Intervistë e znj. Vjollca Braho, Drejtore e Përgjithshme e ISSH-së, dhënë në Gazetën “Panorama”, datë 2 Dhjetor 2013.

Të dhëna, nga viti i daljes në pension te llogaritja e përfitimit.
Uebsajti i ISSH-së, dy rubrika për informacione dhe denoncime.

Të gjithë qytetarët që kërkojnë informacion lidhur me sistemin dhe përfitimet nga sigurimet shoqërore mund ta arrijnë atë në mënyrë elektronike.

Kjo pa qenë nevoja për të përdorur shërbimin postar, ose për t’u paraqitur personalisht pranë zyrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në vijim të procesit të informatizimit të ISSH-së, si dhe për t’u ofruar një shërbim sa më të mirë qytetarëve, prej fillimit të muajit tetor në faqen zyrtare të këtij institucioni, www.issh.gov.al, janë hapur dy rubrikat e reja, që janë: Pyesni Online dhe Denonco Online.

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, bëri të ditur për “Panorama” se “ky shërbim ofron një sërë lehtësirash për të gjithë qytetarët që jetojnë si jashtë, ashtu edhe brenda vendit. Kjo për faktin se koha e marrjes së përgjigjes për pyetjet apo ankesat që ata kanë është shumë herë më e shkurtër. Sipas drejtueses të ISSH-së, dy rubrikat e reja erdhën pas interesimit në rritje të qytetarëve lidhur me të shkuarën e tyre në aspektin e sigurimeve shoqërore, si dhe për qartësimin e masës së pensionit të përfituar.

PYETJET
Për periudhën dymujore në adresën elektronike janë postuar mbi 80 pyetje nga qytetarët për çështje të ndryshme, të cilat kanë marrë përgjigje nga specialistët e ISSH-së, brenda tri ditësh nga dërgimi i tyre. “Tematika e këtyre pyetjeve ka qenë e ndryshme, por janë të ndara pothuajse në numër të barabartë ndërmjet fushës së kontributeve dhe asaj të përfitimeve”, theksoi Braho. Sipas saj, çështjet që ngrenë qytetarët kanë të bëjnë me pyetje për verifikimin e derdhjes së kontributeve nëpër firma private, ajo mbi bashkimin e periudhave kontributive për efekt pensioni për qytetarë që jetojnë në Itali e Greqi, si dhe për sigurimin vullnetar, procedurat që duhet ndjekur për aplikim dhe përfitimet. Një pjesë e qytetarëve kërkojnë llogaritjen e masës së pensionit ose moshën e daljes në pension, si dhe informacion apo edhe kërkesa për rishikimin e përfitimeve suplementare.

“Për t’u dhënë zgjidhje sa më të shpejtë kërkesave dhe pyetjeve të qytetarëve, pavarësisht se nga cili qytet janë adresuar ato, specialistët e caktuar kërkojnë informacion të menjëhershëm nga drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa në rastin kur është e nevojshme të verifikohet dosja e pensionit të kërkuesit, ajo skanohet dhe dërgohet menjëherë në rrugë elektronike në ISSH, për t’u riverifikuar sipas kërkesës së dërguar me e-mail”, sqaron Braho. Në mënyrë që specialistët e ISSH-së ta kenë më të lehtë kontaktin me qytetarin që ka dërguar kërkesën online, të gjitha fushat shfaqen në ekranin e kompjuterit.

Pasi klikohet në rubrikën “Pyesni online”, janë të detyrueshme për t’u plotësuar të gjitha rubrikat, ku përfshihet edhe një numër kontakti telefonik. Kjo për faktin se gjatë shqyrtimit të kërkesave mund të lindë nevoja për informacion më të hollësishëm nga qytetari, çka do ta bëjë më të shpejtë kthimin e përgjigjes. Sipas Brahos, kjo mënyrë aplikimi nuk ka zhvlerësuar pjesën tjetër, pra atë të kërkesave apo të ankesave të sjella me rrugë postare, ku edhe për këtë lloj shërbimi fluksi i letrave nga ana e qytetarëve vijon të jetë mjaft i madh.

DENONCIMET
Për sa i përket rubrikës “denonco online”, mësohet se gjatë periudhës 03 tetor – 27 nëntor gjithsej ka pasur 7 denoncime. “Të gjitha këto ankesa kanë kaluar për ndjekje dhe pasi janë bërë verifikimet përkatëse, janë marrë edhe masat e nevojshme. Me këtë rast më lejoni që të ftoj të gjithë qytetarët që kanë paqartësi apo që kanë ankesa t’i drejtohen faqes sonë të internetit për të depozituar pyetjet dhe ankesat e tyre dhe i garantoj që përgjigja nga ana jonë do të jetë shumë e shpejtë”, shprehet Braho për “Panorama”.

Ndërkaq, për sa u përket denoncimeve të bëra, janë konstatuar ankesa për vonesa në lidhjen e pensionit, si dhe ankesa për punonjës të sistemit të sigurimeve shoqërore.
 

Tags: