Kjo reformë u udhëhoq nga Qeveria dhe ishte prioriteti më i rëndësishëm i Ministrit tonë për rritjen e qëndrueshmërisë financiare të skemës dhe garantimi i pensioneve të të gjithë qytetarëve kontribues. Konstatoj me kënaqësi që ky prioritet i Qeverisë u realizua me sukses në një kohë rekord dhe me pranueshmëri të lartë nga publiku. Roli i Institutit në këtë reformë ka qënë i rendësishëm dhe kualitativ që në fazën e parë të studimit të situatës të skemës, hartimit të dokumentit të politikave, studimeve të dy opsioneve të paraqitura, parashikimeve afatgjata deri në vitin 2080, draftimin e ligjit të ri, mbrojtjen e tij me grupet e interesit dhe grupet parlamentare, hartimi i të gjithë akteve nënligjore në zbatim të reformës dhe më e rëndësishmja  jetësimi i tij në praktikë. Ekspertiza teknike e ofruar nga ana jonë në të gjitha etapat e mësipërme ka qenë në nivelin më të lartë dhe e vlerësuar nga të gjithë aktorët dhe Banka Botërore. Me këtë reformë është bërë e mundur ulja e deficitit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe për rrjedhojë rritja e qëndrueshmërisë financiare të skemës, lidhja e masës së pensionit me kontributet e paguara gjatë gjithë jetës duke e çuar hakën tek i zoti, eliminimin e tavaneve për masën e pensionit, duke rritur incentivat për pjesëmarrje në skemë dhe formalizim të tregut të punës, eliminimin e privilegjeve për kategori të ndryshme, uniformizimin e trajtimit të të gjitha kategorive me të njëjtin standart ligjor, bërjen e skemës më të drejtë dhe transparente, më të thjeshtë në kuptimin nga publiku dhe zbatimi nga ana e punonjësve të sigurimeve shoqërore, eliminimin e dy skemave fshat dhe qytet në një skemë të vetme të pensioneve, duke siguruar trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve, përfshirjen e të gjitha kompensimeve të ndryshme në masën e pensionit, mbrojtja e të moshuarve pa të drejtë pensioni nëpërmjet pensionit social etj. Tani që ne jemi duke e zbatuar në praktikë këtë reformë me kënaqësi konstatojmë që për herë të parë po paguhen me pensione më të larta se tavani administrativ maksimal të vendosur në ligjin e vjetër duke ju a kthyer kontributet e paguara ndër vite kontribuesve shqiptarë.

Gjatë vitit 2014 u hartuan edhe Ligji për sigurimin suplementar shtetëror dhe sigurimin suplementar për personat me tituj akademikë ose profesorëve, siç rëndom e përdorim në gjuhën teknike të përditshme. Të dy këto ligje janë miratuar në Qeveri dhe së shpejti pritet të miratohen edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, duke e plotësuar kështu gjithë reformën e sigurimeve shoqërore.

Gjithashtu, u hartua dhe u miratua Ligji për punonjësit e nëntokës, duke zgjidhur një ngërç disavjeçar me këtë kategori, si dhe u hartuan të gjitha aktet nënligjore në zbatim të tij, duke garantuar suksesin në implementimin në praktikë të tij.

Por nuk janë vetëm arsyet që rendita më sipër për ta quajtur viti i sigurimeve shoqërore.

Tejkalimi historik i realizimit të të ardhurave nga kontribuetet e sigurimeve shoqërore është gjithashtu një arsye e fortë. Si rezultat i miratimit të Ligjit për faljen e kamtvonesave dhe gjobave për kontributet e papaguara për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe punës së madhe të bërë nga të gjithë punonjësit e sigurimeve u arrit të mblidheshin 5,917.9 milione lekë më shumë se planifikimi ose  318.7 përqind. Kjo arritje nuk vlen vetëm për sasinë e parave të futura në fondin e sigurimeve shoqërore, por edhe për rritjen e numrit të qytetarëve me mbrojtje shoqërore dhe pension të garantuar në vitet e pleqërisë. Edhe nga organet tatimore plani i të ardhurave u realizua në masën 101.3 % me nje tejkalim prej 673 milionë lekë. Ky realizim të ardhurash së bashku me efektet e reformës së re ul deficitin e skemës dhe rrit qëndrueshmërinë e saj që në këtë vit. Një punë shumë të mirë kanë bërë të gjithë DRSSH-të, duke tejkaluar planin por mund të veçoj për një punë të shkëlqyer në realizimin e të ardhurave nga fermerët DRSSH Fier me realizim 480.7% ose 1,181,235 mijë lekë më shumë; DRSSH Tiranë 439.8% ose 637,825 mijë lekë më shumë; DRSSH Berat me 424.3% ose 393,674 mijë lekë më shumë. Për realizimin e të ardhurave nga vullnetari Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Lezhë me 151.5% ose 5,145 mijë lekë më shumë; Dibër me 132% ose 384 mijë lekë më shumë; Shkodër me 129.1% ose 3,176 mijë lekë më shumë.

Ky realizim të ardhurash është rrjedhojë veç të tjerave edhe i rritjes së numrit të personave të siguruar në skemë, duke e rritur këtë numër krahasuar me vitin paraardhës me 93,392 persona. Kjo rritje sinjifikative e të siguruarve përmirëson normën e varësisë së sistemit, garanton pension në të ardhmen për ta dhe ul subvencionin e buxhetit të shtetit për të mbuluar deficitin e skemës.

Për vitin 2014 ishin planifikuar të siguroheshin si të vetëpunësuar në bujqësi 121,611 kontribues dhe janë siguruar 127,728 kontribues ose 105% me 6,117 kontribues më shumë se planifikimi. Në krahasim me vitin 2013 janë siguruar 63,454 kontribues më shumë dhe DRSSH-të më të mira përsa i përket numrit të kontribuesve të të vetëpunësuarve në bujqësi duke e dyfishuar atë në raport me vitin 2013 janë Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier me 12,456 kontribues më shumë; Korçë me 7,867 kontribues më shumë; Elbasan me 6,826 kontribues më shumë; Tiranë me 6,783 kontribues më shumë;

Gjatë vitit 2014 u futën në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi 48,121 fermerë të rinj, ku të gjithë Drejtoritë Rajonale kanë bërë një punë të mirë dhe veçojmë këtu Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier, Tiranë, Korçë dhe Elbasan që kanë futur në skemë respektivisht 8,073; 6,764; 6,420 dhe 4,977 kontribues të rinj.

Edhe numri i të siguruarve vullnetarë është realizuar 114% me 1,032 kontribues më shumë se planifikimi. Influencën në rritjen e numrit të kontribuesve në skemën e sigurimit vullnetar e dhanë Drejtoritë Rajonale e Sigurimeve Shoqërore: Tiranë me 416 kontribues më shumë; Durrës me 122 kontribues më shumë; Fier me 114 kontribues më shumë;

Krahas rritjes së të ardhurave dhe numrit të kontribuesve të rinj, një vëmendje e madhe i është kushtuar evidentimit të periudhave kontributive në regjistrin kontributiv të ISSH. Të gjithë kontributet e mbledhura nga ISSH janë të evidentuara saktë, përveç në dosje individuale edhe në sistemin kompjuterik të menaxhimit të kontributeve CMIS (contribution menagement information system). Implementimi i këtij sistemi rrit saktësinë, kontrollin dhe ul kohën e shërbimit ndaj qytetarit dhe popullon me të dhëna llogaritë individuale dixhitale të kontribuesve.

Një punë e mirë është bërë për sensibilizimin e të gjithë aktorëve përsa i përket borxheve të subjekteve ndaj sigurimeve shoqërore. Megjithëse është në përgjegjësinë e organeve tatimore, insistimi ynë ka qenë i vazhdueshëm për mbledhjen e tyre duke arritur që kjo çështje të shndërrohet në prioritet dhe aksion të Qeverisë. Të gjithë jemi në dijeni të adresimit që Ministri dhe Kryeministri i kanë bërë këtij problemi dhe frytet e para kanë filluar të duken si në rritjen e deklarimit, ashtu edhe në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Miratimi i Ligjit të faljes së gjobave nga Qeveria do të japë rezultatet e pritshme në të ardhmen e afërt dhe rritje të fondit të sigurimeve shoqërore.

Një problem që vazhdon të mbetet i pazgjidhur është mosdërgimi i listëpagesave nga ana e tatimeve, ç’ka e vështirëson punën për verifikimin e pagave dhe periudhave të sigurimeve. Me implementimin i sistemit të ri të informacionit nga Tatimet shpresojmë që ky problem të zgjidhet.

Gjatë vitit 2004 u realizuan menjëherë të gjitha procedurat administrative të rritjes së pensioneve, si dhe pagesave për mbi 598 mijë përfitues nga data 01.08.2014, si dhe në favor të pensionistëve, me një efekt financiar prej 998 milionë lekësh, si dhe realizua në një kohë rekord e gjithë procedura administrative e dhënies së shpërblimeve për vitin e ri, për afer 600 mijë përfitues, me një efekt financiar rreth 1,296 milionë lekë.

Gjatë këtij viti është bërë një punë e madhe në caktimin e pensioneve të reja dhe rishqyrtimin e pensioneve ekzistuese. Numri i pensioneve të reja është 39.072 pensione nga 36.055 që janë caktuar në vitin 2013.  Janë caktuar 14.5% pensionet e reja të pleqërisë më shumë se 2013 dhe një ulje prej 8.2% per pensionet e invaliditetit dhe 7.3% më pak pensione familjare. Tendenca e rritjes së numrit të pensioneve të pleqërisë ndodh si rezultat i faktorëve demografikë dhe puna nga degët e përfitimeve ka qënë më e madhe. Krahas caktimeve të pensioneve të reja janë rishqyrtuar të gjitha pensionet e invaliditetit, familjar, pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensioneve suplementare shtetërore, duke përballuar një punë goxha të madhe dhe voluminoze.

Është rritur cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve dhe është ulur koha e lidhjes së pensioneve mesatarisht në 31 ditë nga 60 ditë që është koha maksimale ligjore për lidhjen e një pensioni. 87% e pensioneve të reja ose 34,073 pensione janë lidhur brenda afatit ligjor dhe koha mesatare e caktimit të tyre është 21 ditë. Megjithë përmirësimet që janë bërë, përsëri ka rezultuar se 13% e pensioneve të reja ose 4 999 pensione janë lidhur jashtë afatit ose mesatarisht per 95 ditë. Arsyet janë objektive për këto vonesa si mungesa e dokumentacionit,  vonesat në komisionime të invaliditetit, rritja e numrit të pensioneve etj, por nga ana tjetër duhet edhe një punë më e mirë nga ana e personelit të pensioneve për reduktimin e numrit të pensioneve që lidhen jashtë afatit. Të gjithë pensionet e reja janë hedhur në sistemin informatik dhe në shumicën e rajoneve është implementuar programi informatik i pritjes së dokumentave dhe llogaritjes së pensioneve.

Është bërë një punë e mirë në uljen e numrit të invaliditetit me 585 invalidë të rinj më pak se 2013, por përsëri problematika është prezente dhe kryesisht  lidhet me dokumentat mjekësore që ofrohen nga spitalet publikë. Një shqetësim të madh na kanë krijuar komisionimet e personave me aftësi të kufizuara që nuk janë nën administrimin tone, por të Shërbimit Social Shtetëror. Komisionimi i tyre pranë zyrave të sigurimeve shoqërore ka sjellë një ulje të performancës së punës tonë dhe nga ana jonë nuk mund të bëhet asgjë pasi nuk i administrojmë ne dosjet. Duhet që urgjentisht të kalojnë KMCAP-et e PAK në varësi të SHSSH me qëllim shërbimin më të mirë si të invalidëve të punës ashtu edhe PAK.

Të gjitha pensionet që paguhen në qëndrat urbane paguhen online nëpërmjet sistemit informatik të pagesave, duke sjellë një shërbim të shpejtë ndaj pensionistëve dhe kontroll më të saktë të pagesave. Nga kontrollet sistematike janë evidentuar dhe rekuperuar fondet e dëmtuara nga agjenti  pagues dhe minimizimin e rasteve abuzive. Numri i pensioneve që administrohen nga ana jonë është 585 483 pensione, ose 15 mijë më shumë se viti 2013. Po të shtojmë edhe pensionet e parakohshme dhe trajtimet e veçanta ky numër është mbi 617 mijë përfitues.

Risi për vitin 2014 është fillimi i rikonstuksionit të agjensive të sigurimeve shoqërore dhe inagurimi i ALSSH Tiranë, që është hapi i parë në këtë drejtim. Janë krijur kushte moderne për shërbimin ndaj qytetarëve dhe kushteve të punës për punonjësit. Në këtë Agjensi është implementuar sistemi informatik dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit për të ulur kohën e shërbimit dhe rritur cilësinë e tij. ALSSH Tiranë është modeli që do të ndiqet nga ne në të gjitha agjensitë anë e mbanë vendit.

Një punë e madhe është bërë në luften kunder informalitetit, si në fushën e të ardhurave ashtu edhe ne fushen e perfitimeve. Kjo eshte arritur nepermjet zbatimit te programeve informatike te krijimit te bazes se te dhenave te perfituesve e kontribuesve, lidhjes se tyre me Regjistrin e Gjendjes Civile dhe databazat e sistemeve te tjera, perditesimit te te dhenave si dhe venies ne dispozicion te inspektoreve dhe kontrolloreve te te dhenave, te regjistrave te vjetersise ne pune ne ish kooperativat dhe ish ndermarrjet shteterore, kontrolleve të auditit dhe njësisë së çertifikimit të pensioneve. Gjatë 2014 janë konstatuar dëmtime të fondeve të sigurimeve shoqërore në masën 500 milionë lekë, si rezultat i certifikatave false që janë gjendur në dosjet e vjetra dhe kalimit nga pension fshati në pension qyteti ndër vite. Gjatë vitit 2014 janë rekuperuar rreth 400 milionë lekë nga debia e krijuar ndër vite si rezultat i abuzimeve.

Transferta në drejtim të buxheteve familjare në formën e përfitimeve nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe programeve të veçanta të qeverisë për vitin 2014 ka qënë 102,794 milione leke ose mbi 1 miliardë dollarë dhe janë respektuar të gjitha limitet e shpenzimeve të parashikuara në ligjin për buxhetin. Vlen të theksohet se sistemi është menaxhuar me një kosto të ulët ose me 1.85% dukshëm nën kufirin ligjor prej 5 % dhe më ulët se viti 2013. Megjithëse sistemi është menaxhuar me kosto të ulët nevojat për investime kapitale, investime në sistemin e informacionit, mirëmbajtja e sistemeve, përditësimi i tyre janë më të larta dhe është e nevojshme rritja e buxhetit të administrimit të sistemit.

Gjatë këtij viti ka vazhduar puna për tërheqjen e dokumentave të vjetërsisë në punë nga arkivat rajonale në arkivën qëndrore, për dixhitalizimin dhe hedhjen e të dhënave të vjetërsisë në punë dhe pastrimit të bazave të të dhënave. Fluksi i kërkesave për verifikime të periudhave të sigurimit është rritur ndjeshëm edhe si rezultat i informimit të publikut për skemën e re dhe debitorëve të sigurimeve shoqërore.

Një arritje e madhe është evidentuar edhe në arritjen e marrëveshjeve bilaterale të mbrojtjes shoqërore duke konkluduar marrëveshjet me shumë vende si Kanadaja, Belgjika, Rumania, Hungaria, Maqedonia, Luksemburgu, Cekia, Gjermania dhe Austria. Arritja e marrëveshjeve krijon një mbrojtje shoqërore për të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht vendit të banimit të tyre dhe garanton pensionet e tyre mbi bazën e kontribueteve të paguara.

Është bërë një punë intensive në bashkëpunimin me strukturat e tjera qeveritare për të garantuar zbatimin me sukses të prioriteteve të Qeverisë në ofrimin e shërbimeve elektronike ndaj qytetarëve dhe krijimit të qendrës unike të shërbimit. Konstatoj më kënaqësi se institucioni ynë është përzgjedhur si një nga institucionet që do të ofrojë shërbimet e para në këto projekte pilot, si rezultat i punës së vazhdueshme të bërë dhe saktësisë së sistemit të informacionit të ngritur.

Arritjet për vitin 2014 kanë qenë të mëdha, që tregon për një punë sistematike dhe të palodhur të të gjithë stafit të sigurimeve shoqërore dhe këtu gjej rastin që t’i falenderoj që të gjithë për përkushtimin dhe punën e tyre. Megjithatë, përsëri kemi një punë të madhe për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve, implementimin e reformës së re të pensioneve sa më saktë dhe sa më shpejt dhe shndërrimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në pararojë të shërbimit publik shqiptar.

Prandaj dhe objektivat që kemi për vitin 2015 janë të mëdha dhe që kërkojnë përkushtimin e çdo punonjësi të sigurimeve shoqërore për realizimin e tyre. Ndër prioritetet e vitit 2015 janë:

1. Zbatimi me sukses i reformës së pensioneve në kohë dhe me cilësi. Nga puna jonë varet suksesi i saj si në dhënien e përfitimeve ashtu edhe në mbledhjen e të ardhurave;

2. Realizimi i të ardhurave të programuara që për këtë vit janë më të mëdha se viti paraardhës;

3. Përmirësimi i metejshëm i qendrueshmërisë financiare të skemës së sigurimeve shoqërore, duke synuar rritjen graduale, por më të shpejtë të kontributeve, në krahasim me rritjen e përfitimeve, si dhe duke minimizuar subvencionet buxhetore;

4. Rritja e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe ulja e kohës së caktimit të përfitimeve;

5. Implementimi total i sistemeve të informacionit dhe komunikimit në të gjitha zyrat dhe agjencitë;

6. Përmirësimi i infrastrukturës së zyrave të ALSSH-ve, në modelin e ALSSH Tiranë;

7. Përditësimi i bazave të të dhënave dhe intensifikimi i krijimit të arkivës dixhitale;

8. Implementimi i transmetimit të të dhënave elektronike të listpagesave nga organet tatimore;

9. Bashkëpunim me organet tatimore dhe strukturat e tjera për mbledhjen e borxheve dhe luftën ndaj informalitetit në fushën e kontributeve;

10. Vendosja në qendër të vëmendjes të publikut të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe reformës, nëpërmjet prezencës permanente në media.