Intervista e znj. Vjollca BRAHO, Drejtoreshë e Përgjithme e ISSH-së, tek gazeta “Panorama” e datës 22.06.2014.

Varianti që ka miratuar qeveria, duket se ndryshon totalisht skemen e re të pensioneve. Kush është ndryshimi mes formulës aktuale dhe asaj të resë për llogaritjen e pensioneve pas 1 janarit 2015?

Në draftin e paraqitur për reformën e pensioneve ndryshojnë parametrat e skemës së sigurimeve shoqërore por nuk ndryshon sistemi i sigurimeve shoqërore. Skema përsëri mbetet një skemë kontributive dhe ndryshimet e theksojnë më shumë parimin kontributiv të saj. Edhe formula e re e paraqitur ka në thelb të saj, rritjen e peshës së pjesës së pensionit që lidhet me periudhat e sigurimit dhe sasinë e kontributeve të paguara. Në formulën e re pensioni bazë është zëvendësuar me pension social dhe shtesa mbetet e njëjtë, 1% për çdo vit sigurimi të pagës mesatare mbi të cilat janë paguar kontributet. Gjithashtu, janë hequr dy kufizimet ekzistuese të cilat janë pjesë integrale e formulës ekzistuese. Është hequr kufizimi i pensionit maksimal si dyfishi i pensionit minimal si dhe kufizimi tjetër i 75% të pagës mesatare neto në tre vite të njëpasnjëshme në dhjetë vitet e fundit të punës. Të dy këta kufizime kanë deformuar pensionet, kanë zhvlerësuar formulën në llogaritje dhe kanë dëmtuar parimin kontributiv të skemës.

Skema e vjetër parashikonte llogaritjen e pensionit mbi bazën e pensionit bazë, prej 12.024 lekë në muaj, plus shtesën 1 për qind për çdo vit sigurimi. Skema e re, parashikon llogaritjen mbi bazën e pensionit social, që mendohet të jetë më i ulët se sa pensioni bazë prej 12.024 lekë në muaj. A ndikon kjo në uljen e pensionit për ata që dalin nga janari 2015?

Megjithëse pensioni social parashikohet të jetë më i vogël se pensioni bazë, masa e pensionit për ata që do të dalin pas miratimit të ligjit të ri nuk do të ulet, pasi dy kufizimet e përmendura më sipër i kufizonin masat e pensionit të dala nga llogaritjet sipas formulës. Janë mbajtur parasysh gjatë përgatitjes së draftit dhe janë bërë llogaritjet që pensionet nuk ulen por lidhen më mirë me periudhat e sigurimit dhe pagat mbi të cilat janë paguar kontributet. Në pamje të parë duket sikur ulja e pensionit bazë dhe mbajtja e pandryshuar e shtesës do të japë pension më të vogël por duke mbajtur parasysh kufizimet që janë hequr pensioni nuk ulet. Nëse e ilustrojmë me një shembull. Supozojmë se një i siguruar që ka paguar kontributet gjatë gjithë kohës me pagë minimale dhe me periudhë sigurimi 35 vjet, sipas formulës ekzistuese masa e pensionit do të ishte P = 12024 + 35% x 19026 = 18683lekë. Por duke zbatuar kufizimin e parë që pensioni nuk mund të jetë më i lartë se 75% e pagës mesatare neto të tre viteve atëherë shuma që merr sot qytetari është pension minimal, pasi 75% e pagës minimale neto është sa pensioni minimal. Ndërsa sipas formulës së re nuk ka kufizim dhe pensioni llogaritet vetëm sipas formulës dhe masa e pensionit del dukshëm më e lartë se skema aktuale. E njëjta gjë vlen edhe për personat e siguruar me pagë maksimale, pensioni del më i lartë. Këta shembuj janë teorikë pasi historiku kontributiv është personal dhe gjatë gjithë karrierës kontributet janë paguar me paga të ndryshme.

Në ligjin e ri është parashikuar heqja e kompensimeve për energjinë, bukën, etj. A ndikon kjo në uljen e pensioneve?

Vendosja e kompensimeve të ndryshme si kompensimi i bukës, energjisë, të ardhurave minimale kanë deformuar skemën dhe kanë prishur raportet. Në ligj është përcaktuar që pensioni maksimal është dyfishi i pensionit minimal por nëse do të krahasonim të ardhurat maksimale me të ardhurat minimale ky raport nuk është 2 me 1 por është 1.73 me 1 si rezultat i kompensimeve të larta që jepen për pensionet minimale. Me qëllim unifikimin e llogaritjes së pensioneve, trajtimin uniform të të gjithë pensionistëve si dhe administrimin më të mirë të fondit të sigurimeve shoqërore janë hequr të gjitha kompensimet e mëspërme dhe llogaritja e pensionit bëhet vetëm sipas formulës së propozuar. Por këto kompensime do ti përfitojnë të gjithë pensionistët ekzistues edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Skema e re parashikon rritjen e moshës së daljes në pension për gratë, që nga 1 janari 2015 dhe më tej. Nga ana tjetër parashikohet edhe rritja e kohës së punës që duhet të ketë një i punësuar. A është ky një kufizim i ri për të dalë në pension? Kush preket nga rritja e kohës së punës?

Rritja e moshës së daljes në pension për gratë do të bëhet gradualisht me nga dy muaj në vit deri në arritjen e moshës 63 vjeç. Kjo moshë dalje në pension arrihet në vitin 2032 ose për gratë që kanë lindur në vitin 1969. Rritja e moshës me dy muaj në vit është e moderuar dhe përsëri ruhet dalja më herët në pension e grave krahasuar me burrat. Në ligj është parashikuar edhe rritja e periudhës së sigurimit por kjo rritje nuk është kufizim. Nën skemën e re humbet kuptimi i pensionit të plotë apo të pjesshëm pasi formula është dizenjuar e tillë që llogarit pensionin në varësi të viteve të sigurimit dhe pagave nëse I siguruari plotëson 15 vjet sigurim si minimum. Pra, në këtë kontekst nuk ka kufizim vitesh sigurimi për të marrë pension të plotë apo maksimal. Rritja graduale e periudhës së sigurimit është bërë për arsye të harmonizimit të legjislacionit për marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e sigurimeve shoqërore si dhe për përfitimin e pensionit të reduktuar.

Në relacionin që shoqëron ligjin thuhet se kush ka pagë mesatare dhe më të lartë, do të përfitojë një pension më të mirë pas 1 janarit 2015. Por nuk flitet për pagat e ulta. Sa do ndikohen pagat e ulta apo minimale nga reforma?

Edhe për pagat nën pagën mesatare pensionet nuk ulen me skemën ekzistuese. Por duhet mbajtur parasysh që historiku kontributiv është individual dhe nuk mund të përgjithësohet. Niveli i pagave për periudhën 35-45 vjeçare të punës është i ndryshueshëm dhe kjo sidomos pas vitit 1994, pasi Shqipëria kaloi nga një ekonomi e planifikuar në ekonominë e tregut. Për këtë arsye për efekt të llogaritjes së pensionit, llogaritet paga mesatare e gjithë jetës dhe jo pagat e tre viteve të fundit të punës.

Mund të na jepni një shembull për një person që ka një pagë minimale, një pagë mesatare prej 50 mijë lekë në muaj dhe një pagë maksimale prej 95 mijë lekë në muaj? Pra një punëtor të thjeshtë, një mësues ose mjek, dhe një drejtues i lartë?

Siç e përmenda më lart historia kontributive është individuale dhe shembujt që ju pyesni janë hipotetikë pasi gjatë gjithë karrierës së punës nuk ka një person i cili ka marrë të njëjtën pagë. Gjithashtu, si rezultat i zhvillimit ekonomik, lëvizjes së çmimeve pagat indeksohen çdo vit. E njëjta gjë ndodh edhe me pagat për efekt të llogaritjes së pensionit. Këto paga indeksohen për çdo vit sipas indekseve të përcaktuara për të sjellë në kohë vlerën e tyre. Një fakt tjetër që duhet mbajtur parasysh është që personat që dalin sot në pension dhe ata që do të dalin në pension pas 15-20 vjetësh, kanë një historik pune i cili përbëhet nga pagat fikse të sistemit të kaluar dhe nga pagat e sistemit aktual të ekonominë së tregut. Pagat e përfituara në sisteme të ndryshme indeksohen sipas indekseve të përcaktuar për të llogaritur pagën mesatare. Kjo do të thotë që pagat mesatare individuale nuk janë identike dhe për këtë arsye nuk mund të ilustrojmë shembullin që ju morrët. Por ajo që mund të them është se nga llogaritjet që ka bërë grupi teknik për reformën e pensioneve, skema e re jep pensione të drejta ç’ka do të thotë që lidh në mënyrë të drejtë masën e pensionit me kontributet e paguara gjatë gjithë jetës ose e shprehur në gjuhën e popullit i jep pensionistit hakun e vet.

Në ligj thuhet që nuk do të ketë më pagë minimale për efekt të sigurimeve, por vetëm pagë minimale. Kjo do të thotë rritje e pagës minimale mbi të cilën mbahen kontributet nga rreth 19000 lekë në muaj në 22 mijë lekë në muaj. Kush preket nga ky vendim?

Sot në Shqipëri ekzistojnë dy paga minimale, një për efekt të llogaritjes së kontributeve dhe një për efekt të punësimit. Paga për efekt të llogaritjes së kontribueteve është më e ulët se paga minimale që merr një i punësuar. Paga minimale për efekt kontributesh është përcaktuese për pagën maksimale dhe pensionin minimal nën skemën aktuale. Në skemën e re është eleminuar pensioni minimal dhe është zëvendësuar me pensionin social dhe nuk ka më kuptim që të jenë dy paga minimale në shkallë vendi. Një arsye tjetër është që pensioni do të jetë rezultat i kontributeve të paguara dhe një pagë e ulët do të sillte një pension të ulët. Ju pyetët se kush do të preket nga ky vendim. Sot paguajnë kontribute mbi pagën minimale për efekt të sigurimeve vetëm të vetëpunësuarit pasi për të punësuarit paga minimale është 22,000 lekë. Pra ky ndryshim ka efekt vetëm për të vetëpunësuarit.
Ju keni rritur përfitmin për ata që punojnë mbi moshën e daljes në pension, nga 0.36 për qind në muaj në 0.5 për qind në muaj. Nga ana tjetër keni rritur moshën e punës, pra kohën që duhet për punë nga 35 vjet në 35 vjet e katër muaj. Çfarë efekti ka kjo dhe kush përfiton?

Ky ndryshim është pozitiv pasi për personat që vendosin për të shtyrë moshën e daljes në pension dhe vazhdojnë të punojnë, shpërblimi për këtë shtyrje moshe është më i lartë nga 4% në vit në 6%. Kjo rritje do të inkurajim i vazhdimit të punësimit dhe kontribuimit. Si vazhdim i punësimit përtej moshës zyrtare do të shpërblehet me një pension më të madh si rezultat i dy faktorëve, i pari shpërblimi prej 0.5% të pensionit për çdo muaj shtyrje si dhe së dyti më shumë vite sigurimi, përqindje më e madhe e pagës për pension.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ndryshimi thelbësor i skemës së fshatit. Në relacionin e ligjit theksohet se fermerët mund të dekurajohen dhe të mos pagujnë fare kontribute. Si ndryshon skema dhe çfarë do ndodhë me fermerët për llogaritjen e pensionit të ri?

Skema e re në vetvete nuk krijon ndarje në pension fshati apo pension qyteti. Skema i trajton të gjithë pjesëmarrësit si kontribues dhe llogarit përfitimet në bazë të kontributeve të paguara. Në këtë kontekst edhe të vetëpunësuarit në bujqësi trajtohen njëlloj si të vetëpunësuarit në qytet duke lidhur masën e pensionit me kontributin. Ata të vetëpunësuar në bujqësi që do të kontribuojnë më shumë do të marrin pension më shumë se të vetëpunësuarit që kontribuojnë më pak duke e bërë skemën më të drejtë dhe inkurajuese. Pensionet e fermerëve do të llogariten me të njëjtën formulë si pensionet e tjera dhe kjo është një risi tjetër e skemës së re që e bën llogaritjen e përfitimeve transparente dhe lehtësisht të kuptueshme për të gjithë.

Ligji parashikon ndryshime të moshës së përfitimit të pensionit familjarë. Kush preket dhe çfarë ndryshon për përfituesit e këtij pensioni?

Pensioni familjar edhe nën skemën e re mbetet i pandryshueshëm përsa i përket kategorive përfituese dhe masës së përfitimit të pensionit. I vetmi ndryshim është rritja e moshës së përfitimit të pensionit familjar nga gratë e veja nga 50 vjeç në 55 vjeç. Ky ndryshim është bërë për faktin se nuk mund të mbetet e pandryshuar mosha e grave të veja ndërkohë që mosha e daljes në pension të grave rritet si dhe për faktin tjetër që gratë në këtë moshë janë në moshë aktive për punë. Gjithashtu, vazhdimi i punësimit do të përkthehet në masë pensioni më të madh kur mbushet mosha për pension pleqërie pasi pensioni familjar është 50 për qind e pensionit të bashkëshortit.

Tags: