Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë,
Ndjehem shumë i nderuar  të përshëndes  në këtë konferencë, që organizohet me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Kjo është një ditë e rëndësishme, në të cilën ne do të analizojmë e vlerësojmë arritjet e mëdha të realizuara në këto 20 vite, arritje që kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e shumicës së popullsisë së vendit e veçanërisht të pensionistëve.

Gjatë këtyre viteve Instituti i Sigurimeve Shoqërore është  rrritur e  modernizuar, por kryesorja është se ka arritur të materializojë me sukses nismat e Qeverisë për përmirësimin në vazhdimësi të jetës së të moshuarve dhe familjeve të tyre.
Ky institucion ka përballuar me sukses problemet e tranzicionit duke zbatuar një nga skemat më të rëndësishme të mbrojtjes sociale, skemë e cila trajton me pensione e përfitime të tjera mbi 800 mijë persona e që u shërben  afro 1 milion të tjerëve, që janë kontribues në këtë sistem.  Nga ky institucion menaxhohen afro 90 miliardë lekë në vit për dhënien e përfitimeve, është përmirësuar në vazhdimësi shërbimi ndaj pensionistëve duke  përmirësuar  organizimin e drejtimin e punës e duke  rritur performancën  e punonjësve.
Si institucion i specializuar në këtë fushë ka ndihmuar në rritjen e bashkëpunimit të stukturave tona të mbrojtjes sociale me strukturat homologe në vendet e tjera dhe ka bashkëpunuar me shumë institucione të huaja.
Të nderuar pjesëmarrës,
Kjo konferencë mbahet në kushtet kur shumë vende  po kalojnë krizë ekonomike, që po i detyron ato  të ndërmarrin masa të forta shtërnguese, madje po ulin pagat e pensionet. Ndonëse  kriza e këtyre vendeve ka ndikimin e saj, ekonomia jonë po  vazhdon të mbajë ritme pozitive të rritjes. Skemat e mbrojtjes sociale po funksionojnë normalisht dhe duke rritur përfitimet.
Pensionet  janë  burim i ndjeshëm i të ardhurave të popullsisë, dhe kryesisht të moshës së tretë dhe pikërisht për këtë, Qeveria Shqiptare, vazhdon të ketë prioritet të saj, rritjen e pensioneve dhe në përgjithësi të të ardhurave të pensionistëve, duke qenë  dhe vazhdon të mbetet një nga përparësitë e politikës ekonomike të Qeverisë edhe për vitet e ardhshme.
Duke filluar që nga viti 2006 është bërë realitet angazhimi që të ardhurat minimale të pensionistëve në fshat të jenë më të larta se 50 dollarë në muaj, dhe në qytet mbi 100 dollarë në muaj.
Në vitin 2011, të ardhurat minimale të pensionistëve në qytet  arritën në 13 267 lekë në muaj dhe në fshat 8 358 lekë në muaj, duke realizuar nje rritje mbi 59% të pensionistëve të qytetit dhe më shumë se dyfishim për pensionistët e fshatit, krahasuar me vitin 2005.
Kjo rritje në radhë të parë realizon rikuperim total të efekteve gryese të inflacionit, në masën e pensionit, jep shtesë reale të pensionit dhe realizon angazhimin e qeverisë që pensionet e ulta të rriten me ritme të larta. Nga këto rritje kanë përfituar mbi 540 pensionistë të qytetit dhe të fshatit.
Për vitin 2011 të ardhurat minimale të pensionistëve në qytet u rriten me 4%, ndërsa në fshat me 7%, krahasuar me një vit më parë, mbi nivelin e inflacionit vjetor të cmimeve.
Me gjithë efektet e krizës globale, në vitin 2012, sipas  Programit të qeverisë pensionet do rriten rreth 4% në qytet dhe mbi 5% pensionet e fshatit.
Rritja më e madhe edhe e diferencuar e pensioneve të fshatit bëhet në zbatim të strategjisë së zhvillimit të skemës së sigurimeve shoqërore, me qëllim barazimin  e tyre me pensionet e qytetit në vitin 2013.
Rritjet e pensioneve në përgjithësi janë realizuar nëpërmjet zbatimit të politikave të qeverisë dhe angazhimit të strukturave të saj, për uljen e evazionit kontributiv dhe informalitetit në ekonomi. Gjatë këtyre viteve u bë e mundur ulja e ngarkesës kontributive të sigurimeve shoqërore nga 38.5 % në 24.5 %, duke favorizuar në këtë mënyre zhvillimin e biznesit dhe nxitjen e tyre në shlyerjen e detyrimeve ndaj sigurimeve shoqërore.
Reduktimi i normës kontributive ka ndikuar pozitivisht në uljen e informalitetit, rritjen e numrit të kontribuesve dhe për rrjedhojë edhe në rritjen e të ardhurave kontributive.
Zhvillimi i politikave sociale që nga viti 1993 e në vazhdim ka synuar në mbrojtjen e të gjithë shtetasve shqiptarë që punojnë jashtë vendit.
Në funksion të kësaj është përmirësuar  kuadri ligjor, i përafruar me standartet e BE dhe ato ndërkombëtare. Janë ratifikuar dy ndër instrumentat ligjore të rëndesishëm, të Konventës  nr. 102 të ILO-s dhe Karta Sociale Europiane e Rishikuar, dhe po punohet intensivisht për përfundimin e marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes shoqërore, me Belgjikën, Hungarinë, Rumaninë, Maqedoninë, Çekinë dhe po bëhen përpjekje edhe me vende të tjera.
Me gjithë arritjet  jemi të vetëdijshëm se skema duhet të permirësohet dhe për këtë arsye po punohet  si në drejtim të fuqizimit të skemës publike  dhe për mbështetjen e  fondeve të pensioneve vullnetare, nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit dhe mbikqyrjes së këtyre fondeve.
Objektiv kryesor i Qeverisë i përcaktuar në dokumentat strategjikë si SKZHI 2007-2013, Plani Kombetar i Zbatimit të MSA dhe dokumenti per reformën në pensione, është zhvillimi bashkëkohor i skemës së sigurimeve shoqërore të detyrueshme dhe kombinimi i qëndrueshmërisë finaciare të tyre në kuadrin e një sistemi shumëkolonësh, nëpërmjet përmbushjes:
Së pari: garantimi i mbulimit sa më të plotë të popullsisë së vendit me elemente të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të mbajtura në nivele të pranueshme, nëpërmjet politikës së rritjes së masës së përfitimeve nga sigurimet shoqërore.
Së dyti: intesifikimi i përpjekjeve për forcimin e mëtejshëm të qëndrueshmërisë financiare të skemës të sigurimeve shoqërore, duke synuar rritjen graduale por më të shpejtë të kontributeve në krahasim me rritjen e përfitimeve si dhe duke minimizuar subvencionet buxhetore.
Së treti: përgatitja e sistemit për të kaluar drejt një sistemi shumëkolonësh nëpërmjet:
-forcimit dhe reformimit të skemës aktuale,
-nxitjes dhe zhvillimit të fondeve private si kolona të treta të sistemit të përgjithshëm të sigurimeve shoqërore për të siguruar një mbrojtje sociale sa më efikase për moshat e treta.
Së katërti: konkludimi i marrëveshjeve bilaterale dhe aderimi në marrëveshjet europiane e më gjerë, në fushën e sigurimeve shoqërore, janë midis objektivave më të rëndësishme të sigurimeve shoqërore.
Duke përfunduar, dëshiroj t’Ju shpreh edhe njëherë përshëndetjet e mija më të përzemërta dhe t’iu uroj punë të mbarë e të suksesshme punimeve të konferencës.