Emigrantët, ja si do të verifikohen kontributet për pension

Flet Vjollca Braho, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore

Marrëveshja e ISSH-së me ACLI-n, hapen sportele të reja për informimin e emigrantëve për vitet e punës. Përfitimet nga skema e sigurimit vullnetar

Shtimi i komunikimeve mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Patronatit ACLI ka qenë në qendër të diskutimeve mes drejtuesve të ISSH-së dhe drejtuesve të ACLI-t gjatë kongresit të këtyre të fundit në Romë javën e shkuar. “Marrëveshja e përbashkët, e iniciuar që në vitin 2009 mes ACLI-t dhe ISSH-së, ka bërë të mundur që prej kohësh shumë nga bashkëqytetarët tanë të prekin në mënyrë konkrete të dhënat lidhur me përfitimet nga skema shqiptare, duke i dhënë jetë kështu një binomi të rëndësishëm të kujdesit social mes dy vendeve”,- tha në fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, e cila falënderoi drejtuesit e Patronatit, lidhur me vendimin e disa muajve më parë për të hapur sportele në disa qytete italiane me të punësuar shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali. Këta të fundit u trajnuan disa kohë më parë nga specialistët e ISSH-së në Tiranë, ndërkohë që pritet që përhapja e tyre të jetë në shumë qytete të tjera ku janë të fokusuar shumica e shqiptarëve. ACLI është një prej patronateve që në Itali ka 20 zyra rajonale, 105 zyra provinciale dhe 456 zyra lokale. E veçanta e këtij patronati është se ka 72 zyra në të gjithë botën, dy prej të cilave në Shqipëri – një në Tiranë dhe një në Shkodër. “Unë konstatoj me kënaqësi se komunikimi me ju ka qenë mjaft i domethënës për të mbërritur tek bashkëqytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë këtu, në vendin tuaj, e që mund të informohen se gjithkush prej tyre që ka pasur një historik marrëdhëniesh kontributive në Shqipëri, do të mund t’i marrë ato në momentin që do t’u lindë e drejta”,- ka theksuar Braho.

Duke kërkuar që fusha e bashkëpunimit të vijojë me intensitetin maksimal për të bërë të mundur që të informojë çdo bashkëqytetar në kohë që ata të arrijnë të përfitojnë çdo kontribut të derdhur gjatë kohës që kanë jetuar në Shqipëri, Braho tha se “Dëshiroj të ndaj me ju faktin se, aktualisht, institucioni që drejtoj është drejt konkretizimit final të informatizimit të sistemit, një mundësi kjo për të gjithë emigrantët që të verifikojnë kontributet e tyre në Shqipëri, e më pas të vendosin lidhur me pagesat e tyre në zyrat tona. Në këtë kuadër, është detyrim i yni t’iu përgjigjemi edhe kërkesave të kujtdo qytetari të huaj që do të kërkojë njohjen e pagesave kontributive në Shqipëri për të gjithë kohën që punon këtu”.

Marrëveshjet e nënshkruara në ISSH

Përmes këtij komunikimi, mjaft shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali kanë mundur të informohen lidhur me periudhat që kanë pasur të siguruara në Shqipëri, duke bërë të mundur kështu që të jenë në dijeni të kushteve që u nevojiten për përfitim në momentin që u lind e drejta. “Pa dyshim që fusha e mbrojtjes sociale mbetet një fushë e mbushur me sfida. Por, në të njëjtën kohë, të jep kënaqësinë që të jesh pranë kujtdo, duke bërë të mundur që t’i lehtësojmë bashkëqytetarëve hapat drejt moshës së tretë”,- tha Braho.

ISSH, aktualisht, ka marrëveshje me tri patronatet kryesore, INAS,ACAIdhe ACLI, përmes të cilëve, informon falas dhe përmes punonjësve të tyre të gjithë emigrantët për të kaluarën e tyre kontributive në Shqipëri apo edhe për kushtet për të vijuar sigurimin edhe këtu.