Pas këtij indeksimi, pensioni i plotë minimal i pleqërisë (që nënkupton një periudhë sigurimi jo më pak se 35 vite), për personat të cilëve e drejta për pension iu ka lindur deri më 31.12.2014, nuk mund të jetë më pak se 13,753 lekë në muaj nga 13,378 lekë që ishte, ndërsa pensioni maksimal nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i pensionit minimal ose 27,506 lekë në muaj nga 26,757 lekë në muaj që ishte. Ndërkohë, për pensionet e caktuara me datë fillimi nga 01.01.2015 e në vazhdim, e ardhura minimale (që nënkupton një periudhë sigurimi jo më pak se 15 vite, sipas formulës së re të përllogaritjes së pensioneve), nuk mund të jetë më e vogël se masa e pensionit social, e cila nga 7,262 lekë bëhet 7,465 lekë në muaj, ndërsa e ardhura maksimale varet nga paga dhe zgjatja e periudhës së sigurimit dhe si pasojë nuk ka kufizim në lartësinë e tyre.

Kategoritë që përfitojnë nga ky indeksim janë të gjithë llojet e pensioneve që paguhen nga sigurimet shoqërore si pensioni i pleqërisë, invaliditetit, familjar, social, pensionet suplementare, trajtimet e veçanta, pensionet e parakohshme etj. Nga ky vendim do të përfitojnë rreth 665 mijë pensionistë, prej të cilëve 518,321  janë pensione qyteti, rreth 123,482 janë pensionistë që marrin pensione fshati dhe rreth 22,376 janë pensione sociale, pensione të parakohshme të ish-ushtarakëve, policëve dhe punonjësve të Gardës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, si dhe trajtime të veçanta të ish-punonjësve të nëntokës, të industrisë ushtarake, ish-pilotëve, ish-ushtarakëve të nëndetëseve etj. Efekti financiar i këtij indeksimi për këtë vit është në masën 2 miliardë e 39 milionë lekë pse rreth 22 milionë dollarë.

Indeksimi i pensioneve është një detyrim ligjor që ka synim kompensimin e pasojave të ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Ky indeks llogaritet nga INSTAT për një shportë të caktuar të mallrave dhe shërbimeve që konsumohen nga pensionistët.