A keni ju projeksione për ecurinë e popullsisë në përgjithësi dhe moshës së tretë?

Një nga elementët kryesorë të studimit, vlerësimit, monitorimit dhe që ndikon në vendimmarrje në fushën e pensioneve është faktori demografik. Në analizat tona merren në konsideratë fuqia punëtore aktive, lindshmëria, vdekshmëria, jetëgjatësia në lindje, jetëgjatësia në moshën e daljes në pension, pesha që zë grupi mbi 65 vjeç në raport me popullsinë dhe me forcat aktive për punë etj. Padyshim që ne kemi projeksione të ecurisë së popullsisë për ata tregues që kanë lidhje me ecurinë e skemës së pensioneve që bazohen në të dhënat e INSTAT dhe të dhënat e UN. Një projeksion i popullsisë u realizua edhe në vitin 2014 në momentin e hartimit të reformës së pensionit si një pjesë integrale dhe shumë e rëndësishme e projeksionit të ecurisë së sistemit të pensionit deri në vitin 2080. Ky projeksion ose analizë e të gjithë të dhënave demografike të mbledhura na tregon një tendencë të tkurrjes së popullsisë rezidente në Shqipëri, rënie të lindshmërisë, plakje të popullsisë dhe rritje të peshës specifike të popullsisë mbi 65 vjeç në raport me totalin e popullsisë. Nëse në vitin 2012, popullsia rezidente në Shqipëri ka qenë rreth 2.9 milionë banorë, në vitin 2080 parashikimet janë për një tkurrje të ndjeshme dhe popullsia në këtë vit do të jetë rreth 2 – 2.1 milionë banorë. Një tregues tjetër është që nëse në vitin 2012, popullsia mbi 65 vjeç zë 14.9% të totalit të popullsisë, në vitin 2080, kjo kategori do të arrijë në rreth 29.5%.

Tkurrja e popullsisë dhe plakja

Nëse në vitin 2012, popullsia rezidente në Shqipëri ka qenë rreth 2.9 milionë banorë, në vitin 2080 parashikimet janë për një tkurrje të ndjeshme dhe popullsia në këtë vit do të jetë rreth 2 – 2.1 milionë banorë. Një tregues tjetër është që nëse në vitin 2012, popullsia mbi 65 vjeç zë 14.9% të totalit të popullsisë, në vitin 2080, kjo kategori do të arrijë në rreth 29.5%.

Si ndikohet skema pensioneve nga fenomeni?

Plakja e popullsisë ka ndikim direkt dhe shumë të madh në skemën e pensioneve, sidomos në skemën publike që funksionon sipas parimit ‘Pay as you go’ (PAYG). Sipas këtij parimi, pensionet e një periudhe të caktuar financohen nga kontributet që paguhen po në atë periudhë. Një rënie e lindshmërisë do të thotë numër i ulët kontribuuesish në skemë dhe për rrjedhojë të ardhura të ulëta për të mbuluar shpenzimet për pension. Nga ana tjetër, rritja e numrit të pensionistëve, si dhe rritja e jetëgjatësisë në moshë pensioni ose siç njihet ndryshe rritja e kohës së gëzimit të pensionit do të rrisë shpenzimet për pensione. Ulja e të ardhurave, si rezultat i numrit të ulët të kontribuuesve dhe rritja e shpenzimeve si rezultat i rritjes së numrit të pensionistëve dhe kohës së gëzimit të pensionit, do të krijojë deficit të skemës dhe vështirësi financiare në pagimin e përfitimeve. Një situatë e tillë do të çojë ose në ulje të masës së pensionit, ose në rritje të sasisë së parave që buxheti i shtetit do të transferojë në formën e subvencionit në drejtim të sigurimeve shoqërore. Rritja e subvencionit për pensionet do të përkthehej në ulje investimesh dhe shpenzimesh të tjera, rritje të taksave ose rritje të borxhit publik. Pasojat besoj se janë të kuptueshme për të gjithë.

Tags: