PYETJE:

Mirdita, jam A.Z.,  në pension të parakohshëm si ish-ushtarak. A mund të më sqaroni ju lutem, për arësyet e uljes së masës së pensionit?

PËRGJIGJE:

Zoti .Z…,

Në përgjigje të pyetjes tuaj, pas verifikimeve pranë DRSSH SHoqërore Tiranë, rezulton se:

Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, në mbështetje të ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ju ka llogaritur dhe caktuar pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, me të drejtë pagese nga 01.09.2008.

Nga data 01.07.2009 ka hyrë në fuqi Ligji nr.10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në RSH”, të ndryshuar.

Nga shqyrtimi i dokumentave të dosjes së përfitimit, konstatojmë se ju jeni i punësuar në subjekte të ndryshme, duke përfituar njëkohësisht  dhe pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

Sipas nenit 14, të ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, të ndryshuar: “Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar.

Sa më sipër, për sa kohë që jeni i punësuar duhet të tërhiqni pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi në nivel minimal, jo të plotë.

*Email-i juaj nuk do të bëhet publik.

Pyetje dhe Përgjigje