Në prani të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, në datën 23 shtator 2014 u zhvillua në ambientet e Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore, Lundër, një takim me inspektorët e bujkut të të gjitha Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Në këtë takim, u theksua që, pavarësisht faktit se parashikimi i të ardhurave është tejkaluar, duhet shtuar më tej puna nga ana e inspektorëve të bujkut në të gjitha rajonet e vendit si për numrin e personave të rinj që duhet të përfshihen në skemën e sigurimeve shoqërore, ashtu edhe për sqarimin e fermerëve për përfitimet që do të kenë në të ardhmen nga skema e re e pensioneve.

Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, tërhoqi vëmendjen në drejtim të kujdesit maksimal që duhet treguar për realizimin e detyrave nga inspektorët dhe degët kontribuese në zonat rajonale: – “Një punë e madhe duhet bërë përsa i përket zbatimit të reformës së pensioneve nga çdo Drejtori Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, për të sqaruar  çdo fermer dhe për mbledhjen e të ardhurave për vitin 2014. Gjithashtu duhet punuar dhe për shtimin e numrit të kontribuesve të sigurimeve shoqërore, pasi kjo skemë ishte difiçitare, gjë që solli domosdoshmërinë e ndërmarrjes së reformës së pensioneve në drejtim të përmirësimit të kësaj skeme, e cila është miratura nga qeveria shqiptare dhe ju duhet të ndihmoni në rritjen e kontribuesve dhe futjen ne skemen e re”, theksoi Braho.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, pasi vlerësoi arritjet e deritanishme nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për realizimin e të ardhurave, vuri theksin në shtimin e punës nga ana e inspektorëve në kuadër të sqarimit të qytetarëve lidhur me reformën e pensioneve.

Ministri Veliaj këtë reformë e cilësoi si më të madhen, që nga viti 1993.