Intervistë e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, dhënë në “Gazeta shqiptare”, 27 tetor 2017.

Katër certifikata dhe një sërë dokumentesh të tjera do të sigurohen ‘online’ dhe një pensionist duhet vetëm të paraqitet në zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ky institucion bën me dije se për pensionistët nuk ka më arsye të humbasin kohë në sportelet e gjendjes civile si dhe të shpenzojnë para, pasi dokumentet janë ‘online’.

Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, bën të ditur se një pensionist nuk ka më arsye përse të shkojë në gjendjen civile për të tërhequr certifikatat, që i duhen për të përfituar pension. Përmes procesit të rregullimit që parashikon transferimet ‘online’ të dokumenteve, punonjësit në zyrat e pensioneve i tërheqin vetë ato përmes sistemit.

“Katër lloj certifikatash mund të gjenden ‘online’ përmes portalit ‘e-Albania’, që është certifikata familjare, certifikata personale e cila në përgjithësi nuk kërkohet, certifikata e vdekjes, në rastet kur pensionistët ndërrojnë jetë dhe certifikata e martesës për ato martesa që janë realizuar pas vitit 2008.

Përpara vitit 2008 nuk janë të dixhitalizuara, që do të thotë janë mbi bazë letre.

Të gjitha ato certifikata do të sigurohen vetë në portalin tonë përmes lidhjes që kemi me gjendjen civile. Qytetari vetëm deklaron”, thotë Hado në një intervistë për “Ora News”. Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, tha se edhe një sërë dokumentesh të tjera tërhiqen ‘online’. “Ne sigurojmë vetë edhe një sërë dokumentesh të tjera, të cilat prodhohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore nga segmente të caktuara të administratës së sigurimeve shoqërore, si dhe dëshminë e penalitetit për përfitimet suplementare nuk ua kërkojmë më qytetarëve, por e marrim ne pranë Ministrisë së Drejtësisë”, bën të ditur Hado.

 Pagesat

“Në këtë mënyrë, pensionisti përfiton duke mos paguar para dhe duke mos shpenzuar kohë. Çdo certifikatë kushton 500 lekë të vjetra, minimalisht për çdo përfitim ne kërkojmë 2-3 certifikata, që për një pensionist është e qenësishme, por është edhe koha e harxhuar. Nuk do të shkojnë qytetarët pensionistë të mbajnë radhë në gjendje civile që të marrin certifikatë. Apo ndonjëherë për shkak të shumë arsyeve mund ta marrin edhe gabim, dhe do të duhet të rikthehen dhe ta marrin prapë. I gjithë sistemi i ISSH është dixhitalizuar, ndaj pensionistët aktualisht përfitojnë nga këto lehtësira”, bën të ditur drejtori i ISSH-së, Astrit Hado.

Vërtetim pensioni

Shërbimi elektronik “Vërtetim pensioni” u mundëson qytetarëve të marrin ‘online’ vërtetimin e përfitimit të pensionit. Shërbimi është i vlefshëm vetëm për kategorinë e qytetarëve që përfitojnë pension.

Dokumentacioni i nevojshëm

1.Dokument identifikimi. Kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin ‘e-Albania’).

Hapat e procedurës

1.Regjistrohuni si qytetar në portal.

2.Kërkoni shërbimin “Vërtetim pensioni”.

3.Klikoni butonin “Përdor” për të parë dhe shkarkuar vërtetimin e përfitimit të pensionit.
Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit: Menjëherë; periudha e vlefshmërisë, pa afat.
Kostot: Pa pagesë

Certifikata personale

Shërbimi elektronik “Certifikatë personale” në “e-Albania” ju mundëson të shikoni dhe verifikoni të dhënat personale, duke marrë ekstrakt nga regjistri i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, në formën e certifikatës personale.

Dokumentacioni i nevojshëm

1.Dokument identifikimi: Kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portal).

Hapat e procedurës

1.Identifikohuni si qytetar në portalin “e-Albania”

2.Zgjidhni shërbimin “Certifikatë personale”.

3.Klikoni butonin “Përdor”

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit: Menjëherë

Kostot: Marrja e informacionit nëpërmjet portalit “e-Albania” është pa kosto. Në qoftë se ju i drejtoheni gjendjes civile për marrjen e këtyre informacioneve, kosto është 50 lekë.

Masat e patërhequra të pensionit të pleqërisë

Ky shërbim elektronik bën të mundur publikimin e masave të patërhequra të pensionit të pleqërisë.
Dokumentacioni i nevojshëm

Dokument i identifikimit të kërkuesit: kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin “e-Albania”).

Hapat e procedurës

Për të përdorur shërbimin duhet të regjistroheni si qytetar në portal dhe të aksesoni shërbimin, i cili hapet menjëherë kur klikoni butonin “Përdor” në krah të tij.
Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit: Menjëherë.

Kostot: Pa pagesë.