Nisur nga reagimet e fundit në media, lidhur me numrin e kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe duke patur parasysh se këto reagime janë bazuar në shifrat e tremujorit të tretë të këtij viti, pra deri në shtator 2014, sqarojmë si më poshtë:

Deri në muajin shtator 2014, numri i kontribuesve në zonat urbane ka qenë 521,136 persona, krahasuar me 485,274 persona që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2013. Ndërkaq, në këtë periudhë numri i kontribuesve në skemën rurale krahasuar me vitin 2013 ka shënuar një rënie prej rreth 5 000 kontribuesish fizikë. Por, si rezultat i miratimit të Ligjit për faljen e kamatëvonesave të të vetëpunësuarve në bujqësi dhe aksionit të nisur nga ISSH-ja për mbledhjen e sa më shumë kontributeve në fshat, tremujori i fundit i vitit 2014 ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të kontribuesve dhe të të ardhurave të arkëtuara.

Në datën 02.12.2014, me pjesëmarrjen e drejtuesve të Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ISSH-ja zhvilloi analizën e realizimit të detyrave për muajin Nëntor, duke u fokusuar në: Realizimin e të ardhurave nga kontributet, rritjen e pjesëmarrësve në skemën e sigurimeve shoqërore, rezultatet e zbatimit të Ligjit për faljen e kamatëvonesave të kontributeve në gjysmën e dytë të muajit Nëntor, si dhe masat për periudhën e mbetur të këtij viti.

Bazuar në evidencën financiare të arkëtimeve nga pagesat e kontributeve, konstatohet se të ardhurat e muajit Nëntor 2014, të krahasuara me planin, janë realizuar në masën 108.6%, me një tejkalim në vlerë në shumën 380 milionë lekë. Veçanërisht, si pasojë e zbatimit të Ligjit për faljen e kamatëvonesave të kontributeve, të ardhurat nga kontributet e personave të vetëpunësuar në bujqësi për muajin Nëntor u realizuan në masën 205%, me një tejkalim prej 324 milionë lekë. Realizimi dhe tejkalimi i të ardhurave është shoqëruar dhe me një rritje të ndjeshme të numrit të kontribuesve. Në gjysmën e dytë të muajit Nëntor, numri i personave që zhvillojnë aktivitet bujqësor dhe blegtoral, të kontaktuar në Agjencitë Lokale të Sigurimeve Shoqërore në rrethe, është mbi 43 800 persona dhe puna vazhdon intensivisht për konkretizimin e sigurimit të tyre.

Si pasojë e realizimit ritmik të detyrave dhe i tejkalimit të të ardhurave nga të vetëpunësuarit në bujqësi në muajin nëntor, edhe periudha janar-nëntor 2014 rezulton me tejkalim të të ardhurave, në krahasim me planin e të ardhurave, sipas buxhetit të rishqyrtuar në muajin tetor, i cili u shtua me 1 200 milionë lekë. Për periudhën 11 mujore, të ardhurat janë realizuar 101.5 % ose nga 50 949 milionë lekë të programuara në 51 247 milionë lekë të realizuara.

Programi i të ardhurave të 11 mujorit nga kontributet e personave të vetëpunësuar në bujqësi është realizuar 116 % me një tejkalim prej 321 milionë lekë.

Krahasuar me të ardhurat e realizuara në 11 mujorin e  vitit 2013, në vitin 2014 të ardhurat jane realizuar në masën 110.2 %, ose 4 756 milionë lekë më shumë. Realizimi i detyrave të 11 mujorit, ritmet aktuale të realizimit të të ardhurave, efektet e Ligjit për faljen e kamatëvonesave, masat e marra për zbatimin e tij, si dhe puna intensive e agjensive të tjera, sidomos të Organeve Tatimore dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit, garantojnë jo vetëm realizimin dhe tejkalimin e të ardhurave, por edhe rritjen e numrit të kontribuesve me mbi 81 mijë persona, e për pasojë rritjen e numrit të personave të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe në mbrojtjen e garantuar prej saj.