Intervistë e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, z. Astrit Hado, dhënë në gazetën “Panorama”, datë 07  mars 2016.

Nga rritja e moshës së pensionit për femrat, deri te falja e “borxhit” për ushtarakët dhe kompensimi i energjisë elektrike.

Drejtori i ri i ISSH-së sqaron në një intervistë për gazetën efektet e reformës së pensioneve. Astrit Hado, si një ndër hartuesit e reformës, qartëson shtresat që preken në vitin e dytë të zbatimit të saj. Si do të zgjidhen radhët e gjata në pritje të daljes së pensionit, vendimi për shmangien e gjyqeve për njohjen e vjetërsisë në punë dhe rastet kur pensioni është rritur nga aplikimi i formulës së re.

Sipas Hados, zgjidhja e parë pritet të jetë për vjetërsinë në punë para viteve 1994. Vendimi i ri i qeverisë do të bëjë të mundur njohjen e regjistrave, edhe kur janë shkruar me laps. Çfarë dokumentesh do të paraqesin pensionistët për të marrë kompensimin e energjisë dhe rastet e përfitimit deri në 1988 lekë në muaj.

Gjatë analizës së djeshme u fol edhe për njohjen e viteve të punës, kur regjistrat kanë qenë shkruar me laps. Çfarë do të thotë kjo për të punësuarit?

Shumica e dokumenteve që përdoren për të caktuar pensionet janë krijuar si fond arkivor i vjetërsisë në punë shumë vite më parë. Konkretisht, e gjithë periudha e punës para vitit 1994 është e dokumentuar në regjistrat e punës dhe pas vitit 1994 janë të evidentuara në listëpagesat mujore të dorëzuara pranë Sigurimeve Shoqërore dhe organeve tatimore. Evidentimi i vjetërsisë në punë të periudhës para vitit 1994 paraqet një problematikë serioze, çka krijon vështirësi në verifikim, vonesa në lidhjen e pensionit, si dhe shpesh mosmarrja në konsideratë nga ana jonë për shkak të problematikave që mbartin. Shpesh regjistrat janë vetëm me datën e fillimit të punës dhe pa datën e mbylljes se punës, gjeneralitetet e të punësuarve të shkruara gabim, me shkurtime ose me korrigjime, pa atë- si, pa datëlindje ose me atësi dhe datëlindje të korrigjuara, si dhe të dhëna të shënuara më laps plumbi. Kjo mënyrë mbajtjeje e regjistrave të vjetërsisë nuk ka qenë e parashikuar dhe e lejuar sipas legjislacionit të kohës, pasi janë lehtësisht të ndryshueshme dhe objekt falsifikimi dhe përfitimi të padrejtë. Por ne ndodhemi përpara këtij fakti dhe personave që kanë vjetërsi të shkruara me laps nuk iu njihen këto periudha, janë të detyruar t’i drejtohen Gjykatës. Rastet e këtij fenomeni janë: regjistra të disa kooperativave bujqësore, ku të gjithë të dhënat e vjetërsisë në punë janë me laps, vite ose grup vitesh të caktuara që janë me laps për të gjithë të punë- suarit, gjeneralitetet të shënuara me laps plumbi etj. Ky fenomen ndeshet në rreth 6% e regjistrave të ditëve të punës në ish-kooperativat bujqësore. Për sa i përket shkrimit me laps kopjativ, këto periudha pune njihen nga ana jonë. Njohja e këtyre periudhave të punës do të bënte të mundur pagimin e pensionit në kohë dhe në masë të plotë, shmangien e sorollatjes në procese ankimimi administrative dhe gjyqësore, si dhe një ulje besimi dhe prishje imazhi të sigurimeve shoqërore. Kjo njohje vjetërsie do të bëhet pas miratimit të një Vendimi të Këshillit të Ministrave, i cili është në proces hartimi. Në këtë projektvendim janë parashikuar të gjitha rastet kur njihen dhe procedura të përpikta të verifikimit të tyre dhe të gjithë fondit arkivor të vjetërsisë në punë.

