Intervistë e N/Drejtorit të Përgjithshëm të ISSH-së, z. Astrit Hado, dhënë në Gazetën Shqiptare të datës 08 janar 2015

Një person me pagë minimale dhe me periudhë sigurimi 35 vjet sipas skemës së vjetër do të merrte pension në masën 12 264 lekë, ndërsa sipas skemës së re, masa e pensionit është 14 500 lekë”. Shpjegimi vjen nga nëndrejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” shpjegon funksionimin e skemës së re të pensioneve, që hyri në fuqi në datën 1 janar 2015 si dhe përfitimet që do të kenë kategori të ndryshme nga zbatimi i saj. Gjithashtu, Hado e vë theksin te rritja e koeficientëve të indeksimit të pagave pas vitit 1994, të cilët sipas tij janë rreth 40% më të lartë, çka do të ndikojë direkt në rritjen e masës së pensioneve që do të përllogariten me skemën e re.

Z. Hado, cilat janë ndryshimet midis skemës së vjetër dhe skemës së re përsa i përket mënyrës së llogaritjes së pensioneve? Mund ta ilustroni me një shembull?
Në thelb skemat nuk kanë ndryshime të mëdha, pasi edhe sipas reformës së ndërmarrë, sistemi i sigurimeve shoqërore vazhdon të funksionojë mbi bazën e parimit të solidaritetit midis brezave dhe të rishpërndarjes. Ndryshimet janë në parametra dhe jo në sistem. Janë ndryshuar parametrat e skemës duke e bërë atë më të drejtë dhe më atraktive për pjesëmarrje reale, pra kontribuim deri në moshën e pensionit si dhe paga reale. Të gjitha ndryshimet parametrike kanë për qëllim që pensioni të jetë i merituar, i drejtë, t’u përgjigjet kontributeve të paguara dhe të japë një masë më të madhe se skema e vjetër. Përsa i përket mënyrës së llogaritjes së pensioneve, është ruajtur e njëjta formulë, por është ndryshuar raporti që zënë pjesët e pensionit duke i dhënë më shumë peshë pjesës që rezulton nga vitet e sigurimit dhe pagës në ndryshim me skemën e mëparshme, ku pjesa fikse kishte peshë më të madhe. Gjithashtu, janë hequr të gjitha kufizimet e masës së pensionit duke bërë të mundur pagimin e pensionit real të llogaritur mbi bazën e kontributeve dhe jo të shumave fikse të përcaktuara administrativisht. Është hequr tavani i pensionit maksimal, duke mos e kufizuar atë dhe për herë të parë do të paguhen pensione mbi këtë tavan. Janë përmirësuar llogaritja e pensioneve që kanë më pak se 35 vjet periudhë sigurimi, duke dhënë një pension më të mirë sipas skemës së re dhe eliminimin e reduktimit të dyfishtë që ka qenë me skemën e mëparshme. Nëse do të marrim një shembull për një person me pagë minimale dhe me periudhë sigurimi 35 vjet, sipas skemës së vjetër, masa e pensionit është sa pensioni minimal prej 12 264 lekë, ndërsa sipas skemës së re masa e pensionit është 14 500 lekë. Nëse ky person ka periudhë sigurimi më shumë se 35 vite, le të themi 40 vite, sipas skemës së vjetër masa e pensionit është po minimale 12 264 lekë, ndërsa sipas skemës së re masa është 16 427 lekë, pra dukshëm më i lartë. E njëjta gjë vlen edhe për pagat mesatare apo maksimale. Masat e pensionit janë më të larta se skema e pensioneve edhe për shkakun e përmirësimit dhe rritjes së indekseve të pagave të kaluara. Koeficientët janë rritur me rreth 40%, duke dhënë një pagë mbi të cilat llogaritet pensioni rreth 40% më i lartë.

Kush preket nga ndryshimi i ligjit?
Efektet e këtij ligji janë vetëm për personat që plotësojnë kushtet për pension, duke filluar nga data 1 janar e në vazhdim dhe nuk ka asnjë efekt mbi pensionistët aktualë. Pensionistëve aktualë u ruhen të gjitha të drejtat e fituara dhe do të indeksohen përfitimet sipas indeksit të inflacionit. Por ky ligj ka efekt edhe te të rinjtë që janë larg mbushjes së moshës së pensionit. Te kjo kategori ndikimi është afatgjatë, pasi duhet të mendojnë që tani për kohën e pleqërisë dhe pagimin e kontributeve për të siguruar një pension të qenësishëm në të ardhmen.
Cilat kategori do t’i ndjejnë efektet e kësaj reforme dhe kush penalizohet?
Të gjithë personat që do të dalin në pension do t’i ndjejnë efektet e kësaj reforme. Kjo për faktin se do t’u llogaritet në pension çdo lek i paguar si kontribut dhe duke i dhënë hakun secilit në bazë të kontributit. Efektin më të madh do ta kenë personat që kanë kontribuar më shumë si në vite, ashtu edhe në pagë, kjo për faktin e eliminimit të tavanit të sipërm të pensionit. Ndikim do të ketë edhe te pensionet e fshatit, pasi tanimë është e njëjta mënyrë llogaritjeje pensioni si për fshatin dhe qytetin dhe të njëjta kritere. Një nga efektet e kësaj reforme është edhe shtyrja e daljes në pension për gratë me dy muaj për çdo vit deri në arritjen e moshës 63 vjeç në vitin 2032.

Ju përmendët që efekte do të ketë edhe te të rinjtë. A do të ketë rritje të kontributit?
Norma e kontributit është e pandryshuar dhe ajo do të vazhdojë të jetë 24.5% e pagës bruto, por jo më shumë se paga maksimale e përcaktuar. Pra, nuk do të ketë rritje të barrës kontributive. Është rritur paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore, duke e barazuar atë me pagën minimale në shkallë vendi për efekt punësimi. Duke filluar nga një janari paga minimale është 22 000 lekë nga 19406 lekë që ka qenë. Kjo rritje page do të ketë efekt vetëm për kategorinë e të vetëpunësuarve, që llogarisin dhe paguajnë kontributet mbi pagën minimale. Por, është hequr përcaktimi që paga maksimale është sa pesëfishi i pagës minimale dhe për këtë arsye paga maksimale për këtë vit është e njëjtë me pagën maksimale të vitit të kaluar, 97 0360 lekë. Ka një keqkuptim edhe në media, që citohet që paga maksimale për pagimin e kontributeve do të jetë 110 000 lekë, pasi nuk marrin në konsideratë heqjen e përcaktimit paga maksimale është sa pesëfishi i pagës minimale. Rritja e pagës minimale u bë për të shmangur diskriminimin në masën e pensionit për të vetëpunësuarit në krahasim me të punësuarit. Gjithashtu, të vetëpunësuarit kanë të drejtën që në bazë të të ardhurave të tyre të kontribuojnë me paga deri në nivelin e pagës maksimale, gjë që nuk ishte e mundur me skemën e vjetër, duke i nxjerrë në pension me pension minimal.

Në ligj është rritur edhe vjetërsia e punës nga 35 vjet në 40 vjet. Çfarë ndikimi do të ketë kjo rritje?
Është e vërtetë që është rritur me nga 4 muaj për çdo vit periudha e sigurimit, por heqja e konceptit pension i plotë apo i pjesshëm e bën të pavlefshëm këtë rritje. Arsyeja e rritjes së periudhës së sigurimit është bërë për të forcuar kriterin e daljes në pension të parakohshëm si dhe për të unifikuar legjislacionin vendas me atë të vendeve të tjera për efekt të marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes shoqërore. Ka një efekt kjo rritje në masën e shumës bazë të pensionit në formulë, por efekti që jep në pjesën që llogaritet nga kontributet është ndjeshëm më i madh se ulja e shumës bazë.

A është ISSH gati për zbatimin e kësaj reforme dhe më konkretisht për dhënien e pensionit social për ata që nuk kanë pension dhe janë mbi 70 vjeç?
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është një institucion i konsoliduar me të gjitha kapacitetet teknike dhe menaxheriale për të implementuar çdo lloj reforme apo politike në fushën e sigurimeve shoqërore. Eksperienca e akumuluar deri më tani në implementim politikash si dhe fakti që ISSH ka qenë një aktor tepër aktiv në hartimin e kësaj reforme janë një garanci e madhe. Në këtë kuadër janë marrë të gjitha masat administrative, trajnimet e stafit si dhe infrastruktura e nevojshme për implementimin me sukses të reformës. Të gjithë personat që nuk përfitojnë pension nga skema e detyrueshme, janë rezidentë në Shqipëri për të paktën 5 vitet e fundit të paraqiten pranë agjencive të sigurimeve shoqërore, të dorëzojnë kërkesën dhe dokumentet e kërkuara dhe do të marrin pensionin social.

Tags: