Në datën 20 shkurt 2019, në ambjentet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nën drejtimin e ministres, znj. Anila Denaj, njëkohësisht dhe kryetare e Këshillit Administrativ të ISSH, u zhvillua Analiza Vjetore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për vitin 2018.

Znj. Denaj, ndër të tjera, theksoi punën që duhet bërë në drejtim të mbledhjes së kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, duke vënë theksin në faktin që mbledhja e të dy llojeve të kontributeve duhet të ecë në mënyrë paralele.

Drejtori i Përgjithshëm i ISSH, z. Astrit Hado,  gjatë fjalës së tij ka bërë publike disa nga arritjet dhe sfidat me të cilat përballet  skema e sigurimeve shoqërore, si një fushë me efekte shumë të gjera sociale, ku preket thuajse çdo familje shqiptare. Gjatë vitit 2018, theksoi ai, për realizimin e misionit të ISSH-së dhe të objektivave të Qeverisë në fushën e  sigurimeve shoqërore  dhe në veçanti në fushën e pensioneve, vëmendja kryesore është fokusuar në disa drejtime kryesore si:

  1. Vazhdimi i punës për implementimin e skemës së reformuar të pensioneve;
  2. Zbatimi i politikave të Qeverisë për rritjen e të ardhurave të pensionistëve, nëpërmjet indeksimit të përfitimeve të caktuara, indeksimit të pagave referuese për përfitimet e reja të vitit e në vazhdim, si dhe nëpërmjet zbatimit të një praktike tashmë të konsoliduar, që është bonusi (shpërblimi) vjetor i pensionistëve;
  3. Përmirësimi në ngritje i administrimit të buxhetit të ISSH-së dhe i cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve;
  4. Vazhdimi i punës për krijimin e një baze të plotë, të informatizuar të të dhënave, siç janë periudhat kontributive të personave, zbatimi i një sistemi të automatizuar të autorizimit dhe pagesave online.

Në zbatim të këtyre objektivave, vazhdoi z. Hado, përmes punës të të gjitha strukturave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shkallë vendi, si dhe drejtimit dhe mbështetjes nga Këshilli Administrativ, evidentojmë:

  1. Realizimin e të gjitha procedurave administrative të indeksimit të pensioneve, si dhe përfitimeve të tjera për mbi 623 mijë përfitues, duke filluar nga data 01.07.2018, në masën 2.8%, si dhe kryerjen e pagesave në favor të pensionistëve, me një efekt financiar prej mbi 1,570 milionë lekë.
  2. Brenda një një kohe rekord u kryen të gjitha procedurat administrative të dhënies së shpërblimeve për mbi 650 mijë përfitues, nga sistemi i përgjithshëm i sigurimeve shoqerore, me një efekt financiar prej rreth 3,276 milionë lekë.
  3. U zbatuan standarte të reja në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj pensionistëve, sidomos në fushën e transparencës së përfitimeve të caktuara. Nga 36,796 pensione të reja të caktuara në vitin 2018, 35,031 ose 95.1% janë lidhur brenda afateve ligjore, me një kohë mesatare 24 ditë.
  4. Rëndësi e veçantë i është kushtuar marrëdhënies me qytetarin, duke u fokusuar në zbatimin e një filozofie dhe standarti të ri, tashmë të përcaktuar me detaje nga Këshilli i Ministrave. Nga të dhënat e mbledhura për vitin 2018, pranë zyrave të ALSSH-ve janë regjistruar 152,207 kërkesa gjithsej.
  5. Gjatë vitit 2018 hapi më i rëndësishëm u hodh në drejtim të transparencës së pagesave, nëpërmjet qeverisjes së tyre pothuajse të plotë, me sisteme informatike, të cilat kanë krijuar kushte për një kontroll të plotë të ligjshmërisë së pagesës, duke përmirësuar ndjeshëm edhe administrimin financiar të sistemit.
  6. Në luftë me mashtrimet, falsifikimet dhe përfitimet e pamerituara si në fushën e pensioneve dhe në përfitimet e tjera, ka patur një bashkëpunim të mirë si me strukturat e Policisë, ashtu edhe me Prokurorinë e shtetit. Gjatë vitit 2018, i cili përkon edhe me përfundimin e certifikimit të sistemit elektronik të bazës së të dhënave të pensioneve, si dhe të kontrollit të dosjeve të viteve të mëparëshme, janë bërë gjithsej 484 kallëzime: 159 çështje janë përfunduar dhe 295 çështje janë në shqyrtim. Përgjithësisht kemi të bëjmë me falsifikim të dokumentave zyrtare për periudha sigurimi para vitit 1992, të kryera në ndërmarrje problematike, të djeguara etj.
  7. Gjatë vitit 2018 , vazhdoi z. Hado, u bashkërenduan përpjekjet me organet tatimore për plotësimin dhe tejkalimin e detyrës së programuar për të ardhurat nga kontributet e personave juridikë e fizikë. Megjithëse me Aktin normativ nr 1/, korrik 2018, plani i të ardhurave kontributive u shtua me 3,880 milionë lekë kundrej planit të miratuar me ligjin e buxhetit, përsëri detyra e tejkalua. Të ardhurat për fondin e sigurimeve shoqërore nga kontributet e personave juridikë dhe fizikë dhe të ardhurat e tjera nga 78, 536 milionë lekë të programuara, u realizuan 79,341 milionë lekë, me një tejkalim prej 805 milionë lekë, ndër to të ardhurat në përgjegjësi grumbullimi nga DPT janë realizuar në masën 99.7%, ose nga 75,809 milionë lekë në 76,078 milionë lekë, me një tejkalim prej 269 milionë lekë, ose 100.4%.
  8. Në 5 vitet e fundit evidentohet një rritje e ndjeshme e të ardhurave nga kontributet, e cila kryesisht është pasojë e rritjes së numrit të kontribuesve. Në vitin 2018, kundrejt vitit 2013 të ardhurat e drejtpërdrejta nga kontributet dhe të ardhurat e tjera janë rritur me 27,951 milionë lekë, ose 54.4%. Në total, në vitin 2018 numri i kontribuesve arriti në 778,144 persona. Kundrejt vitit 2013, i cili është përcaktuar si vit bazë i reformës së pensioneve të vitit 2014, numri i kontribuesve është rritur me 216,975 persona, ose 38.7 % më shumë, ndërkohë që numri fizik i tyre është edhe më i lartë. Problematike mbetet pjesëmarrja e fermerëve në skemën e kontributeve shëndetësore, ku nga 255 milionë lekë janë realizuar vetëm 63 milionë lekë, ose rreth 25% e planit. Kjo mbetet një çështje mjaft thelbësore për t’u zgjidhur.
  9. Gjatë vitit 2018 janë trajtuar me pagesa përfitimi rreth 635,700 pensionistë të të gjithë llojeve e kategorive, si dhe 16,000 përfitues me përfitime për sëmundje, barrëlindje dhe aksidente në punë. Gjithashtu, ISSH vazhdon të administrojë skemën e pensioneve të posaçme, skemën e pensioneve suplementare të punonjësve që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësve të tjerë të shtetit, skemën e sigurimeve suplementare të ushtarakëve, pilotëve, ushtarakëve të nëndetëseve, policisë së shtetit, skemën e trajtimeve financiare të veçanta për minatorët dhe punonjësit e industrisë ushtarake, skemën e trajtimeve të veçanta për familjet e dëshmorëve me 36,180 përfitime, si dhe pagesat për rimbursimin e shpenzimeve të funeraleve.
  10. Janë respektuar çdo muaj limitet e programuara të fondeve për shpenzimet e administrimit, si dhe për transfertat në buxhetet familjare e shpenzimet e tjera. Në përfundim, shpenzimet për sistemin e sigurimeve shoqërore u mbyllën në masën 98.4 % ose nga 127,360 milionë lekë të programuara, u realizuan me 125,364 milionë lekë, me një kursim prej 1,995.6milionë lekë, nga të cilat rreth 400 milionë lekë kryesisht janë pasojë e efekteve të reformës së pensioneve.

Në mbyllje z. Hado theksoi se arritjet për vitin 2018 kanë qenë të mëdha, megjithatë, përsëri kemi shumë punë përpara për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve, uljen e numrit të ankesave, vazhdimin e implementimit të reformës së pensioneve dhe rritjen e qëndrueshmërisë financiare  të skemës nëpërmjet realizimit të të ardhurave dhe mirëadministrimit të shpenzimeve.

Ndaj dhe objektivat që kemi për vitin 2019 kërkojnë përkushtimin e çdo punonjësi të sigurimeve shoqërore për realizimin e tyre. Ndër prioritetet e vitit 2019 janë:

  • Rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe orientimi i punës së ISSH- së pro- klient;
  • Ulja e kërkesë – ankesave të qytetarëve ndaj ISSH-së, duke thjeshtëzuar procedurat, eliminimi i barrierave administrative, respektimi i afateve të shërbimit, unifikimi i praktikave dhe zgjidhja administrative e çështjeve që ankimohen;
  • Pagesat online për të gjitha përfitimet dhe intensifikimi i punës për kalimin e pagesave të pensioneve në Banka;
  • Realizimi i të ardhurave kontributive në përgjegjësi të ISSH-së dhe numrit të kontribuesve, duke rritur pjesëmarrjen në skemë të fermerëve;
  • Intensifikimi i punës për dixhitalizimin e periudhave të sigurimit dhe kalimi në historikun kontributiv si llogari individuale;
  • Zbatimi me korrektësi i transfertave në buxhetet familjare nga sigurimet shoqërore dhe i politikave të Qeverisë në fushën e pensioneve;
  • Pjesëmarrja aktive për arritjen e marrëveshjeve bilaterale në fushën e mbrojtjes shoqërore;
  • Ulja me 10% e numrit të pensioneve që caktohen jashtë afateve ligjore, duke vënë theksin sidomos në drejtim të ngushtimit të afateve të caktimit të pensioneve të invaliditetit, si dhe ulja me 5% e ditëve mesatare të caktimit të pensionit;
  • Mbledhja me 2.4% më shumë të të ardhurave nga kontributet, në krahasim me realizimin e tyre gjatë vitit 2018;

Lehtësimi i procedurave të transferimit të qendrës së pagesës për marrjen e pensioneve, deklarimit të konfirmimit të pagesave në bankë, si dhe shërbimeve të tjera lidhur me qytetarët.

Leave a Comment