Ju po thoni që do të dalë një VKM vetëm për këtë problem?

Projektvendimi që është duke u hartuar, në fakt është një vendim i cili përcakton procedura administrative për verifikimin dhe njohjen e vjetërsive të punës të periudhës para 19994, që kanë mangësi apo gabime, si dhe dokumentet e burime alternative që vërtetojnë këto periudha pune. Fatmirë- sisht, të gjitha regjistrat e vjetërsisë në punë të ish-KB dhe ishndërmarrjeve shtetërore që nuk kryejnë më aktivitet janë në arkivën tonë qendrore, janë të dixhitalizuara dhe verifikimi që do të bëhet është i plotë. Shpresojmë që ky projektvendim të miratohet dhe njëkohë- sisht të zgjidhë shumë raste që deri më sot nuk kanë gjetur zgjidhje. Dua të theksoj se këto raste nuk janë marrë në konsideratë nga ana jonë bazuar në legjislacionin në fuqi dhe jo për arsye subjektive.

Ka një ide për shmangien e gjyqeve pafund për dokumentet e pensionit. Si parashikohet të lehtësohen qytetarët?

Një nga hapat e parë është miratimi i vendimit që përmenda më sipër dhe dhënia më shumë kompetencë ISSH-së për zgjidhje administrative të pasaktësive në dokumentacionin e vjetërsisë në punë. Është shqetësues fakti që shumë qytetarë detyrohen të shkojnë në gjyq, jo për fajin e tyre, por të mënyrës së mbajtjes së dokumentacionit vite më parë nga punonjësit e ngarkuar me këtë detyrë. Gjithashtu, është shqetësues edhe për punonjësit e Sigurimeve Shoqërore, pasi ankesat drejtohen te ne duke rritur ndjeshëm edhe volumin e punës dhe shtimin e pakënaqësive të pensionistëve. Mbledhja e të gjithë dokumentacionit pranë arkivës qendrore dhe dixhitalizimi i tyre na krijon mundësinë e verifikimit shterues në të gjithë fondin arkivor dhe përgjigje përfundimtare qytetarëve. Dua të theksoj se ky do të jetë një proces i plotë verifikimi që t’u jepet e drejta qytetarëve, por njëkohësisht shmangur abuzimet dhe mbrojtjen e fondeve të sigurimeve shoqërore.

Ju folët edhe për shkurtimin e kohës së lidhjes së pensionit. Sa është aktualisht kjo kohë dhe sa pritet të ulet? Po dokumentet do të thjeshtohen?

Aktualisht, koha e lidhjes së një pensioni në Shqipëri është 27 ditë si mesatare dhe ka pensione që lidhen për 10 ditë, sikundër ka pensione që lidhen për dy muaj, p.sh. në varë- si të dokumentacionit që paraqet qytetari, dokumenteve të vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit që janë arkivuar, nga lëvizjet e punës që ka çdo individ dhe shumë arsye të tjera. Në gjykimin tim, ky është një afat i mirë duke pasur parasysh lëvizjen e lirë të njerëzve nga një rreth në tjetrin, cilësinë dhe saktësinë e dokumentacionit arkivor. Shqetësues paraqitet numri i pensioneve që lidhen jashtë afatit ligjor, që është 45-60 ditë, pasi qytetarët nuk marrin këstin e tyre mujor të parave dhe ndikon në cilësinë e jetës së tyre. Për të ulur afatin e caktimit të pensionit jemi duke marrë disa masa si thjeshtëzim të procedurave, rritjen e intensitetit të punës, përdorimin e sistemeve informatike të llogaritjes dhe pagimit të pensioneve, si dhe dixhitalizimin e vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit. Grumbullimi dhe dixhitalizimi i periudhave të sigurimit do të shkurtojë kohën e verifikimit të periudhave dhe përdorimin elektronik të të dhënave për llogaritje të përfitimeve dhe për rrjedhojë uljen e afateve.

Reforma po hyn në vitin e dytë. Cilat janë shtresat që po preken më shumë? E kam fjalën për rritjen e moshës së femrave për të dalë në pension.

Reforma e pensioneve ka ndikim te të gjithë shqiptarët, qoftë kontribuuesit dhe përfituesit aktualë, ashtu edhe kontribuuesit dhe përfituesit e ardhshëm. Kjo për faktin se pensionet janë produkt i një horizonti kohor shumë të gjatë dhe ndikohet nga kontributet e realizuara për 35-40 vjet. Më e prekshme në vitin e parë të implementimit të saj është rritja e moshës së grave me dy muaj, si dhe masa e pensionit. Grave që kanë lindur në vitin 1955, iu rrit mosha me dy muaj dhe pensioni u përfitua në moshën 60 vjeç e dy muaj. Por, nga ana tjetër, shumë pensionistë morën një pension më të drejtë të lidhur me vitet e sigurimit dhe pagat e tyre duke vendosur një drejtësi në masën e pensionit dhe shmangien e barazimit të pensionit. Rreth 7% e pensionistëve që kanë kontribuar për periudha të gjata dhe me paga të larta, përfituan pension më të lartë se pensioni maksimal prej 24800 lekësh që ishte me ligjin e vjetër. Personat që vendosën të shtynin daljen në pension, përfituan një bonus më të madh se me ligjin e vjetër nga 4% për çdo vit në 6%, duke përfituar një pension më të madh, por edhe një vlerësim të punës së tyre. Gjithashtu, edhe rreth 2000 qytetarë përfituan për herë të parë një pension social duke ndikuar në përmirë- simin e jetesës së tyre. Një ndikimi tjetër i reformës është pensioni për ish-minatorët e nëntokës, që përfituan pension në moshën 55-vjeçare dhe me masë më të lartë se trajtimi i veçantë që merrnin. Numri i tyre është mbi 3000 persona, që do të thotë që po kaq familje kanë më shumë mjetë jetese se një vit më parë.

Ka nisur edhe ndarja e pensionit social. Ju thatë se janë rreth 2 mijë përfitues… ndërkohë që gjatë hartimit të reformës është folur për 5 mijë përfitues. Kanë ndryshuar kushtet?

Është e vërtetë që në hartimin e reformës u parashikua që numri i përfituesve do të ishte rreth 5 mijë. Ky numër u parashikua nga projeksionet e bëra bazuar në të dhënat që disponohen dhe për një periudhë më të gjatë se një vit. Gjatë këtij viti janë paguar rreth 2000 pensione, janë në proces edhe rreth 250 pensione të tjera, që janë paraqitur së fundmi ose kanë pasur mangësi në dokumentacionin. Mund të ketë edhe raste që nuk jetojnë në Shqipëri dhe nuk e kanë të drejtën e përfitimit, pasi nuk plotësojnë kushtin e rezidencës. Nuk ka ndryshim të kushteve të përcaktuara në reformë dhe garantoj që të gjithë shtetasit shqiptarë që plotësojnë kriteret janë trajtuar me këtë pension të paguar për herë të parë në 2015. Edhe gjatë vitit 2016 e në vijim, do të rritet numri i përfituesve të pensionit social, pasi do ta mbushin moshën 70 vjeç këtë vit ose më vonë.

Keni pasur një takim me shoqatat e ushtarakëve. Ata kërkojnë shfuqizimin e vendimit që i mban para nga kompensimi. Çfarë pritet të ndodhë me këtë shtresë pensionistësh?

Kërkesa e vazhdueshme e ish-ushtarakëve që trajtohen me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është për faljen e debisë së krijuar, si rezultat i rillogaritjes së përfitimeve nën përcaktimet e ligjit nr. 10142. Kjo debi është krijuar si rezultat i ndryshimit të ligjit dhe vonesës së dërgimit të dokumenteve të përcaktuara në VKM nga institucionet që kanë të punësuar ish-ushtarakët. ISSH si institucion zbatues i ligjit të mësipërm ka zbatuar me korrektesë dispozitat ligjore, ka rillogaritur pensionet e parakohshme dhe ka paguar pensionet që rezultonin më të lartë se ligji i më- parshëm, ka llogaritur debitë për pensionet që nga rillogaritja rezultonin me masë më të ulët që nga data 01.07.2009 deri në momentin e rillogaritjes. Të gjitha rastet debitore janë të evidentuara saktë në sistemin informatik të pensioneve dhe pagesave dhe po arkëton debinë në bazë të ligjit. Pozicioni i ISSH-së në këtë lloj trajtimi është vetëm teknik dhe zbatues. Siç e përmendi në analizën vjetore ministri i Mirëqenies Sociale, z.Klosi, është duke u diskutuar një iniciativë ligjore që të falen këto debi. Me miratimin e kësaj iniciative ligjore nga ana e qeverisë, ISSH-ja është e gatshme që ta zbatojë në një kohë shumë të shkurtër sipas përcaktimeve që do të miratohen.

Ka një interes të madh për kompensimin e energjisë elektrike. Sot në rast se një pensionit plotëson kushtet, a mund të aplikojë për të përfituar kompensimin. Sa është ai?

Kompensimi për ndryshimet e çmimit ndër vite jepet për pensionistët kryefamiljarë të vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes, që janë pensionistë ose të papunë. Ky kompensim jepet sipas tre VKM-ve të ndryshme në masën 500 lekë sipas vendimit të parë, 140 lekë sipas vendimit të dytë dhe 648 sipas VKM-së së fundit ose në total 1288 lekë në muaj. Ky kompensim jepet vetëm për një pjesëtar të familjes ose një kontrate me entin shpërndarës së energjisë OSHE-së. Pra, në rastin kur pjesëtarë të familjes janë dy pensionistë, vetëm njëri e përfiton kompensimin që është kryefamiljari. Për pensionistët që kanë dalë në pension para 2015, është edhe një kompensim tjetër prej 350 lekësh, dhe në total për një familje pensionistësh të vetëm shuma totale e kompensimit është 1988 lekë në muaj. Numri i përfituesve aktualë është rreth 82 mijë pensionistë që paguhen çdo muaj. Të gjithë pensionistët që nuk përfshihen në këtë numër, por plotësojnë kushtet, kanë të drejtë të aplikojnë dhe ta përfitojnë kompensimin që nga momenti i dorëzimit të dokumenteve.

Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë dhe çfarë dokumentesh duhet të dorëzojnë?

Për të përfituar kompensimin duhet që pensionisti të jetë kryefamiljar, të jetë i vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë pensionistë (bashkëshorti/tja) ose të jenë të papunë, punëkërkues. Këtë kompensim e përfitojnë pensionistët që banojnë në qytet dhe pensionistët e invaliditetit që banojnë në fshat dhe qytet. Dokumentet që duhet të dorë- zojnë janë kopje e kontratës me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë në emrin e vet, kopje e librezës ose faturës së likuiduar që vërteton që e paguajnë energjinë e konsumuar, certifikatë familjare, për të vërtetuar që janë kryefamiljarë të vetëm ose kanë persona të tjerë të familjes në moshë pune, si dhe një deklaratë që plotësohet pranë sporteleve të agjencive tona. Verifikimi nëse pjesëtarët e tjerë të familjes janë të papunë, punëkërkues, bëhet nga ana jonë zyrtarisht në zyrat e punës. Në analizën vjetore të ISSH-së, Z.Klosi deklaroi që jemi duke parë mundësinë e ndryshimit të VKM, me qëllim dhënien e të drejtës së përfitimit të këtij kompensimi, edhe të kryefamiljarëve pensionistë të vetëm që banojnë në fshat. Ky ndryshim do të krijojë mundësinë e përfitimit edhe për pensionistët e fshatit dhe do të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë pensionistët kryefamiljarë të vetëm pavar- ësisht vendbanimit të tyre.

Tags: