Artikull i botuar në faqen e internetit www. respublica.al, datë 30 shtator 2014 dhe në gazetën “Tirana Observer”, më datë 01 tetor 2014, faqe 7.

Reforma e pensioneve ka nisur. Në Kuvend drafti i paraqitur nga ISSH dhe ministria e linjës u kthye në ligj me 88 vota pro. E pyetur mbi risitë e skemës së re, Vjollca Braho, Drejtoreshë e Përgjithshme e ISSH-së, thotë se kjo reformë e bën sistemin më të drejtë, duke lidhur kontributet e paguara me përfitimet për çdo individ.

– Keni ardhur në krye të ISSH-së pas një karriere të gjatë në administratë. Si e ndjeni veten në raport me punën dhe stafin?

Vjollca Braho: – Mendoj se një eksperiencë e madhe në administratë të ndihmon të jesh më e qartë dhe efektive kur merr përsipër postin e një menaxhereje të lartë në një institucion publik. Karriera besoj më ka bërë më të matur. Të paktën mua. Më ka bërë të respektoj kolegët me të cilët bashkëpunoj, të krijoj frymën e grupit dhe të marr mendimet më të mira para vendimmarrjeve të nevojshme. Sepse besoj që një drejtues nuk mund t’i arrijë i vetëm objektivat, pa pasur një staf të mirë dhe bashkëpunues.

– Jeni në krye të një drejtorie shumë të rëndësishme. Me çfarë vështirësish jeni përballur duke qenë në pozita femërore?

Vjollca Braho: – Unë erdha në një institucion, i cili përpara meje ishte drejtuar nga një femër. Nuk kam ndjerë asnjë vështirësi dhe besoj se edhe kolegët e mi nuk kanë pasur kurrfarë pengesë në marrëdhëniet me mua. Madje sot, raporti meshkuj-femra në postet drejtuese në institucionin që drejtoj është i barabartë, falë dhe promovimit për drejtuese që unë kam bërë në këto vite. Por ky nuk ka qenë një synim për barazim gjinor, por një përpjekje për të vlerësuar këdo që punon.

– Reforma e pensioneve ka nisur. Cilat janë arsyet që ju çuan në këtë vendim?

Vjollca Braho: – Duke parë vështirësitë që haste skema ekzistuese e pensioneve dhe deficitin e lartë që akumulonte çdo vit, ishte bërë i domosdoshëm reformimi. Në thelb, reforma ka si qëllim thellimin e parimit kontributiv, lidhjen më të drejtë të përfitimeve me kontributet e paguara, garantimin e të drejtave të fituara dhe të atyre që do të lindin nëpërmjet përmirësimit të balancës financiare dhe uljes së deficitit.

– Ju thoni që reforma do të sjellë në balancë sistemin dhe do të rrisë përfitimet e atyre që dalin pas datës 1 janar 2015. Ku çalonte ai?

Vjollca Braho: – Sistemi jo vetëm është në një deficit të madh, por sipas parashikimeve, nëse nuk ndërhyhet, ai do të vazhdojë të rritet duke rrezikuar seriozisht vetë sistemin. Por nuk është kjo arsyeja e vetme për reformim. Sistemi nuk inkurajonte pjesëmarrjen në skemë, deklarimin real të pagës, dekurajim të pagesës së kontributeve reale dhe kthim të skemës nga skemë kontributive në skemë asistenciale. Megjithatë dua të them se efektet e reformës nuk janë afatshkurtra por afatgjata, dhe qëndrueshmëria financiare nuk do të ndodhë që vitet e para por në vazhdim.

– Çfarë do të thotë më shumë se kaq?

Vjollca Braho: – Në fakt unë jam e bindur që përmirësimet e skemës jo vetëm do të ndihen që në vitet e para duke frenuar thellimin e deficitit, por gjithashtu do të inkurajojnë pjesëmarrjen dhe kontribuimin real. Rritja e qëndrueshmërisë do të realizohet nëpërmjet rritjes së kontribuuesve, pagimit të kontributeve mbi paga reale, vazhdimit të punësimit dhe kontribuimit për një pension më të madh si dhe formalizimit të ekonomisë dhe tregut të punës.

– Sa e vështirë ka qenë për ju një ndërmarrje e tillë?

Vjollca Braho: – Reformat në çdo fushë janë të vështira, por reforma e pensioneve është akoma problematike pasi ajo ndikon në gjithë popullsinë, nga lindja e deri në fund të jetës. Duhet ruajtur një balancë e vështirë midis gjendjes financiare, të drejtave të fituara dhe të drejtave që do të lindin më pas. Duhet të parashikosh se ç’do të ndodhë në 30-50 vitet e ardhshme etj.

– Çfarë ndryshon me koeficientet e rinj të indeksimit të pagës për pension?

Vjollca Braho: – Koeficientët janë ndryshuar me qëllim aktualizimin real të pagave të realizuara më herët dhe për dhënien e një përfitimi real e të lidhur me kontributet e paguara. Kjo normë, vitet e fundit është ulur me rreth 14%. Aktualisht, si rezultat i ndryshimeve të normës së kontributit, e disa faktorëve të tjerë, koeficienti i indeksimit nuk paraqet realitetin e pagave duke dhënë si rezultat paga e pensione më të ulëta. Është parashikuar që deri në fund të vitit 2014, pagat për të gjithë pensionet e reja, që do të lidhen sipas ligjit, do të indeksohen me rritjen e pagave si një indeks më afër realitetit. Këta koeficientë janë rreth 40% më të lartë se aktualët dhe pagat e viteve të mëparshme aktualizohen dhe japin një pension më të drejtë.

– Sa ndikojnë këta koeficientë për ata që dalin në pension pas 1 janarit 2015?

Vjollca Braho: – Formula e llogaritjes së pensionit i jep një rëndësi të madhe pjesës së pensionit që llogaritet në bazë të viteve të sigurimit dhe pagave mbi të cilat janë paguar kontributet. Kjo pjesë llogaritet 1% për çdo vit sigurim të bazës së vlerësueshme që është paga mesatare kontributive e realizuar gjatë gjithë periudhës së sigurimit, e aktualizuar. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë paguar muaj pas muaji në bazë të pagës për një periudhë që është 35-40 vjet dhe gjatë kësaj periudhe të gjatë pagat kanë evoluar. Indeksimi i tyre sipas këtyre koeficienteve i vlerëson pagat e mëparshme duke i sjellë në vlerën e tanishme të tyre. Përdorimi i këtyre koeficientëve të rinj lidh në mënyrë të drejtë dhe realiste kontributet me përfitimet si dhe përmirëson ndjeshëm pensionin.

– Është parashikuar që dy llojet e pagave minimale të barazohen. Cilat kategori preken nga ky ndryshim?

Vjollca Braho: – Sot në Shqipëri ekzistojnë dy paga minimale, 19 mijë lekë dhe 22 mijë lekë në muaj, për efekt të llogaritjes së kontributeve dhe një për efekt të punësimit. Paga për efekt të llogaritjes së kontributeve është më e ulët se paga minimale që merr një i punësuar. Pas 1 janarit 2015 nuk do të ketë dy lloj pagash minimale në shkallë vendi por vetëm një, paga minimale për efekt punësimi. Ky ndryshim është propozuar për të shmangur keqkuptimet dhe keqpërdorimet si dhe për të harmonizuar pensionet sipas formulës së re. Paga minimale për efekt kontributesh është një pagë teorike dhe është përdorur për të llogaritur kontributet e të vetëpunësuarve e nga ky ndryshim do të preket kjo kategori të siguruarish. Nëse do të vazhdohej të mbaheshin dy lloj pagash, atëherë personat që paguajnë mbi pagën 19 mijë lekë do të përfitonin pension më të ulët se personat që paguajnë mbi pagën minimale prej 22 mijë lekë.

– Si do veprohet me kompensimin e çmimit të dritave e të bukës për pensionistët?

Vjollca Braho: – Të gjithë pensionistët aktualë do të vazhdojnë t’i marrin të gjitha llojet e kompensimeve në të njëjtën masë edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Pensionet e reja pas datës 1 janar nuk do të përfitojnë kompensime sepse këto janë të përfshira në llogaritje sipas formulës dhe do të jenë objekt indeksimi i përvitshëm. Për të sqaruar opinionin: aktualisht personat me pension minimal përfitojnë në formën e kompensimeve rreth 2150 lekë dhe shuma e të ardhurave që marrin është pension plus kompensime pra:12024+2150=14174 lekë. Pensionistët e rinj pas 1 janarit do të marrin të njëjtën shumë por si masë pensioni dhe jo pension plus kompensime.

– Ligji i ri parashikon rritjen e moshës së daljes në pension për gratë dhe për burrat. Përse bëhet kjo rritje?

Vjollca Braho: – Në ligj parashikohet një rritje graduale e moshës së daljes në pension për gratë nga 60 vjeç në 63 vjeç. Rritja do të jetë 2 muaj në vit dhe në moshën e përcaktuar do të dalin gratë që kanë lindur në vitin 1969 ose që mbushin moshën në vitin 2032. Kjo rritje është e moderuar dhe me një zgjatje prej 18 vjetësh. Pas vitit 2032 do të ketë indeksim të rritjes së moshës së daljes në pension për të dyja kategoritë deri në kufirin 67 vjeç, kufi që do të arrihet në vitin 2056. Kjo rritje moshe për gratë bëhet për shkak të rritjes së jetëgjatësisë si dhe faktit që mesatarisht gratë jetojnë 5 vjet më shumë se burrat.

– Pasi hiqet pensioni i parakohshëm, si rregullohet vendosja e formulës që pas 15 vjetësh merr pension për aq vite sa ke punuar?

Vjollca Braho: – Çdo kush ka të drejtë të dalë në pension të reduktuar deri në 3 vjet para moshës ligjore duke iu nënshtruar reduktimit të masës së pensionit. Ajo që është hequr si koncept është pensioni i pjesshëm. Në ligjin e ri është vetëm koncepti pension pleqërie, që llogaritet sipas formulës dhe në varësi të viteve të sigurimit. Kushti i vetëm që është ruajtur është periudha minimale e sigurimit prej 15 vjetësh. Me këtë ndryshim pensionet e personave që kanë më pak se periudha prej 35 vjetësh nuk pësojnë ulje por përkundrazi janë më të larta duke rregulluar një padrejtësi për shkak të mënyrës së llogaritjes.

– Si i parashikon ligji i ri pagesat e nënave shtatzëna dhe të raporteve mjekësore?

Vjollca Braho: – Sa i përket përfitimeve të barrëlindjes, ligji i ri përcakton të drejtat dhe kategoritë që përfitojnë. Është sanksionuar e drejta e baballarëve për përfitimin e kujdesit ndaj fëmijës. Është rritur periudha e pas lindjes për gratë nga 42 në 63 ditë. Është ndryshuar periudha e marrjes në konsideratë të pagës nga paga e vitit të fundit kalendarik në pagën e 12 muajve të fundit para lindjes së të drejtës. Tanimë llogaritja e pagesës së barrëlindjes dhe e raporteve mjekësore do të bëhet mbi bazën e pagës neto dhe jo bruto. Ky ndryshim është bërë pasi masa e përfitimit është 80% dhe me ndryshimet e sistemit të taksimit të ta ardhurave konstatohet që një person me raport mjekësor merr para më shumë se kur punon. Ky ndryshim vendos drejtësi në këtë lloj përfitimi, stimulon kthimin në punë dhe ul abuzivizmin.

– Ndryshim ka pësuar dhe skema për fshatin. Si do të llogaritjet pensioni për fermerët?
Vjollca Braho: – Skema e re në vetvete nuk krijon ndarje në pension fshati apo qyteti. Skema i trajton të gjithë pjesëmarrësit dhe llogarit përfitimet në bazë të kontributeve të paguara. Në këtë kontekst edhe të vetëpunësuarit në bujqësi trajtohen njëlloj si ata në qytet duke lidhur masën e pensionit me kontributin. Të vetëpunësuarit në bujqësi që do të kontribuojnë më shumë do të marrin pensione më të larta se ata që kontribuojnë më pak. Kjo e bën skemën më të drejtë dhe inkurajuese.

– Dixhitalizimi i regjistrimit online të personave të siguruar. Kur do të përfundojë ky projekt?

Vjollca Braho: – Krijimi i Arkivës Qendrore të Sigurimeve Shoqërore si dhe i Informatizimit të Aktivitetit të ISSH është një nga arritjet më të mëdha për të cilën jam krenare. Në kuadër të informatizimit të aktivitetit është edhe dixhitalizimi i periudhave të sigurimit dhe vjetërsisë në punë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Është ngritur gjithë infrastruktura për të realizuar këtë gjë dhe po punohet me ritme të shpejta. Deri tani është përfunduar dixhitalizimi për ish-KB, rreth 70% e ish-ndërmarrjeve shtetërore të para vitit 1994 dhe po fillon dixhitalizimi i periudhave të sigurimit pas vitit 1994. Kjo është një punë shumë e madhe dhe me përgjegjësi, pasi çdo e dhënë apo shifër në dokumentet në letër përkthehet në lekë që do të përfitohen dhe paguhen nga sigurimet shoqërore. Mjafton të them që bëhet fjalë për skanim dhe dixhitalizim të milionave faqe dokumentacioni të vjetër, i krijuar në kohë, jo i ruajtur mirë dhe i plotësuar me shkrim dore të cilësive të ndryshme. Megjithatë, shprehem besimplotë që ky proces do të vazhdojë dhe do të përfundojë brenda një periudhë optimale.

Tags: