I nderuar z. Ministër,
Të nderuar organizatorë dhe pjesmarrës,

Lejomëni që në emër të institucionit që unë drejtoj, si dhe në emrin tim, të falenderoj së pari deputetin Touadi dhe diplomatin Berlendi për praninë e tyre në këtë takim. Gjithashtu, më lejoni që të përshëndes Presidentin e INAS-CISL-it z. Sorgi, si dhe të gjithë të pranishmit e tjerë në këtë sallë, të cilët na japin të kuptojmë edhe një herë se sa i rëndësishëm mbetet komunikimi me çdo bashkëatdhetar kudo që ai ndodhet.

Ky takim shënon një hap të mëtejshëm të bashkëpunimit konkret mes INAS dhe ISSH-së, për informimin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali lidhur me të drejtat, detyrimet dhe përfitimet nga skema shqiptare e sigurimeve shoqërore.

ISSH ka ndërtuar që prej vitit 2009 një marrëdhënie të shkëlqyer me INAS, marrëdhënie që ka bërë të mundur që prej kohësh të shkëmbejmë informacion për kërkësa konkrete të bashkëatdhetarëve tanë duke i dhënë jetë një misioni tërësisht social.

Ne kemi kënaqësinë e bashkëpunimit me Patronatin tuaj i cili zhvillon veprimtari informimi, asistence, konsulence dhe mbrojtje pa pagesë të emigrantëve të cilat kanë si qëllim kryerjen e shërbimeve të mbrojtjes, asistencës dhe sigurisë shoqërore, në kuadrin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Dëshiroj që përmes jush dhe të gjithë partnerëve tanë në Itali, të garantoj edhe një herë se, çdokush që jeton sot në Itali dhe që ka patur një historik kontributiv në Shqipëri do t’i gëzojë përfitimet e skemës. Me këtë rast dëshiroj të siguroj gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, se është në detyrën tonë jo vetëm administrative, por edhe sociale, për të garantuar çdo qindarkë të derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri dhe, se me plotësimin e viteve të munguara, do t’u bëhet i mundur plotësimi i kontributeve të nevojshme për të patur një garanci sociale në çdo kohë edhe në vendlindjen e tyre.

Ky bashkëpunim iu jep mundësinë qytetarëve dhe punonjësve shqiptarë që t’i njohin, integrojnë e t’i gëzojnë sa më mirë të drejtat e tyre për pension në atdhe. Ligji shqiptar, nëpërmjet ISSH-së, u ofron emigrantëve mundësinë e vazhdimësisë së historikut të tyre kontributiv në Shqipëri përmes skemës së Sigurimit Vullnetar, si një mundësi më shumë për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Kjo do të thotë se nëse një shtetas shqiptar ka derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore për një periudhë të caktuar kohore ai mund të informohet pranë zonës ku jeton në Itali për peridhën tjetër kohore që i nevojitet për të plotësuar vitet e nevojshme që të përfitojë pension në Shqipëri.

Duke besuar se ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm, ashtu si edhe me shumë nga partnerët e tjerë italianë me të cilët bashkëpunojmë, me lejoni t’ju falenderoj edhe një herë për praninë tuaj sot këtu dhe këtij takimi t’I uroj një punë të mbarë.

Drejtore e Përgjithshme e ISSH-së
Vjollca BRAHO