Në kuadër të Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr. 23/2016, datë 10.03.2016, në datat 20-21 shtator 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u organizua takimi për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren në implementimin e kësaj Marrëveshjeje. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues nga institucionet përkatëse të të dy vendeve.

Nga zbatimi i kësaj marrëveshje do të mundësohet njohja dhe mbrojtja e kontributeve të paguara nga shtetasit që kanë qenë subjekt i legjislacioneve respektive në të dy vendet, duke bërë të mundur që asnjë kontribut i tyre të mos humbasë, por të merret në konsideratë në llogaritjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni.

Kjo Marrëveshje është e një rëndësie të veçantë për arsye të numrit të madh të shtetasve shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë pranë shtetit gjerman, duke bërë të mundur garantimin e të drejtave të tyre, pa i humbur ato për arsye të lëvizjes dhe punësimit të lirë.