Në kuadrin e hartimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit të Shqipërisë me vendet e tjera në fushën e mbrojtjes sociale të shtetasve shqiptarë dhe anasjelltas, në ambientet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u bë dje firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve nga Drejtorja e Përgjithëshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho dhe drejtori i Departamentit të Pensioneve të Kosovës, z. Sali Salihu.

Kjo marrëveshje ka si qëllim shkëmbimin e informacioneve rreth zhvillimit të legjislacionit për sigurimet shoqërore mes palëve, si dhe ngritjen e grupeve teknike të ekspertëve, të cilët do të bëjnë të mundur përafrimin e legjiclacionit të dy vendeve deri në nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare për njohjen e periudhave kontributive të shtetasve shqiptarë që punojnë në Kosovë dhe anasjelltas. Në këtë takim Instituti i Sigurimeve Shoqërore u përfaqësua nga Drejtorja e Përgjithshme, Znj. Vjollca Braho si dhe drejtues të tjerë të institucionit, ndërsa pala kosova me këshilltarët e Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Drin Haraqia, Z. Selatin Kllokoqi, Drejtorin e Departamentit të Pensioneve, z. Sami Salihu, z. Ymer Havolli, Kryetar i Bordit të FKPK-së (TRUST-i), z. Adrian Zalli, Drejtor Menaxhues i FKPK-së (TRUST-i) si dhe përfaqësues të tjerë të administratës pensionale. Gjatë fjalës së saj Drejtorja e Përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, e cilësoi firmosjen e kësaj marrëveshjeje si të një rëndësie të veçantë për ISSH-në pasi jo vetëm që do të ndikojë në mbrojtjen sociale të shtetasve shqiptarë, por ka edhe një rëndësi të madhe emocionale pasi do të afrojë akoma edhe më shumë  shqiptarët në të dy anët e kufirit. “Shpresoj që pas firmosjes së kësaj marrëveshjeje të ecim me hapa shumë të shpejtë në mënyrë që të bëjmë të mundur firmosjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve, duke u dhënë mundësinë shqiptarëve në të dyja anët e kufirit që të mos humbin asnjë kontribut të paguar, pavarësisht vendit ku ata punojnë”, deklaroi Braho. Po kështu, në këtë frymë u shprehën edhe përfaqësuesit e palës kosovare, duke theksuar angazhimin e tyre maksimal për të realizuar sa më shpejt të jetë e mundur firmosjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve.

Aktualisht vlerësohet se janë me qindra shtetas të Shqipërisë të punësuar në Kosovë dhe anasjelltas. Përveç numrit actual të shqiptarëve që punojnë në Shqipëri apo Kosobvë,  me rëndësi shihen pritshmëritë janë që në të ardhmen e afërt numri i tyre të rritet ndjeshëm, sidomos pas iniciativës për liberalizimin e plotë të tregut të punës mes dy vendeve.