Në datat 7 dhe 8 Tetor 2013, një delegacion  i Ministrisë së Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit të Aftësive të Kanadasë, zhvilloi disa takime në Tiranë, qëllimi i të cilave ishte shkëmbimi i informacionit për strukturën e programeve të mbrojtjes shoqërore në të dy vendet, veçanërisht të skemës publike të pensioneve dhe fillimin e negociatave për arritjen e marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen shoqërore midis dy vendeve.

Pas takimit me Ministrin për Mirëqënien Sociale dhe Rininë, z. Erjon Veliaj, delegacioni kanadez, i kryesuar nga z. Rakesh Patry, Drejtor i  Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Politikave të Pensionit, zhvilloi një takim dhe me znj. Vjollca Braho, Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Gjatë këtij takimi, pala kanadeze u njoh me funksionimin e skemës së pensioneve që administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, si dhe kapacitetet institucionale të ISSH-së për shkëmbimin e periudhave kontributive, për realizimin e marrëveshjes së pritshme midis dy vendeve.

Nga ana e palës kanadeze u bë e njohur funksionimi administrativ i dy skemave të pensioneve në Kanada. Takimi u zhvillua në një frymë të ngrohtë dhe  mirëkuptimi dhe u shpreh gatishmëria e dyanshme për bashkëpunimin teknik midis dy institucioneve.