Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përkujtuar më datë 06.06.2012, 20-vjetorin e ngritjes si një institucion më vete, përmes një konference në Hotel “Sheraton”, ku janë pasqyruar hapat e hedhur në këto 20 vite, si dhe sfidat në të ardhmen.
Në konferencë, ku morën pjesë Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera, si dhe mjaft të ftuar të tjerë, mes të cilëve edhe Zv/Ministri i Punës dhe Mirëqënies Sociale në Kosovë z. Fatmir Shurdhaj, u shfaqën disa nga momentet më kryesore të ndryshimeve, të pasqyruara këto në buxhetet e shqiptarëve. “20 vjetori i përket institucionit në formatin që funksionon sot, por përkujdesja për raportin social të sigurimeve shoqërore ka startuar së bashku me shpalljen  e Pavarësisë, 100 vjet më parë, me krijimin e “Statusit Organik të Shqipërisë”, ku parashikoheshin edhe sigurimet shoqërore”, theksoi në fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, e cila bëri një pasqyrë të ndryshimeve që ka pësuar ligji për sigurimet shoqërore, si dhe hapat aktualë të ISSH-së, ku më e rëndësishmja është siguria ndaj publikut se gjithkush do të mund të marrë çdo kontribut të paguar, shërbimi i drejtë dhe informatizimi i plotë i të dhënave.

Znj. Braho përmendi disa nga ndryshimet më thelbësore që nga vitit 1993, mes të cilëve ajo në vitin 1995, ku u bënë ndryshimet e para në ligjin e sigurimeve shoqërore i cili konsistonte në forcimin e kompetencave të inspektorëve të kontributeve, duke iu dhënë e drejta e kontrollit personave juridikë e fizikë, të masës së kontributit të derdhur, fondit të pagave dhe listëpagesave, u hartuan sanksione për mospagesat e kontributeve, si dhe u parashikuan periudhat tranzitore nga lënia e punës deri në marrjen e pensionit. Ndërsa në vitin 1998 erdhën ndryshimet e tjera, ku u saktësua që detyrimi për kontributet e papaguara të konsiderohej titull ekzekutiv. Gjithashtu, në fushën e përfitimeve, e drejta e marrjes së kësteve të patërhequra u shty nga 1 vit deri në 3 vjet, si dhe u miratua një skemë e re pensioni për fermerët.

Në vitin 2001, për të bërë më atraktive skemën, u riformuluan nenet për detyrimet e punëdhënësit, proçedurat e regjistrimit në sigurimet shoqërore. Tek sanksionet (gjoba e kamatëvonesa) për shkelje nga ana e subjekteve u bë diferencimi midis subjekteve që regjistrohen në organet e sigurimeve shoqërore me ata që konstatoheshin të tillë gjatë kontrolleve, masat e gjobave ndryshojnë dhe detajohen edhe me shumë llojet e shkeljeve që mund të bëjnë punëdhënësit apo të vetëpunësuarit, si mbajtja nga paga e kontributeve dhe mospagimi i tyre etj.
Ndërkaq, një nga reformat më të rëndësishme u ndërmor në vitin 2002, ku u realizuan këto ndryshime në legjislacion:
së pari, u rrit raporti midis pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve për sigurime shoqërore, nga 1/3 në 1/5;
së dyti, u ul  në masën 4%  norma e kontributit për sigurimet shoqërore dhe, më kryesorja, u rritën në mënyre graduale moshat e daljes në pension pleqerie, për burrat e gratë, duke shkuar në moshën që është sot, 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë.
Një vit më vonë, në vitin 2003, u bënë amendimet përkatëse që pasqyronin transferimin e shërbimit të mbledhjes së kontributeve nga organet e sigurimeve shoqërore tek organet e tatim-taksave, siç funksionojnë që prej vitit 2005. Gjithashtu, u bënë ndryshimet përkatëse në ligjin për pensionet suplementare private për futjen e fondeve profesionale të pensioneve.

Në vitin 2005 u shënuan ndryshime të tjera. Kështu u bë përqasje e legjislacionit shqiptar me standartet Europiane, Kodi Europian i Sigurimeve Sociale dhe Konventa e ILO-s për sigurimet shoqërore. Përsa i takon periudhës minimale për përftim të pensionit të pjesshëm të pleqërisë (nga 20 vjet u bë 15 vjet).
Në vitin 2006 u bë reduktimi i mëtejshëm i normës së kontributit, e cila vazhdonte të mbetej e lartë. ISSH-ja që nga ky vit e aktualisht është institucion që ka Ministri të linjës Ministrinë e Financave, ndërsa më parë ishte nën varësinë e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale.
Në vitin 2007, u përcaktua shuma që duhet të kthejë personi kur ai ka përfituar të ardhura në mënyrë të paligjshme, kështu ai detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër duke ju mbajtur çdo muaj 50% e kestit mujor të përftimit. Gjithashtu, dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të kodit penal.
Në vitin 2009, u bë reduktimi i mëtejshëm i normës së kontributit, pjesa e punëdhënësit.
Në vitin 2011, duke marrë shkas nga disa trajtime gjyqësore dhe deri në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në Strasburg, u ndryshua ligji i sigurimeve shoqërore, lidhur me mënyrën e konstituimit të KMCAP-ve, me qëllim sigurimin e pavarësisë në vendimarrje të Komisioneve Eprore të Caktimit të Aftësisë për Punë.
“Mbështetur në këtë dinamikë ndryshimesh unë dhe stafi që drejtoj synojmë që përmes punës sonë të përditshme të shtojmë transparencën me kontribuesit dhe përfituesit e skemës, të japim informacion në kohë reale për gjithçka ndodh përsa i përket marrëdhënies mes qytetarëve dhe ISSH-në, të jemi të shpejtë në lidhjen e përfitimeve si dhe mirëadministrimin e fondeve të sigurimeve shoqërore, duke bërë kështu të mundur rritjen e besimit të gjithsecilit në skemën e pensioneve”, tha Braho, e cila garantoi se, ISSH po shkon drejt një hapi të rëndësishëm të informatizimit të plotë të punës së saj. Sipas Brahos, aktualisht ISSH është futur në procesin e dixhitalizimit të të gjithë vjetërsisë në punë që nga viti 1947 e në vazhdim, që rezultati të jetë i prekshëm sa më parë nga qytetarët. “Parë në kontekstin e rëndësisë sociale për qytetarët, informatizimi i të dhënave, duke përfshirë kontributet, llogaritjen e përfitimeve që jepen nga skema e sigurimeve shoqërore, sistemin financiar dhe sistemin e administrimit të burimeve njerëzore, si dhe përfundimi i arkivës kombëtare, përbën ndoshta një nga hapat më të rëndësishëm në kuadër të mirëadministrimit të skemës, me qëllim që të evidentohet qartë çdo kontribut dhe përfitim, dhe që gjithkush të arrijë të përfitojë atë që i takon nga sistemi i pagësës së pensioneve”, tha Braho, duke theksuar edhe faktin se, kontrollet e vazhdueshme dhe dixhitalizimi kanë bërë të mundur që të nxjerrin nga skema të gjitha përfitimet e paligjshme në mënyrë që të realizohet kthimi i parave të marra në mënyrë të pamerituar në arkën e ISSH-së, me qëllim që nga ky institucion të tërhiqen vetëm pensione të merituara.

Leave a Comment