Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, shpalosi sfidat e institucionit për vitin 2014, gjatë një takimi ku u prezantuan edhe 12 drejtorët e rinj të Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në qarqe.

“Ne jemi një institucion i lidhur thuajse me çdo familje shqiptare, ndaj performanca jonë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Kjo na bën të privilegjuar për shkak të kontaktit me thuajse çdo qytetar, si përfitues apo kontribues, por njëkohësisht na rrit përgjegjësinë për të bërë të mundur që çdokush të gjejë tek punonjësit tanë gadishmërinë për t’i shërbyer”, tha Braho, duke i kërkuar drejtuesve të rinj që t’i bashkangjiten traditës së mirë që ka krijuar ISSH në komunikimin e hapur me publikun. “Ne besojmë se shërbimi me trasparencë dhe në kohë është sfida jonë e përditshme, e njëkohësisht detyrimi ynë për të bërë të mundur që çdo përfitues të marrë atë që i takon”, tha Braho, duke i kërkuar drejtuesve që të gjejnë rrugët për të bërë të mundur komunikimin me çdo qytetar që kërkon shpjegime apo shërbime në zyrat e sigurimeve shoqërore.

Ndër sfidat e tjera u përmendën edhe realizimi i llogarive personale për çdo kontribues në skemë: i punësuar apo i vetëpunësuar, në fshat apo qytet,  llogaritja automatike e pensioneve nëpërmjet softit të përgatitur, rritja e kontrollit për pensionet e invaliditetit për të shmangur subjektivizmin në këtë lloj përfitimi, si dhe realizimi i të ardhurave nga kontributet, nën përgjegjësinë e ISSH-së.

Në takim u  përmend si një hap drejt përafrimit edhe më shumë me publikun hapja e rubrikave “Pyesni Online” dhe “Denonco Online”, të cilat kanë bërë të mundur një komunikim edhe më të drejtëpërdrejtë të qytetarëve me institucionin. “Thellimi i kësaj eksperience komunikimi me qytetarët, marrja në konsideratë e mendimeve të tyre rreth shërbimit nga ana jonë, do të na bëjë më të afërt me çdo qytetar, e njëkohësisht më të besueshëm në përmbushjen e detyrave tona”, theksoi Braho.

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kërkoi një bashkëpunim sa më të përshpjetuar mes të gjitha DRSSH-ve për t’iu përgjigjur çdo verifikimi që kërkohen nga qytetarët, lidhur me historinë e tyre kontributive, e njëkohësisht përgjegjësinë për të përmbyllur sa më sukseshëm procesin e informatizimit të plotë të aktivitetit të ISSH-së. “Ne jemi të bindur se mirëmenaxhimi i skemës është një detyrim ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar, duke bërë të mundur që çdo person të marrë atë që i takon dhe që askush të mos jetë pjesë e përfitimeve të padrejta. Informatizimi i plotë i gjithë sistemit të sigurimeve shoqërore rrit saktësinë e përfitimeve dhe shmang faktorët subjektivë me ndikim në dëmtimin e fondeve”, tha Braho.