Intervistë/ Flet për ATSH-në, Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, datë 18 shkurt 2014

Aktualisht në Shqipëri  janë rreth 561 mijë pensionistë. Ndërkohë nga kontrollet e vazhdueshme që i janë bërë skemës së sigurimeve shoqërore është bërë e mundur që gjatë muajve të fundit të largohen prej saj rreth 5700 abuzues. Në një intervistë për ATSH-në Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të sigurimeve Shoqërore Vjollca Braho tha se janë marrë një sërë masash për pastrimin e skemës.

“Skema e sigurimeve shoqërore po i nënështrohet një reforme që po zhvillohet në dy shtylla si ajo administrative dhe parametrike. Është një punë mjaft e madhe dhe për pastrimin e skemës nga abuzuesit. Kemi punuar me dy grupe kontrolli një nga auditti i ISSH, dhe një tjetër të ngritur me specialist nga drejtoritë për të kontrolluar punën që është bërë në to”, Braho theksoi se një rëndësi e madhe i është kushtuar dhe dixhitalizimit të regjistrave. “Në të njëjtën kohë kemi përfunduar gati 95% të hedhjes së dosjeve të pensioneve në regjistrin e pensioneve. Ndërkohë ky regjistër është lidhur me regjistrin e gjëndjes civile dhe është bërë ballafaqim mes tyre. Si rezultat i këtij kontrolli, janë gjetur rreth 5700 dosje të cilat ishin me probleme abuzuese, si psh ndryshim i ditëlindjeve dhe vjetërsisë së punës”, sqaroi drejtoresha e ISSH-së.

Ndërkohë Instituti i Sigurimeve Shoqërore me mbështetjen e Bankës Botërore, ka ngritur arkivën qëndrore të sigurimeve shoqërore, i cili daton prej vitit 1945. Vjollca Braho tha se “nga ana e ISSH është bërë një punë e madhe në këto dy vite, për të gjithë dixhitalizmin dhe informatizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore. Është ngritur Arkiva Qëndrore e Sigurimeve Shoqërore e cila ndodhet në Lundër të Tiranës. Në të është mbledhur i gjithë dokumentacioni arkivor, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale dhe është duke u punuar për të hedhur vjetërsinë në punë që nga vitit 1945 dhe deri në ditët e sotme. Aktualisht ka përfunduar hedhja e regjistrave të gjithë ish-koperativave bujqësore, dhe po punohet për hedhjen e vjetërsisë në punë për ndërmarrjet shtetërore. Gjithashtu është bërë zhvillimi dhe implementimi i sistemit informatik të gjithë pjesës financiare, të të gjithë kontributeve që janë derdhur në të gjithë këto vite në sistemin e sigurimeve shoqërore”, tha ajo.

Sipas drejtoreshës është shumë e rëndësishme të vazhdohet ky projekt përsa i përket mirëmbajtjes apo dhe back up-it që duhet ti bëhet sistemit. Serverat me të dhënat e Sigurimeve shoqërore janë të vendosuara në Arkivën shtetore dhe në institucionin e ISSH, por njëkohësisht duhet të krijohet dhe një server rezervë, për të qënë i pranishëm në çdo rast dhe për të mos penguar punën, pasi janë të ardhurat e 561 mijë pensionistë që varen në të./a.gj/

Tags: