Mbrojta shoqërore dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit ka qenë në qendër të takimit tripalësh, mes drejtuesve të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë, Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë dhe Departamentit për Administratë Pensionale të Kosovës. Ky takim, i pari i këtij lloji, u zhvillua në datën 12 shkurt 2014 në Shkup dhe në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja dhe njohja e periudhave kontributive mes shtetasve që punojnë në të tri vendet, pavarësisht se ku jetojnë.

Drejtori i Fondit të SPIM-së, z. Bekim Neziri, i cili, mbajti dhe fjalën e hapjes, falënderoi për pjesëmarrjen, dhe shprehu besimin se ky takim do të kontribuojë në tejkalimin e disa çështjeve nga fusha e sigurimit shoqëror, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm me këto shtete. Z. Neziri theksoi faktin se është i nevojshëm nënshkrimi i marrëveshjes me Shqipërinë, për të vijuar më pas me diskutimet në nivel teknik, në mënyrë që kjo marrëveshje, pasi të miratohet nga ministritë përkatëse dhe parlamentet e dy vendeve, të hyjë në fuqi sa më shpejt. “Ne duhet ta bëjmë sa më shpejt të mundur këtë marrëveshje, pasi është e pakuptimtë që Republika e Maqedonisë të ketë marrëveshje për sigurim shoqëror me shumë vende, por jo me fqinjët e saj”, deklaroi z. Neziri.

Nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, vuri theksin në thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, si një mjet për kujdesin ndaj qytetarëve të të tri vendeve. “Tashmë negociatat mes Shqipërisë dhe Maqedonisë po shkojnë drejt përfundimit, pasi kanë përfunduar tre raunde bisedimesh mes palëve, kështu që është e domosdoshme të vazhdojmë me tej deri në nënshkrimin e saj. Shqipëria është përfshirë në një sërë negociatash të tilla me shumë vende të Europës dhe presim që disa prej tyre të realizohen në një kohë sa më të shkurtër. Ndërkohë, që është e nevojshme të mbyllet sa më shpejt marrëveshja mes dy vendeve tona”, deklaroi Braho. Duke vijuar fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, vuri theksin edhe në nevojën e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Departamentin për Administratë Pensionale të Kosovës. Ajo theksoi numrin e lartë të shtetasve të Republikës së Kosovës, që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, si dhe të atyre të Shqipërisë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend. “Këto marrëveshje, do t’iu japin mundësi të gjithë qytetarëve që të mos humbasin asnjë ditë kontribute nga llogaria e tyre, duke u dhënë mundësinë e një përfitimi të drejtë e në kohën e duhur”, përfundoi kreu i ISSH-së. Gjithashtu, Braho, vuri theksin edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve, lidhur me skemën e pensioneve, duke qenë se Shqipëria është duke u përgatitur për reformën e sistemit të pensioneve, pasi sistemi i sigurimit pensional dhe invalidor në Republikën e Maqedonisë i përket sistemit trekolonësh.

Sa i përket Marrëveshjes për sigurim shoqëror ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë deri tani janë mbajtur tri raunde të marrëveshjes, prej të cilave i fundit është mbajtur në mars të vitit 2013 në Shkup.

Ndërsa me Republikën e Kosovës, duke filluar nga data 17 nëntor 2013 ka hyrë në fuqi marrëveshja për përcaktimin e ndërsjelltë të periudhave të sigurimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.