Flet kreu i ISSH: Pensionet, reforma shton 4400 përfitues

Intervista/ Vjollca Braho: Kosto e pagesave rritet me 670 milionë lekë. Kontroll online kontributeve për pension. Braho: Kontroll online kontributeve e llogaritjes së pensionit. Në skemën e pensioneve do të shtohen 4400 përfitues të rinj. Mbyllja e reformës së rritjes së moshës së daljes në pension, e nisur në vitin 2002, do t’i shtojë kostos së pagesave të pensionistëve edhe 670 milionë lekë.

Në një intervistë për gazetën, drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho, shpjegon efektet që lindin nga mbyllja e reformës. Për ta qartësuar, në vitin 2002 Kuvendi miratoi ligjin që rriste çdo vit me 6 muaj moshën e daljes në pension. Reforma mbaron në fund të këtij viti dhe pritet që vetëm në vitin 2013 numri i pensionistëve, nga 12 700 përfitues të rinj që dalin në pension në vitin 2011, të shkojë në 12 700 përfitues. Nga ana tjetër, Braho sqaron për gazetën edhe reformën e re të dixhitalizimit. Shumë shpejt, kushdo mund të shikojë online kontributet që i janë derdhur për pensione dhe llogaritjen e përfitimit, pensionit që do të marrë. Aktualisht ISSH e ka ulur kohën e llogaritjes së një pensioni të ri mesatarisht në 30 ditë në të gjithë vendin, ndërkohë që dixhitalizimi pritet ta bëjë qytetarin pjesë edhe më të afërt të punës së ISSH-së. Këto janë fushat ku drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, kërkon t’i vërë theksin punës së ISSH-së, institucioni që ajo e drejton që prej mesit të janarit të këtij viti. -Gjatë javëve të fundit janë shtuar ndjeshëm denoncimet e rasteve të abuzimeve me pensionet. A mund të na shpjegoni si janë konstatuar dhe çfarë ndodh në këto raste?

Po, është e vërtetë që kohët e fundit janë konstatuar raste të pensioneve të padrejta duke përdorur dokumentacion jo të vërtetë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore prej kohësh është në një proces informatizimi të thellë dhe pjesë e këtij procesi është edhe dixhitalizimi i të gjitha dosjeve të pensioneve që aktualisht paguhen nga ana jonë. Sistemet informatike dhe bazat e të dhënave janë të lidhura online me Regjistrin Kombëtar të Shtetasve dhe janë ndërtuar në mënyrë të tillë që nuk lejojnë regjistrimin e pensioneve me data të pasakta datëlindjeje apo dublime. Gjatë procesit të hedhjes së të dhënave (kartelizimit të pensioneve) nga ana e sistemit janë konstatuar raste me datëlindje të korrigjuara (falsifikuara), ndryshime gjeneralitetesh etj. Nga ana jonë janë zbatuar procedurat e parashikuara për këto raste, janë pezulluar pensionet, janë lajmëruar qytetarët që të paraqiten pranë zyrave tona për sqarime dhe dokumentacion shtesë që mund të kenë. Në rastet kur konstatohet që përfitimi është marrë me rrugë të padrejtë, janë llogaritur shumat e marra padrejtësisht dhe po rikuperohen gradualisht sipas përcaktimeve të ligjit. Gjithashtu, nga ana jonë, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, do të fillojë së shpejti pagimi i pensioneve online nëpërmjet një sistemi financiar informatik. Gjatë implementimit të këtij procesi të ri pagese janë konstatuar raste të pagesave të dubluara ose të pagesave pas vdekjes së pensionistëve. Edhe për këto raste po zbatohet procedura e parashikuar në ligj dhe në marrëveshjen me agjentin pagues që është Posta Shqiptare.

-Në fund të marsit përfundoi amnistia fiskale ku përfshiheshin edhe të vetëpunësuarit dhe bizneset. A mund të na thoni se cilat kanë qenë rezultatet e kësaj amnistie në shifra?

-Në lidhje me rezultatet e amnistisë, përsa u përket kontributeve të sigurimeve shoqërore, mund t’ju them vetëm për rezultatet për të vetëpunësuarit në bujqësi që janë detyrim dhe kompetencë e ISSH-së, pasi të drejtën dhe detyrimin për kategoritë e tjera të kontribuesve, siç janë bizneset apo të vetëpunësuarit në qytet, e kanë organet tatimore. Përsa u përket të vetëpunësuarve në bujqësi, ka pasur një interes për pagimin e kontributeve të prapambetura të sigurimeve shoqërore, dhe kjo është reflektuar në numrin e të siguruarve për këtë periudhë. Kështu, për vitin 2011 numërohen 261 mijë kontribuues, ndërkohë që rreth 28 mijë persona janë identifikuar deri tani si përfitues të amnistisë fiskale. ISSH ka përdorur të gjitha mjetet e komunikimit për të shkuar në çdo shtëpi fermeri, në çdo forum të komunave, edhe për faktin se ky është një shans që s’përsëritet për një përfitim të tillë. Viti 2012 është vit i përfundimit të reformës së nisur që në vitin 2002 për rritjen e moshës për kategorinë e tretë të punonjësve, që përbëjnë dhe shumicën e të punësuarve.

-A do të ketë kjo një efekt në rritjen e personave që do të dalin në pension?

-Reforma parametrike e ndërmarrë në vitin 2002 për rritjen graduale të moshës së daljes në pension ka parashikuar që në vitin 2012 mosha e daljes në pension pleqërie për punët e kategorisë së tretë, për burrat të jetë 65 vjeç dhe për gratë 60 vjeç. Si rezultat i rritjes graduale të moshës së daljes në pension deri në 2012-n, numri i pensionistëve ka qenë më i ulët se numri i personave që do të dalin në pension këtë vit. Kështu, në e vitin 2011, si viti i fundit i reformës, kanë përfituar pensione pleqërie 12 700 persona dhe për vitin 2012, në momentin e bërjes së reformës, kanë qenë parashikuar të marrin pension pleqërie 17 100 persona, pra që këtë vit parashikohet të trajtohen me pensione pleqërie të plotë dhe të pjesshëm rreth 4400 persona më shumë se një vit më parë, ose me një efekt vjetor financiar të parashikuar për më shumë, rreth 670 milionë lekë. Themi pensionet e pleqërisë, pasi pensionet familjare dhe ato të invaliditetit nuk i janë nënshtruar kësaj reforme për vetë natyrën e tyre, pasi ato janë përfitime që jepen nga skema, por që janë ngjarje të rastësishme për të ndodhur e që nuk lidhen me moshën e personave, siç është i kushtëzuar pensioni i plotë apo dhe i pjesshëm i pleqërisë. Keni deklaruar se jeni në vijim të informatizimit të plotë të sistemit.

-A mund të na shpjegoni se në cilat hapa ndodhet ky informatizim?

-Po, jemi në vijim të procesit të informatizimit, pasi ky proces, për vetë natyrën e sigurimeve shoqërore, është proces i gjatë dhe i vështirë, pasi ka të bëjë me pensionet dhe përfitimet e tjera të reja që ne llogarisim dhe paguajmë si dhe me pensionet tashmë të llogaritura ndër vite. Informatizimi i sistemit konsiston në automatizimin e të gjithë aktivitetit si sistemi financiar, sistemi i llogaritjes së përfitimeve, sistemi i menaxhimit të kontributeve të paguara, arkiva dixhitale e historisë kontributive të çdo shtetasi, si dhe aktiviteteve administrative të ISSH-së. Jemi në fazën e implementimit të sistemit informatik financiar dhe të llogaritjes automatike të përfitimeve. Rezultante e këtyre dy sistemeve është edhe sistemi i pagesave online të pensioneve, i cili po implementohet në disa qendra paguese në Tiranë në bashkëpunim me agjentët tanë pagues. Po vazhdon puna për testimin e sistemit të menaxhimit të kontributeve si dhe ngritja e sistemit të arkivit dixhital të historisë kontributive të shqiptarëve. Nga ana jonë po punohet intensivisht në hedhjen e të dhënave si për përfituesit, ashtu edhe për kontribuesit në skemë. Ka përfunduar dixhitalizimi i regjistrave të ish-kooperativave bujqësore dhe po punohet intensivisht në dixhitalizimin e regjistrave të vjetërsisë në punë të ish-ndërmarrjeve shtetërore në tërë Shqipërinë. Në fund të këtij procesi të dixhitalizimit qytetarët do të kenë mundësinë të kontrollojnë të gjithë historinë e tyre kontributive dhe llogaritjen online të përfitimit të tyre nga këto kontribute.

Leave a Comment