe te të rinjtë që janë larg mbushjes së moshës së pensionit. Te kjo kategori ndikimi është afatgjatë, pasi duhet të mendojnë që tani për kohën e pleqërisë dhe pagimin e kontributeve për të siguruar një pension të qenësishëm në të ardhmen.
Cilat kategori do t’i ndjejnë efektet e kësaj reforme dhe kush penalizohet?
Të gjithë personat që do të dalin në pension do t’i ndjejnë efektet e kësaj reforme. Kjo për faktin se do t’u llogaritet në pension çdo lek i paguar si kontribut dhe duke i dhënë hakun secilit në bazë të kontributit. Efektin më të madh do ta kenë personat që kanë kontribuar më shumë si në vite, ashtu edhe në pagë, kjo për faktin e eliminimit të tavanit të sipërm të pensionit. Ndikim do të ketë edhe te pensionet e fshatit, pasi tanimë është e njëjta mënyrë llogaritjeje pensioni si për fshatin dhe qytetin dhe të njëjta kritere. Një nga efektet e kësaj reforme është edhe shtyrja e daljes në pension për gratë me dy muaj për çdo vit deri në arritjen e moshës 63 vjeç në vitin 2032.

Ju përmendët që efekte do të ketë edhe te të rinjtë. A do të ketë rritje të kontributit?
Norma e kontributit është e pandryshuar dhe ajo do të vazhdojë të jetë 24.5% e pagës bruto, por jo më shumë se paga maksimale e përcaktuar. Pra, nuk do të ketë rritje të barrës kontributive. Është rritur paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore, duke e barazuar atë me pagën minimale në shkallë vendi për efekt punësimi. Duke filluar nga një janari paga minimale është 22 000 lekë nga 19406 lekë që ka qenë. Kjo rritje page do të ketë efekt vetëm për kategorinë e të vetëpunësuarve, që llogarisin dhe paguajnë kontributet mbi pagën minimale. Por, është hequr përcaktimi që paga maksimale është sa pesëfishi i pagës minimale dhe për këtë arsye paga maksimale për këtë vit është e njëjtë me pagën maksimale të vitit të kaluar, 97 0360 lekë. Ka një keqkuptim edhe në media, që citohet që paga maksimale për pagimin e kontributeve do të jetë 110 000 lekë, pasi nuk marrin në konsideratë heqjen e përcaktimit paga maksimale është sa pesëfishi i pagës minimale. Rritja e pagës minimale u bë për të shmangur diskriminimin në masën e pensionit për të vetëpunësuarit në krahasim me të punësuarit. Gjithashtu, të vetëpunësuarit kanë të drejtën që në bazë të të ardhurave të tyre të kontribuojnë me paga deri në nivelin e pagës maksimale, gjë që nuk ishte e mundur me skemën e vjetër, duke i nxjerrë në pension me pension minimal.

Në ligj është rritur edhe vjetërsia e punës nga 35 vjet në 40 vjet. Çfarë ndikimi do të ketë kjo rritje?
Është e vërtetë që është rritur me nga 4 muaj për çdo vit periudha e sigurimit, por heqja e konceptit pension i plotë apo i pjesshëm e bën të pavlefshëm këtë rritje. Arsyeja e rritjes së periudhës së sigurimit është bërë për të forcuar kriterin e daljes në pension të parakohshëm si dhe për të unifikuar legjislacionin vendas me atë të vendeve të tjera për efekt të marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes shoqërore. Ka një efekt kjo rritje në masën e shumës bazë të pensionit në formulë, por efekti që jep në pjesën që llogaritet nga kontributet është ndjeshëm më i madh se ulja e shumës bazë.

A është ISSH gati për zbatimin e kësaj reforme dhe më konkretisht për dhënien e pensionit social për ata që nuk kanë pension dhe janë mbi 70 vjeç?
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është një institucion i konsoliduar me të gjitha kapacitetet teknike dhe menaxheriale për të implementuar çdo lloj reforme apo politike në fushën e sigurimeve shoqërore. Eksperienca e akumuluar deri më tani në implementim politikash si dhe fakti që ISSH ka qenë një aktor tepër aktiv në hartimin e kësaj reforme janë një garanci e madhe. Në këtë kuadër janë marrë të gjitha masat administrative, trajnimet e stafit si dhe infrastruktura e nevojshme për implementimin me sukses të reformës. Të gjithë personat që nuk përfitojnë pension nga skema e detyrueshme, janë rezidentë në Shqipëri për të paktën 5 vitet e fundit të paraqiten pranë agjencive të sigurimeve shoqërore, të dorëzojnë kërkesën dhe dokumentet e kërkuara dhe do të marrin pensionin social.

  •  admin
  •  

Intervistë e Drejtoreshës së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho, dhënë në gazetën “Panorama”, të datës 30 janar 2015

Qeveria miratoi vendimin për Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kjo si kusht për zbatimin e reformës së re të pensioneve. Cilat janë kategoritë që përfitojnë apo detyrohen të paguajnë sigurime?

Vendimi që është miratur në mbledhjen e fundit të Qeverisë është një vendim në zbatim të Ligjit të sigurimeve shoqërore dhe Ligjit për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ekziston një Vendim i Këshillit të Ministave me numër 1114, që trajton të gjitha çështjet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i cili ka qenë në fuqi deri në këtë moment. Vendimi i miratuar së fundmi është në këtë linjë dhe në vetvete ka përfshirë edhe aspektet e reformës së re të pensioneve. Ky vendim përmbledh të gjitha çështjet në zbatim të reformës së re dhe të ligjeve ekzistuese përsa i përket përfitimeve dhe kontributeve që do të paguhen për të gjitha kategoritë, pra në thelb është një shpjegim i detajuar i ligjit për efekt të zbatimit të tij nga administata e sigurimeve shoqërore, administrata tatimore dhe subjektet e ndryshme që preken nga këto ligje.

