Kjo është bërë e mundur falë marrëveshjes “Për mbrojtjen shoqerore”, e cila u firmos më datë 17 mars 2015, në Shkup nga Mininistri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, z. Erion Veliaj dhe homologu i tij maqedonas, Ministri i Punës dhe Politikave Sociale të Maqedonisë, z. Dime Spasov.

Marrëveshja bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Ajo garanton personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Por ajo që ka më shumë rëndësi dhe që prek një kategori të madhe qytetarësh nga të dyja vendet është mundësia që krijon për bashkimin e periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të cilat tashmë do merren në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre për pension pleqërie, të invaliditetit dhe familjare për personat e punësuar, të vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit, si dhe të drejtën për të eksportuar përfitimet, atje ku jeton.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy ministrat e vlerësuan atë si një instrument që i vjen në ndihmë shumë qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë që për arsye të ndryshme kanë punuar apo punojnë, respektivisht në Shqipëri dhe Maqedoni, por që për mungesë të legjislacionit përkatës nuk mund të përfitonin të mirat e kontributeve të tyre shoqërore.

Marrëveshja e nënshkruar sot është e treta e nënshkruar me vendet e Ballkanit, pasi më parë një gjë e tillë është bërë me Rumaninë dhe Kosovën.