Delegacioni i ISSH-së, i kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme, zonja Vjollca Braho, ishte ftuar nga Drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë, zoti Bekim Neziri, për të diskutuar mbi marrëveshjen për njohjen e periudhave kontributive të qytetarëve të të dy vendeve. Pjesë e këtyre takimeve ishte dhe një delegacion nga Republika e Kosovës, i cili kryesohej nga zoti Sami Saliu, Drejtor i Departamentit për Administratë Pensionale të Kosovës.

Gjatë këtyre takimeve u prezantuan skemat e sigurimeve shoqërore të të tri vendeve, në mënyrë që të bëhet e mundur njohja e plotë e legjislacionit dhe përmirësimi i kuadrit bashkëpunues në fushën e kontributeve dhe përfitimeve mes tri vendeve.

Në datën 12 shkurt 2014, delegacionet u pritën nga Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, zoti Musa Xhaferri, ndërsa në datën 13 shkurt u pritën nga Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, zoti Dime Spasov. Në të dy këto takime u vu theksi mbi thellimin e bashkëpunimit mes tri vendeve në fushën e mbrojtjes sociale, si dhe përshpejtimit të hapave për të bërë të mundur nënshkrimin sa më të shpejtë të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.