Në vendim është përcaktuar që paga për efekt të llogaritjes së pensioneve, do të jetë e barbartë me pagën minimale prej 22 mijë lekësh. Në vendimin e mëparshëm kjo pagë, ka qenë 19 406 lekë. Cilat kategori preken nga ky ndryshim?

Në ligjin e ri, që është tashmë në fuqi për sigurimet shoqërore, është përcaktuar që paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore është e barabartë me pagën minimale për efekt punësimi të përcaktur nga Këshilli i Ministrave. Nisur nga ky përcaktim në Shqipëri ekziston vetëm një pagë minimale dhe jo dy si më parë dhe kjo pagë është 22 000 lekë në muaj. Të vijmë tek pyetja juaj, nga ky unifikim preken kategoria e të vetëpunësuarve, të cilët para hyrjes në fuqi të ligjit dhe të vendimit, kontributet e sigurimeve shoqërore i llogarisnin dhe i paguanin mbi pagën minimale prej 19 406 lekë. Ky ndryshim është bërë për faktin e unifikimit të pagës minimale në shkallë vendi, barazimin e pensionit për të gjithë kategoritë që paguajnë kontribute me pagë minimale për të shmangur diskriminimin midis të punësuarve dhe të vetëpunësuarve, si dhe për të unifikuar praktikat e mbledhjes së kontributeve dhe llogaritjes së pensioneve.

Sa do të jetë pagesa për të vetëpunësuarit në veprimtari tregtare ose ambulantët?

Vendimi i porsamiratuar, përveç përcaktimit të pagës minimale ka përcaktuar edhe pagën maksimale mbi të cilën llogariten dhe paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore, e cila ëshë 97 030 lekë dhe jo si me ligjin e vjetër sa pesëfishi i pagës minimale. Në këtë vendim është përcaktuar edhe shuma e kontributit minimal që duhet të paguajnë personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant dhe personat që punojnë si punëtorë shtëpie. Më konkretisht kontributi minimal për këtë kategori është 4 070 lekë në muaj, i ndarë në sigurime shoqërore në masën 2 750 lekë dhe në sigurime shëndetësore në masën 1 496 lekë. E rëndësishme të theksohet për këtë përjashtim është fakti që përfitojnë ata persona që kryejnë aktivitet të përkohshëm e të vijueshëm, por që nuk kanë një vendqëndrim të përcaktuar, veprimtari të përkohshëm me ndërprerje gjatë javës dhe pa vendqëndrim të përcaktuar, veprimtari tregtare me tezga ose veprimtari transporti me ndërprerje gjatë javës. Kategoritë e vetëpunësuara me vazhdimësi aktiviteti dhe vendqëndrim të përcaktuar (të përhershëm) përjashtohen nga pagimi si ambulantë dhe do të paguajnë si të gjithë të vetëpunësuarit e tjerë.

Në vendim flitet edhe për ata që punojnë në ndërmarrjet Fason. Sa do të jenë kontrbutet për këtë kategori?

Të punësuarit në ndërmarrjet fason janë si të gjithë të punësuarit e tjerë dhe do të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore njëlloj si të gjithë të punësuarit, pra 24.5 % të pagës bruto deri në nivelin e pagës maksimale si kontribut të sigurimit shoqëror dhe 3.4 % të pagës bruto si kontribut të sigurimit shëndetësor dhe jo më pak se paga minimale në shkallë vendi që është 22 000 lekë. Në këtë vendim nuk parashikohet ndonjë ndryshim nga të punësuarit e tjerë për të punësuarit në industrinë fason që operon në vend. Diferenca me veprimtaritë e tjera ekonomike për industrinë fason është për personat që punësohen për herë të parë dhe janë në procesin e formimit profesional që për një periudhë deri tre muaj paguajnë kontribute të detyrueshme minimale vetëm për degën e aksidenteve në punë në masën 0.3% e pagës minimale ose 66 lekë/muaj dhe jo për degët e tjera, por me kushtin që të mos kenë përfituar financime nga programet e nxitjes së punësimit nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.

Sa është paga mbi të cilën do të mbahen kontributet për të vetëpunësuarit në bujqësi?

Për të vetëpunësuarit në bujqësi nuk ka ndonjë ndryshim të masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Siç mund ta dini, të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë një shumë fikse vjetore në bazë të ndarjes në zona fushore dhe zona malore. Diferencën midis shumës fikse dhe shumës së kontributeve sipas pagës minimale e subvencionon buxheti i shtetit. Paga për efekt të llogaritjes së përfitimeve është paga minimale në shkallë vendi, si për të gjithë të vetëpunësuarit e tjerë. Për vitin 2015 masa e kontributit të sigurimeve shoqërore që do të paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi në zonat fushore është 33 000 lekë në vit dhe për të vetëpunësuarit në zonën malore është 25 300 lekë në vit. Në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë. Gjithashtu, të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontribut të sigurimit shëndetësor në masën 314 lekë në muaj ose 3 768 lekë në vit.

Si do llogariten kontrbutet për ata që punojnë në dy subjekte, pra kanë dy punë?

Për personat që punojnë në dy apo më shumë subjekte kontributet e sigurimeve shoqërore llogariten në të dy apo më shumë subjektet ku punon, por deri në nivelin e pagës maksimale. Më konkretisht, një person që punon në dy subjekte dhe paga është më e ulët se paga maksimale dhe shuma e të dy pagave nuk e kalon pagën maksimale prej 97 030 lekësh paguan kontributet e sigurimeve shoqërore në të dy subjektet. Nëse shuma e pagave në të dy subjektet është më e madhe se paga maksimale, atëherë në një subjekt do të paguajë deri në kufirin e pagës maksimale. Përsa i përket kontributeve të sigurimit shëndetësor do të paguajë mbi të dy pagat bruto pasi për kontributin shëndetësor nuk ka një pagë maksimale por paga bruto.

A ndryshojnë përfitimet për ish-ushtarakët që përfitojnë pagesë kalimtare?

Të gjithë ushtarakët që trajtohen me pagesë kalimtare nuk kanë ndryshim sipas këtij vendimi, por do të vazhdojnë të paguhen sipas ligjit përkatës që administron pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi. Në këtë vendim është parashikuar që në zbatim të ligjit për personat që plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi por që vazhdojnë të punojnë në punë të ndryshme nga profesioni i ushtarakut, të përfitojnë  pensionin bazë. Kjo është bërë me qëllim vazhdimin e pensionit edhe në kushtet kur ligji i ri nuk ka koncept të pensionit minimal dhe ka të bëjë me ruajtjen e të drejtave të fituara.

Në vendim është përcaktuar edhe zbatimi i formulës së re të pensioneve. Mund të na jepni një shembull si do llogaritet baza e vlerësuar dhe pensioni i ri?

Në vendim është një kapitull i veçantë për llogaritjen e bazës së vlerësuar për të gjitha llojet e përfitimeve që jep skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe jo vetëm për pensionet. Në këtë kapitull është përcaktuar si llogaritet baza e vlerësueshme mesatare, baza mesatare neto për pensionet, barrëlindjet, sëmundjet dhe aksidentet në punë në përputhje me përcaktimet e ligjit të ri. Pra, në thelb është përcaktuar se si do të llogaritet baza e vlerësueshme për çdo lloj përfitimi. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, për efekt të pensionit të pleqërisë do të llogaritet baza e vlerësueshme si mesatare e pagave të të gjithë periudhës së sigurimit të indeksuar me indekset e miratuara me një Vendim të KM. Pagat e realizuara vite më parë do të indeksohen sipas indeksit të rritjes së pagës minimale për ta sjellë në kohë dhe shumat e pagave të realizuara ndër vite do të pjestohen me periudhën e sigurimit për të përcaktuar pagën mesatare të të gjithë karrierës, me qëllim akordimin e një pensioni që i përgjigjet kontributeve të paguara.

Në këtë vendim është sqaruar zbatimi i formulës së llogaritjes së pensionit të përcaktuar me ligj dhe jo ndonjë mënyrë llogaritje pensioni. Është përcaktuar masa e pensionit social si shumë sipas ligjit të pensioneve që është 6 750 lekë në muaj.

Mënyra e llogaritjes së pensionit është përcaktuar në ligj dhe në këtë vendim është përcaktuar shuma e pensionit social që do të shërbejë si bazë për të llogaritur shumën bazë të pensionit sipas formulës. Mënyra e llogaritjes së pensionit është e sqaruar në ligj ku është përcaktuar që masa e pensionit është e barabartë me një shumë bazë dhe një përqind për çdo vit sigurimi të pagës mesatare të indeksuar të të gjithë karrierës së punës. Shuma bazë është product I pensionit social shumëzuar me vitet e sigurimit të plotësuara pjestuar me vitet e sigurimeve sipas nenit 92 të ligjit.

Në vendim është përcaktuar llogaritja e pensionit për katër kategori të ndryshme që ndan periudhat para 1 janarit 2015 e pas saj. Si do llogaritet pensioni për ata që i kanë plotësuar kushtet para 1 janarit dhe vazhdojnë të punojnë? Me shembull do ishte më mire

Në ligj është sanksionuar që të gjithë personave që ju lind e drejta deri në datën 31.12.2014 do të zbatohen dispozitat ligjore që kanë qënë në fuqi deri në atë datë, pra ligji I vjetër i sigurimeve shoqërore. Për personat që kjo e drejtë ju lind pas datës 1 janar 2015 atëherë do të zbatohen dispozitat e ligjit të ri. Në këtë pikë nuk ka ekuivok. Për ata persona që kanë plotësuar kushtet për pension sipas ligjit të vjetër por që vazhdojnë punësimin, në momentin e ndërprerjes së punësimit pensioni do t’iu llogaritet sipas dispozitave të ligjit që ka qënë në fuqi në momentin e plotësimit të kushteve, pra me ligjin e vjetër dhe do të përfitojnë bonusin për shtyrjen e daljes në pension sipas ligjit në fuqi në momentin e ndërprerjes së punësimit, pra në rastin konkret me ligjin e ri.

Por për ata që kanë fituar të drejtën e përfitimeve para datës 1 janar, por nuk kanë plotësuar vjetërsinë në punë dhe periudhën e sigurimit? Me shembull do ishte më mire

Pyetja juaj konsiston në rastin që një person ka plotësuar kushtin e moshës së daljes në pension sipas ligjit por nuk plotësojnë kushtin e periudhës së sigurimit dhe vazhdojnë të punojnë dhe të paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore. Në këto raste do të zbatohen dispozitat ligjore që janë në fuqi në momentin e ndërprerjes së  sigurimit të detyrueshëm, pra të ligjit të ri.

Po llogaritja e pensionit të parakohshëm, për ish-ushtarakët?

Mënyra e llogaritjes së pensionit të parakohshëm për ish-ushtarakët nuk ka ndryshuar dhe është e njëjta siç ka qënë. Ky vendim është për zbatimin e ligjit të sigurimit të detyrueshëm dhe nuk prek ligjet e tjera. Në këtë vendim siç përmenda më sipër është përcaktuar vetëm shuma e pensionit bazë për llogaritjen e këtij lloj përfitimi dhe nuk është ndryshuar mënyra e llogaritjes së tij.

Si do llogaritet pagesa për raportet mjekësore dhe për lejet e lindjes?

Llogaritja e këtyre përfitimeve është e njëjtë si me ligjin e vjetër me përjashtim të faktit që bazë për llogaritje do të merret paga neto dhe jo bruto, si me ligjin e vjetër. E reja në këto lloj përfitimesh është fakti që nuk merret për barrëlindje paga e vitin të fundit kalendarik por paga e 12 muajve të fundit nga momenti I lindjes së të drejtës si dhe që për përiudhat që nuk ka paga merret paga minimale duke rezultuar në një përfitim më të drejtë dhe më të lartë për gratë që kanë periusha të pambuluara me sigurime. E njëjta gjë edhe për pagesat e raporteve mjekësore duke dhënë përfitime me të mira se ligji i mëparshëm përsa i përket periudhave të pambuluara.

  •  admin
  •  

Intervistë e Drejtoreshës së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho, dhënë në gazetën “Panorama”, të datës 02 mars 2015

Tashmë ka nisur procesi i kompensimit të energjisë elektrike. Si po ecën ky proces?

Procesi i pagimit të kompensimit të cmimit të energjisë elektrike në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 8, datë datë 14.01.2015 ka nisur që në datën 1 shkurt 2015. Të gjithë pensionistët që përfitojnë këtë lloj kompensimi, së bashku me pensionin e muajit shkurt kanë tërhequr kompensimet e energjisë elektrike në masën 1288 lekë. Kjo shumë përfshin të tre llojet e kompensimeve të çmimeve të energjisë që janë kompensimi i parë sipas VKM nr 565, datë 09.08.2006,  prej 500 lekësh, kompensimin e dytë sipas VKM 238, datë7.04.2010  prej 140 lekësh si dhe kompensimin e fundit prej 648 lekësh sipas VKM nr. 8, datë 14.01.2015.

Çfarë dokumentash duhet të sjellin pensionistët për përfitimin e kompensimit të fundit?

Nga ana e ISSH-së për të gjithë pensionistët që përfitojnë kompensimin prej 640 lekë në muaj sipas VKM-së 565 dhe 238, ju është paguar edhe kompensimi i ri prej 648 lekësh pa pritur plotësimin dhe rifreskimin e dokumentave. Për të bërë këtë plotësim apo rifreskim është lënë një afat, i cili skadon në fund të muajit prill. Pra, asnjë nga pensionistët përfitues ekzistues nuk do t’iu ndërpritet pagimi i të tre kompensimeve deri në këtë afat dhe nuk është e nevojshme të nxitojnë për plotësimin dhe dorëzimin e dokumentacionit. Për pensionistët të cilët nuk marrin kompensimet e para, por plotësojnë kushtet për ta përfituar kompensimin, kanë të drejtë të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm deri në fund të prillit dhe pagesa do tju fillojë që nga data 1 shkurt 2015. Për të ardhur tek pyetja juaj, dokumentacioni që duhet të plotësohet dhe rifreskohet është një fotokopje të kartës së identitetit  të nënshkruar,  çertefikatë familjare që të provojë faktin e të qënit kryefamiljar, kontratë me operatorin e furnizimit me energji elektrike në emër të kryefamiljarit, librezën e dritave që konfirmon pagesën e rregullt të energjisë elektrike dhe një deklaratë që plotësohet pranë zyrave të sigurimeve shoqërore.

Sipas traditës, pjesa dërrmuese e pensionistëve janë kryefamiljarë. Të gjithë këta pensionistë e përfitojnë kompensimin?

Këtë lloj kompensimi e përfitojnë pensionistët kryefamiljarë të vetëm, kur përbërja familjare është vetëm dy pensionistë dhe në këtë rast vetëm pensionisti kryefamiljar e merr kompensimim, si dhe kur pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë të ardhura nga punësimi apo vetëpunësimi.

Si vërtetohen që nuk kanë të ardhura?

Për të vërtetuar këtë situatë të gjithë pjesëtarët e familjes mbi 18 vjet duhet të paraqitin vërtetimin e zyrës së punës që janë punëkërkues të papunë. Pra, në rastet kur pensionisti është kryefamiljar por ka anëtarë të tjerë të familjes që përfitojnë të ardhura nga punësimi, nuk përfitojnë këtë kompensim.

Po pensionistët e fshatit e përfitojnë këtë kompensim?

Në pikën c) të VKM e sipërcituar është përcaktuar që këtë lloj kompensimi e përfitojnë kryefamiljarët pensionistë që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati  por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë persona të familjes të punësuar apo të vetëpunësuar. Pra, pensionistët kryefamiljarë me pension fshati dhe që jetojnë në fshat nuk e përfitojnë këtë lloj kompensimi. Përjashtim bëhet për kryefamiljarët pensionistë të invaliditetit të plotë fshati  që banojnë në fshat por që nuk kanë pjesëtarë pjesëtarë të tjerë të familjes të punësuar apo vetëpunësuar.

  •  admin
  •  

Intervistë e Drejtoreshës së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho, dhënë në Gazetën Shqiptare të datës 04.08.2015

Ky sezon ka qenë sa i ngjeshur, aq edhe produktiv për Drejtoreshën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Tashmë një tjetër sfidë e pret para, ajo e postit të nënkryetares së Këshillit Bashkiak, çfarë do të thotë më shumë përgjegjësi dhe vlerësim për të.

Në këtë rrëfim të ngrohtë për “Summer Pages”, Vjollca tregon se si ia del të gjejë kohë për t’i përmbushur me sukses të gjitha obligimet që ka, por mbi të gjitha pa përzier punën me politikën. Posti i rëndësishëm, apo edhe roli në politikë, e kanë bindur se tashmë gjinia nuk është më justifikim. “Besoj se këtë shans ua japin vetë gratë, duke u justifikuar, ose meshkujve u mbarojnë argumentet në debat dhe kërkojnë më pas të futen në betejën e gjinive”, – shprehet Braho. Më tej tregon edhe planet për pushimet, ku për të natyra është e parefuzueshme. Dhe, ashtu siç mendohej, krahas detit dhe shoqërisë së mirë, nuk kishte se si të linte pas dore edhe punët e shumta, edhe pse me pushime. Ndaj kjo është një ndër arsyet që shpeshherë zgjedh të pushojë në Durrës.

Një vit i ngjeshur mes punës dhe politikës; sa impenjativ ka qenë për ju?

Ka qenë një vit shumë i rëndësishëm, si për punën, ashtu edhe për pjesëmarrjen politike. Për punën ka nisur implementimi i ligjit të ri të pensioneve, që është një sfidë e rëndësishme, pasi është një ligj që prek thuajse çdo familje shqiptare. Për politikën ishte një vit i rëndësishëm i rikonfirmimit jo vetëm i mbështetjes për PDIU-në, por edhe i forcës së grave brenda forcës sonë politike. Drejtimi i fushatës në Tiranë ishte për mua një sfidë dhe një përvojë e rëndësishme jo vetëm politike, por edhe njerëzore. Dhe falë një pune të jashtëzakonshme të shtabit elektoral, arritëm të dyfishojmë votat e PDIU-së në Tiranë. Ky rezultat na e rrit përgjegjësinë, ndaj dhe unë dëshiroj që përmes jush të falënderoj të gjithë ata që kontribuuan që sot PDIU-ja të ketë këtë rritje dhe tre këshilltarë në Këshillin e ri Bashkiak. Pjesëmarrja në këtë Këshill do të jetë një përvojë tjetër e re edhe për mua, por unë besoj se kontributi për qytetin ku jetoj do të jetë një sfidë e rëndësishme, pasi unë besoj se ndryshimet nisin nga përgjegjësia jonë për pjesëmarrje.

Shumë aktive edhe përgjatë fushatës; si ishte kjo fushatë në sytë tuaj?

Ishte një fushatë që, edhe pse të lodh, të jep shumë për të mësuar. Takimi me shumë persona, dëgjimi i tyre, të bëjnë të mendohesh gjatë edhe për gjëra që më parë nuk të kanë shqetësuar kurrë. Është një përvojë e rëndësishme!

A mund të themi se tanimë mund të “merrni frymë” lirisht nga angazhimet e shumta?

Fatmirësisht jam mësuar me ritmin e punës që kur kam nisur punën në rininë time. Besoj se çdokush mund të gjejë edhe kohën për punë, edhe kohën “për të marrë frymë”, nëse do të konsideronim me këtë atë pjesë të kohës që duhet të merremi me veten dhe miqtë.

Tashmë edhe si nënkryetare e zgjedhur e Këshillit Bashkiak të Tiranës, çfarë do të thotë kjo për ju?

Është një vlerësim dhe përgjegjësi për mua. Është vlerësim më së pari nga PDIU-ja që ka mbështetur kandidaturën time. Por njëkohësisht është edhe një vlerësim nga gjithë anëtarët e Këshillit, të cilët, më lejoni t’i falënderoj për zgjedhjen si nënkryetare e Këshillit. Kjo zgjedhje është njëkohësisht edhe përgjegjësi për mua, pasi tashmë nis puna konkrete për të bërë të mundur që qytetarët të prekin premtimet tona. Ne bekurajën që ka kreu i ri i bashkisë në arritjen e objektivave.

Mendoni se femrat në poste drejtuese janë më produktive se meshkujt?

Mund të them se janë produktive po aq sa edhe meshkujt. Nuk dua ta shoh si një garë. Nuk dua ta shoh as të ndarë në gjini. Të paktën, në punën time, nuk i kam ndarë gratë nga burrat. Dhe kam fatin t’i kem thuajse në mënyrë të barabartë drejtuesit e departamenteve, dhe mund të them se punojmë bashkërisht, pa bërë asnjë dallim gjinor.

Ka akoma nga ata që e paragjykojnë një femër në një post drejtues?

Besoj se ka, dhe jo vetëm në Shqipëri. Por besoj se, ose këtë shans ua japin vetë gratë, duke u justifikuar, ose meshkujve u mbarojnë argumentet në debat dhe kërkojnë më pas të futen në betejën e gjinive.

A është më e vështirë për një femër të bëjë karrierë në Shqipëri?

Çdo karrierë ka vështirësitë e veta. Ndonjëherë femrat mund ta kenë pasur më të vështirë, për shkak të ndonjë paragjykimi. Por unë besoj se çdo grua e ka vetë në dorë të vendosë prioritete se si do të kërkojë ta respektojnë atë në punën që bën.

Sa ju ka tjetërsuar puna që bëni, a jeni Vjollca edhe nën “kostumin” e drejtoreshës?

Mundohem që t’i ndaj marrëdhëniet në punë me marrëdhëniet jashtë pune. Mund të jemi miq në kafe apo drekë, por në punë, gjithkush që bashkëpunon me mua e ka kuptuar se nuk bëj dallime. Kjo i bën kolegët të mos ndihen të diferencuar dhe mos të më shohin me “kostumin e drejtoreshës”, por të njeriut që kërkon bashkëpunim.

Shpesh krijohet ideja se institucionet janë të lidhura ngushtë me politikën; a ka ndodhur kështu edhe me institucionin që ju drejtoni?

Kam pasur fatin të jem në krye të një institucioni që më shumë ka parë nga qytetarët. Nuk them se kemi arritur të bëjmë të gjitha ato që kemi menduar, por kam bindjen se jemi në rrugën e duhur që shërbimi ndaj qytetarëve vetëm të vijë në rritje. Për këtë, fatmirësisht jemi mirëkuptuar me ministrat që kanë pasur në varësi ISSH-në, të cilët kanë mbështetur këtë komunikim sa më larg gjuhës politike.

Sa e ndryshon politika një femër?

Pse, vetëm një femër e ndryshon politika?! Unë besoj se i ndryshon të gjithë, pasi i vë përpara përgjegjësive të cilat në jetën e tyre individuale më parë nuk i kanë menduar.

Keni mikesha nga politika shqiptare, kë do të veçonit?

Kam mjaft mikesha të mira, ndaj ndjesë që nuk do të veçoj asnjërën prej tyre.

A bëni kompromise, ka “misione të pamundura” për Vjollcën?

Ka misione që duan shumë mund. E pamundur është të nis të bëj një gjë jashtë natyrës sime.

Ju lëndojnë sulmet, qoftë edhe me ngjyrime politike, që ju adresohen?

Çdo person nuk ndihet mirë kur sulmohet, sidomos pa të drejtë. Por e rëndësishme është të dimë të lexojmë kritikat e drejta, të cilat na japin mundësinë të përmirësohemi.

Si ju gjen kjo verë, keni bërë plane për pushimet?

Pushimet janë gjëja e fundit për të cilën shqetësohem.

Si janë përgjithësisht pushimet tuaja; pëlqeni të jeni pranë natyrës me aktivitete sportive apo dëshironi relaks të plotë?

Natyra është e parefuzueshme! Por e rëndësishme është të jem me miqtë e duhur. Si ju është dukur këtë vit turizmi shqiptar, me aq sa keni parë, a ka përmirësime? Nuk i kam ndjekur shifrat e turizmit, por kam kënaqësi kur shoh se, thuajse në çdo cep që lëviz, që ka njerëz që flasin gjuhë të ndryshme. Kjo më bën të ndihem mirë, që Shqipëria po kthehet në një destinacion që duhet parë nga të gjithë, sidomos nga ne vetë shqiptarët më së pari.

Jeni natyrë që merreni me punë edhe kur pushoni apo i fikni telefonat?

Fatkeqësisht nuk mendoj ta fik telefonin. Puna ime është e tillë që kërkoj të jem e informuar thuajse gjatë gjithë ditës.

Çfarë zgjidhni të lexoni kur pushoni?

Romane. Njoh fatmirësisht këshillues të mirë leximesh, kështu që shpesh marr librat e duhur me vete.

Preferoni turizëm malor apo jeni besnike e detit?

Deti mbetet deti.

Ku e gjen Vjollca parajsën e saj për të pushuar në Shqipëri, a keni një vend që e frekuentoni me shumë dashuri çdo vit?

Më pëlqen bregu i jugut, por gjithsesi Durrësi mbetet ende i preferuar. Ndoshta se më mban edhe më afër punëve të mia.

  •  admin
  •  

Intervistë e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, dhënë në gazetën “Panorama”, datë 07  mars 2016.

Nga rritja e moshës së pensionit për femrat, deri te falja e “borxhit” për ushtarakët dhe kompensimi i energjisë elektrike.

Drejtori i ri i ISSH-së sqaron në një intervistë për gazetën efektet e reformës së pensioneve. Astrit Hado, si një ndër hartuesit e reformës, qartëson shtresat që preken në vitin e dytë të zbatimit të saj. Si do të zgjidhen radhët e gjata në pritje të daljes së pensionit, vendimi për shmangien e gjyqeve për njohjen e vjetërsisë në punë dhe rastet kur pensioni është rritur nga aplikimi i formulës së re.

Sipas Hados, zgjidhja e parë pritet të jetë për vjetërsinë në punë para viteve 1994. Vendimi i ri i qeverisë do të bëjë të mundur njohjen e regjistrave, edhe kur janë shkruar me laps. Çfarë dokumentesh do të paraqesin pensionistët për të marrë kompensimin e energjisë dhe rastet e përfitimit deri në 1988 lekë në muaj.

Gjatë analizës së djeshme u fol edhe për njohjen e viteve të punës, kur regjistrat kanë qenë shkruar me laps. Çfarë do të thotë kjo për të punësuarit?

Shumica e dokumenteve që përdoren për të caktuar pensionet janë krijuar si fond arkivor i vjetërsisë në punë shumë vite më parë. Konkretisht, e gjithë periudha e punës para vitit 1994 është e dokumentuar në regjistrat e punës dhe pas vitit 1994 janë të evidentuara në listëpagesat mujore të dorëzuara pranë Sigurimeve Shoqërore dhe organeve tatimore. Evidentimi i vjetërsisë në punë të periudhës para vitit 1994 paraqet një problematikë serioze, çka krijon vështirësi në verifikim, vonesa në lidhjen e pensionit, si dhe shpesh mosmarrja në konsideratë nga ana jonë për shkak të problematikave që mbartin. Shpesh regjistrat janë vetëm me datën e fillimit të punës dhe pa datën e mbylljes se punës, gjeneralitetet e të punësuarve të shkruara gabim, me shkurtime ose me korrigjime, pa atë- si, pa datëlindje ose me atësi dhe datëlindje të korrigjuara, si dhe të dhëna të shënuara më laps plumbi. Kjo mënyrë mbajtjeje e regjistrave të vjetërsisë nuk ka qenë e parashikuar dhe e lejuar sipas legjislacionit të kohës, pasi janë lehtësisht të ndryshueshme dhe objekt falsifikimi dhe përfitimi të padrejtë. Por ne ndodhemi përpara këtij fakti dhe personave që kanë vjetërsi të shkruara me laps nuk iu njihen këto periudha, janë të detyruar t’i drejtohen Gjykatës. Rastet e këtij fenomeni janë: regjistra të disa kooperativave bujqësore, ku të gjithë të dhënat e vjetërsisë në punë janë me laps, vite ose grup vitesh të caktuara që janë me laps për të gjithë të punë- suarit, gjeneralitetet të shënuara me laps plumbi etj. Ky fenomen ndeshet në rreth 6% e regjistrave të ditëve të punës në ish-kooperativat bujqësore. Për sa i përket shkrimit me laps kopjativ, këto periudha pune njihen nga ana jonë. Njohja e këtyre periudhave të punës do të bënte të mundur pagimin e pensionit në kohë dhe në masë të plotë, shmangien e sorollatjes në procese ankimimi administrative dhe gjyqësore, si dhe një ulje besimi dhe prishje imazhi të sigurimeve shoqërore. Kjo njohje vjetërsie do të bëhet pas miratimit të një Vendimi të Këshillit të Ministrave, i cili është në proces hartimi. Në këtë projektvendim janë parashikuar të gjitha rastet kur njihen dhe procedura të përpikta të verifikimit të tyre dhe të gjithë fondit arkivor të vjetërsisë në punë.

Ju po thoni që do të dalë një VKM vetëm për këtë problem?

Projektvendimi që është duke u hartuar, në fakt është një vendim i cili përcakton procedura administrative për verifikimin dhe njohjen e vjetërsive të punës të periudhës para 19994, që kanë mangësi apo gabime, si dhe dokumentet e burime alternative që vërtetojnë këto periudha pune. Fatmirë- sisht, të gjitha regjistrat e vjetërsisë në punë të ish-KB dhe ishndërmarrjeve shtetërore që nuk kryejnë më aktivitet janë në arkivën tonë qendrore, janë të dixhitalizuara dhe verifikimi që do të bëhet është i plotë. Shpresojmë që ky projektvendim të miratohet dhe njëkohë- sisht të zgjidhë shumë raste që deri më sot nuk kanë gjetur zgjidhje. Dua të theksoj se këto raste nuk janë marrë në konsideratë nga ana jonë bazuar në legjislacionin në fuqi dhe jo për arsye subjektive.

Ka një ide për shmangien e gjyqeve pafund për dokumentet e pensionit. Si parashikohet të lehtësohen qytetarët?

Një nga hapat e parë është miratimi i vendimit që përmenda më sipër dhe dhënia më shumë kompetencë ISSH-së për zgjidhje administrative të pasaktësive në dokumentacionin e vjetërsisë në punë. Është shqetësues fakti që shumë qytetarë detyrohen të shkojnë në gjyq, jo për fajin e tyre, por të mënyrës së mbajtjes së dokumentacionit vite më parë nga punonjësit e ngarkuar me këtë detyrë. Gjithashtu, është shqetësues edhe për punonjësit e Sigurimeve Shoqërore, pasi ankesat drejtohen te ne duke rritur ndjeshëm edhe volumin e punës dhe shtimin e pakënaqësive të pensionistëve. Mbledhja e të gjithë dokumentacionit pranë arkivës qendrore dhe dixhitalizimi i tyre na krijon mundësinë e verifikimit shterues në të gjithë fondin arkivor dhe përgjigje përfundimtare qytetarëve. Dua të theksoj se ky do të jetë një proces i plotë verifikimi që t’u jepet e drejta qytetarëve, por njëkohësisht shmangur abuzimet dhe mbrojtjen e fondeve të sigurimeve shoqërore.

Ju folët edhe për shkurtimin e kohës së lidhjes së pensionit. Sa është aktualisht kjo kohë dhe sa pritet të ulet? Po dokumentet do të thjeshtohen?

Aktualisht, koha e lidhjes së një pensioni në Shqipëri është 27 ditë si mesatare dhe ka pensione që lidhen për 10 ditë, sikundër ka pensione që lidhen për dy muaj, p.sh. në varë- si të dokumentacionit që paraqet qytetari, dokumenteve të vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit që janë arkivuar, nga lëvizjet e punës që ka çdo individ dhe shumë arsye të tjera. Në gjykimin tim, ky është një afat i mirë duke pasur parasysh lëvizjen e lirë të njerëzve nga një rreth në tjetrin, cilësinë dhe saktësinë e dokumentacionit arkivor. Shqetësues paraqitet numri i pensioneve që lidhen jashtë afatit ligjor, që është 45-60 ditë, pasi qytetarët nuk marrin këstin e tyre mujor të parave dhe ndikon në cilësinë e jetës së tyre. Për të ulur afatin e caktimit të pensionit jemi duke marrë disa masa si thjeshtëzim të procedurave, rritjen e intensitetit të punës, përdorimin e sistemeve informatike të llogaritjes dhe pagimit të pensioneve, si dhe dixhitalizimin e vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit. Grumbullimi dhe dixhitalizimi i periudhave të sigurimit do të shkurtojë kohën e verifikimit të periudhave dhe përdorimin elektronik të të dhënave për llogaritje të përfitimeve dhe për rrjedhojë uljen e afateve.

Reforma po hyn në vitin e dytë. Cilat janë shtresat që po preken më shumë? E kam fjalën për rritjen e moshës së femrave për të dalë në pension.

Reforma e pensioneve ka ndikim te të gjithë shqiptarët, qoftë kontribuuesit dhe përfituesit aktualë, ashtu edhe kontribuuesit dhe përfituesit e ardhshëm. Kjo për faktin se pensionet janë produkt i një horizonti kohor shumë të gjatë dhe ndikohet nga kontributet e realizuara për 35-40 vjet. Më e prekshme në vitin e parë të implementimit të saj është rritja e moshës së grave me dy muaj, si dhe masa e pensionit. Grave që kanë lindur në vitin 1955, iu rrit mosha me dy muaj dhe pensioni u përfitua në moshën 60 vjeç e dy muaj. Por, nga ana tjetër, shumë pensionistë morën një pension më të drejtë të lidhur me vitet e sigurimit dhe pagat e tyre duke vendosur një drejtësi në masën e pensionit dhe shmangien e barazimit të pensionit. Rreth 7% e pensionistëve që kanë kontribuar për periudha të gjata dhe me paga të larta, përfituan pension më të lartë se pensioni maksimal prej 24800 lekësh që ishte me ligjin e vjetër. Personat që vendosën të shtynin daljen në pension, përfituan një bonus më të madh se me ligjin e vjetër nga 4% për çdo vit në 6%, duke përfituar një pension më të madh, por edhe një vlerësim të punës së tyre. Gjithashtu, edhe rreth 2000 qytetarë përfituan për herë të parë një pension social duke ndikuar në përmirë- simin e jetesës së tyre. Një ndikimi tjetër i reformës është pensioni për ish-minatorët e nëntokës, që përfituan pension në moshën 55-vjeçare dhe me masë më të lartë se trajtimi i veçantë që merrnin. Numri i tyre është mbi 3000 persona, që do të thotë që po kaq familje kanë më shumë mjetë jetese se një vit më parë.

Ka nisur edhe ndarja e pensionit social. Ju thatë se janë rreth 2 mijë përfitues… ndërkohë që gjatë hartimit të reformës është folur për 5 mijë përfitues. Kanë ndryshuar kushtet?

Është e vërtetë që në hartimin e reformës u parashikua që numri i përfituesve do të ishte rreth 5 mijë. Ky numër u parashikua nga projeksionet e bëra bazuar në të dhënat që disponohen dhe për një periudhë më të gjatë se një vit. Gjatë këtij viti janë paguar rreth 2000 pensione, janë në proces edhe rreth 250 pensione të tjera, që janë paraqitur së fundmi ose kanë pasur mangësi në dokumentacionin. Mund të ketë edhe raste që nuk jetojnë në Shqipëri dhe nuk e kanë të drejtën e përfitimit, pasi nuk plotësojnë kushtin e rezidencës. Nuk ka ndryshim të kushteve të përcaktuara në reformë dhe garantoj që të gjithë shtetasit shqiptarë që plotësojnë kriteret janë trajtuar me këtë pension të paguar për herë të parë në 2015. Edhe gjatë vitit 2016 e në vijim, do të rritet numri i përfituesve të pensionit social, pasi do ta mbushin moshën 70 vjeç këtë vit ose më vonë.

Keni pasur një takim me shoqatat e ushtarakëve. Ata kërkojnë shfuqizimin e vendimit që i mban para nga kompensimi. Çfarë pritet të ndodhë me këtë shtresë pensionistësh?

Kërkesa e vazhdueshme e ish-ushtarakëve që trajtohen me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është për faljen e debisë së krijuar, si rezultat i rillogaritjes së përfitimeve nën përcaktimet e ligjit nr. 10142. Kjo debi është krijuar si rezultat i ndryshimit të ligjit dhe vonesës së dërgimit të dokumenteve të përcaktuara në VKM nga institucionet që kanë të punësuar ish-ushtarakët. ISSH si institucion zbatues i ligjit të mësipërm ka zbatuar me korrektesë dispozitat ligjore, ka rillogaritur pensionet e parakohshme dhe ka paguar pensionet që rezultonin më të lartë se ligji i më- parshëm, ka llogaritur debitë për pensionet që nga rillogaritja rezultonin me masë më të ulët që nga data 01.07.2009 deri në momentin e rillogaritjes. Të gjitha rastet debitore janë të evidentuara saktë në sistemin informatik të pensioneve dhe pagesave dhe po arkëton debinë në bazë të ligjit. Pozicioni i ISSH-së në këtë lloj trajtimi është vetëm teknik dhe zbatues. Siç e përmendi në analizën vjetore ministri i Mirëqenies Sociale, z.Klosi, është duke u diskutuar një iniciativë ligjore që të falen këto debi. Me miratimin e kësaj iniciative ligjore nga ana e qeverisë, ISSH-ja është e gatshme që ta zbatojë në një kohë shumë të shkurtër sipas përcaktimeve që do të miratohen.

Ka një interes të madh për kompensimin e energjisë elektrike. Sot në rast se një pensionit plotëson kushtet, a mund të aplikojë për të përfituar kompensimin. Sa është ai?

Kompensimi për ndryshimet e çmimit ndër vite jepet për pensionistët kryefamiljarë të vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes, që janë pensionistë ose të papunë. Ky kompensim jepet sipas tre VKM-ve të ndryshme në masën 500 lekë sipas vendimit të parë, 140 lekë sipas vendimit të dytë dhe 648 sipas VKM-së së fundit ose në total 1288 lekë në muaj. Ky kompensim jepet vetëm për një pjesëtar të familjes ose një kontrate me entin shpërndarës së energjisë OSHE-së. Pra, në rastin kur pjesëtarë të familjes janë dy pensionistë, vetëm njëri e përfiton kompensimin që është kryefamiljari. Për pensionistët që kanë dalë në pension para 2015, është edhe një kompensim tjetër prej 350 lekësh, dhe në total për një familje pensionistësh të vetëm shuma totale e kompensimit është 1988 lekë në muaj. Numri i përfituesve aktualë është rreth 82 mijë pensionistë që paguhen çdo muaj. Të gjithë pensionistët që nuk përfshihen në këtë numër, por plotësojnë kushtet, kanë të drejtë të aplikojnë dhe ta përfitojnë kompensimin që nga momenti i dorëzimit të dokumenteve.

Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë dhe çfarë dokumentesh duhet të dorëzojnë?

Për të përfituar kompensimin duhet që pensionisti të jetë kryefamiljar, të jetë i vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë pensionistë (bashkëshorti/tja) ose të jenë të papunë, punëkërkues. Këtë kompensim e përfitojnë pensionistët që banojnë në qytet dhe pensionistët e invaliditetit që banojnë në fshat dhe qytet. Dokumentet që duhet të dorë- zojnë janë kopje e kontratës me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë në emrin e vet, kopje e librezës ose faturës së likuiduar që vërteton që e paguajnë energjinë e konsumuar, certifikatë familjare, për të vërtetuar që janë kryefamiljarë të vetëm ose kanë persona të tjerë të familjes në moshë pune, si dhe një deklaratë që plotësohet pranë sporteleve të agjencive tona. Verifikimi nëse pjesëtarët e tjerë të familjes janë të papunë, punëkërkues, bëhet nga ana jonë zyrtarisht në zyrat e punës. Në analizën vjetore të ISSH-së, Z.Klosi deklaroi që jemi duke parë mundësinë e ndryshimit të VKM, me qëllim dhënien e të drejtës së përfitimit të këtij kompensimi, edhe të kryefamiljarëve pensionistë të vetëm që banojnë në fshat. Ky ndryshim do të krijojë mundësinë e përfitimit edhe për pensionistët e fshatit dhe do të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë pensionistët kryefamiljarë të vetëm pavar- ësisht vendbanimit të tyre.