Një zjarr ka përfshirë sot, në datën 05 shtator 2020, në 07 e 20 minuta, godinën e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier.

Godina, e cila ndodhet në lagjen “15 Tetori”, u përfshi papritur nga zjarri, por përdorimi i materialeve antizjarr dhe mbërritja në pak minuta e zjarrfikësve ka bërë të mundur që flakët të shuhen shpejt.

Drejtuesi rajonal i sigurimeve shoqërore, Andius Olldashi, konfirmoi se nuk ka asnjë dëm në njerëz, por vetëm pak dëme në disa materiale administrative dhe në disa dosje të mbyllura të përfitimeve të pensioneve. Ndërkaq, Instituti i Sigurimeve Shoqërore deklaron se nga dëmtimi i materialeve në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier nuk preket asnjë përfitues, pasi të gjitha dosjet e pensionistëve janë të dixhitalizuara dhe ndodhen në arkivën online të këtij institucioni.

ISSH falenderon punonjësit e zjarrfikëseve të Fierit për reagimin e shpejtë, duke bërë të mundur minimizimin e dëmeve.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së u shpreh se do të ketë edhe një hetim administrativ mbi shkaqet e rënies së zjarrit në godinë.