Qeveria prezantoi sot publikisht “Dokumentin e Politikave të Pensioneve”, në ambjentet e Arkivit Qëndror të Sigurimeve Shoqërore, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, Drejtoreshës së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, zj. Vjollca Braho, dhe dy përfaqësueseve të Bankës Botërore, zj.Tahseen Sayed Khan dhe zj. Anita Schwarz. Në këtë dokument, i cili u hartua në zbatim të urdhërit të Kryeministrit, nr. 7, datë 17.01.2014, “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për bashkërendimin dhe mbikqyrjen e procesit të përgatitjes së reformës në fushën e pensioneve”, me specialistë të Minstrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, si dhe specialistë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, janë përshkruar me detaje karakteristikat kryesore të sistemit aktual të pensioneve, ecuria e të gjithë parametrave dhe treguesve të tij, si dhe problemet me të cilat ky sistem përballet sot. Ekipi i specialistëve të MMSR-së dhe ISSH-së, të ndihmuar dhe nga ekspertë të Bankës Botërore, ka paraqitur në këtë material të gjitha parashikimet afatgjata të treguesve kryesorë të skemës së sotme të pensioneve, si dhe dy opsionet se si mund të reformohet skema e pensioneve në të ardhmen dhe cilat janë projeksionet afatgjata të treguesve kryesorë të tyre.

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të tij, e quajti emergjente bërjen e reformës së pensioneve, e cila është kthyer në një plagë të thellë për vendin. Ai theksoi se në thelb të kësaj reforme është pensioni dinjitoz, që do të varet nga kontributet e gjithësejcilit, si dhe heqja e tavanit të pensionit, i cili do të motivojë çdo individ të deklarojë pagën reale për efekt të pensionit që do të marrë nesër. Gjithashtu, ai vlerësoi punën e jashtëzakonëshme të të gjithë specialistëve të ISSH-së dhe MMSR-së, që morën pjesë në hartimin e këtij dokumenti. Një falenderim i veçantë nga ana e Kryeministrit iu rezervua Drejtoreshës së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, znj. Vjollca Braho, për kontributin e dhënë për përgatitjen e këtij procesi të rëndësishëm reformues.

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, në diskutimin e tij për prezantimin e “Dokumentit të Politikave të Pensioneve” theksoi se kjo reformë pasqyron fytyrën njerëzore të Qeverisë, e cila po ndërhyn tani për të mos lënë pa pension asnjë të moshuar nesër. Ai shpjegoi hollësisht dy opsionet e hartuara nga ekipi i ekspertëve, duke vënë në dukje të gjitha risitë që këto propozime sjellin në skemën e re të pensioneve. Ministri Veliaj theksoi se skema aktuale e pensioneve jep pensione shumë të ulëta për qytetarët shqiptarë dhe nëse nuk reformohet, në të ardhmen pensionet do jenë akoma më të ulëta, për këtë arsye reforma që ne kemi hartuar ka si synim themelor që qytetarët shqiptarë të kenë pensione më të larta në të ardhmen, sigurisht në përputhje me kontributet që ato kanë derdhur.

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, znj. Vjollca Braho, gjatë fjalës së saj vuri theksin në domosdoshmërinë e reformimit të skemës së pensioneve dhe kthimin e saj në normalitet. Kjo për faktin se sistemi i pensioneve në Shqipëri i ka përmbushur funksionet e tij themelore gjatë tranzicionit dhe tani vuan nga disa probleme të mprehta që e bëjnë reformimin e tij të domosdoshëm.Skema aktuale e pensioneve jep përfitime të ulta për disa kategori dhe, ç’është më e rëndësishmja, përfitimet e saj do të vazhdojnë të ulen edhe më shumë në rast se skema nuk reformohet. Gjithashtu ajo karakterizohet nga elementë të theksuar të padrejtësisë, sepse disa grupe kontribuesish përfitojnë pensione shumë të larta dhe kontribuojnë shumë më pak se të tjerët. Për këtë arësye shihet si e natyrshme që sistemet e pensioneve të kenë një farë rishpërndarjeje tek më të varfërit apo kategoritë e tjera. Po kështu përkeqësimi i ndjeshëm i raportit mes kontribuesve dhe përfituesve lë të kuptohet se në të ardhmen shumë të moshuar nuk do të mund të marrin fare pension pleqërie dhe sistemi aktual i pensioneve nuk do të jetë në gjendje të barazpeshojë mjaftueshmërinë e përfitimeve me përballueshmërinë e shpenzimeve, prandaj është tepër e nevojshme të ndërhyhet menjëherë për reformimin e sistemit.

Në fund të prezantimit të “Dokumentit të Politikave të Pensioneve”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në ambjentet e Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore, duke shprehur në të njëjtën kohë vlerësimin e tij për këtë investim dinjitoz.