•  test
  •  

Sot më datë 04.10.2013, në ambjentet e Postës Shqiptare Sha u zhvillua një takim mes Drejtores së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho dhe z. Ardit Çela, Administrator i Postës Shqiptare Sha.

Në qendër të diskutimeve ishte mbarëvajtja e procesit të pagimit të pensioneve të pleqërisë, duke pasur parasysh faktin që Posta Shqiptare është agjenti pagues i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në frymën e bashkëpunimit, të dyja palët e vunë theksin në vazhdimin e reformave për përmirësimin e shërbimit, si dhe eliminimin e abuzimeve në pagesat e pensioneve të pleqërisë. Gjithashtu, u diskutua dhe për shtrirjen e mëtejshme të projektit për pagesat online të pensioneve të pleqërisë në të gjithë vendin.

Të dy palët konfirmuan se do të vijojnë punën për rritjen e performacës për ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për të gjithë qytetarët.

  •  test
  •  
  • 0

Në datat 7 dhe 8 Tetor 2013, një delegacion  i Ministrisë së Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit të Aftësive të Kanadasë, zhvilloi disa takime në Tiranë, qëllimi i të cilave ishte shkëmbimi i informacionit për strukturën e programeve të mbrojtjes shoqërore në të dy vendet, veçanërisht të skemës publike të pensioneve dhe fillimin e negociatave për arritjen e marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen shoqërore midis dy vendeve.

Pas takimit me Ministrin për Mirëqënien Sociale dhe Rininë, z. Erjon Veliaj, delegacioni kanadez, i kryesuar nga z. Rakesh Patry, Drejtor i  Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Politikave të Pensionit, zhvilloi një takim dhe me znj. Vjollca Braho, Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Gjatë këtij takimi, pala kanadeze u njoh me funksionimin e skemës së pensioneve që administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, si dhe kapacitetet institucionale të ISSH-së për shkëmbimin e periudhave kontributive, për realizimin e marrëveshjes së pritshme midis dy vendeve.

Nga ana e palës kanadeze u bë e njohur funksionimi administrativ i dy skemave të pensioneve në Kanada. Takimi u zhvillua në një frymë të ngrohtë dhe  mirëkuptimi dhe u shpreh gatishmëria e dyanshme për bashkëpunimin teknik midis dy institucioneve.

  •  test
  •  

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, shpalosi sfidat e institucionit për vitin 2014, gjatë një takimi ku u prezantuan edhe 12 drejtorët e rinj të Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në qarqe.

“Ne jemi një institucion i lidhur thuajse me çdo familje shqiptare, ndaj performanca jonë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Kjo na bën të privilegjuar për shkak të kontaktit me thuajse çdo qytetar, si përfitues apo kontribues, por njëkohësisht na rrit përgjegjësinë për të bërë të mundur që çdokush të gjejë tek punonjësit tanë gadishmërinë për t’i shërbyer”, tha Braho, duke i kërkuar drejtuesve të rinj që t’i bashkangjiten traditës së mirë që ka krijuar ISSH në komunikimin e hapur me publikun. “Ne besojmë se shërbimi me trasparencë dhe në kohë është sfida jonë e përditshme, e njëkohësisht detyrimi ynë për të bërë të mundur që çdo përfitues të marrë atë që i takon”, tha Braho, duke i kërkuar drejtuesve që të gjejnë rrugët për të bërë të mundur komunikimin me çdo qytetar që kërkon shpjegime apo shërbime në zyrat e sigurimeve shoqërore.

Ndër sfidat e tjera u përmendën edhe realizimi i llogarive personale për çdo kontribues në skemë: i punësuar apo i vetëpunësuar, në fshat apo qytet,  llogaritja automatike e pensioneve nëpërmjet softit të përgatitur, rritja e kontrollit për pensionet e invaliditetit për të shmangur subjektivizmin në këtë lloj përfitimi, si dhe realizimi i të ardhurave nga kontributet, nën përgjegjësinë e ISSH-së.

Në takim u  përmend si një hap drejt përafrimit edhe më shumë me publikun hapja e rubrikave “Pyesni Online” dhe “Denonco Online”, të cilat kanë bërë të mundur një komunikim edhe më të drejtëpërdrejtë të qytetarëve me institucionin. “Thellimi i kësaj eksperience komunikimi me qytetarët, marrja në konsideratë e mendimeve të tyre rreth shërbimit nga ana jonë, do të na bëjë më të afërt me çdo qytetar, e njëkohësisht më të besueshëm në përmbushjen e detyrave tona”, theksoi Braho.

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kërkoi një bashkëpunim sa më të përshpjetuar mes të gjitha DRSSH-ve për t’iu përgjigjur çdo verifikimi që kërkohen nga qytetarët, lidhur me historinë e tyre kontributive, e njëkohësisht përgjegjësinë për të përmbyllur sa më sukseshëm procesin e informatizimit të plotë të aktivitetit të ISSH-së. “Ne jemi të bindur se mirëmenaxhimi i skemës është një detyrim ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar, duke bërë të mundur që çdo person të marrë atë që i takon dhe që askush të mos jetë pjesë e përfitimeve të padrejta. Informatizimi i plotë i gjithë sistemit të sigurimeve shoqërore rrit saktësinë e përfitimeve dhe shmang faktorët subjektivë me ndikim në dëmtimin e fondeve”, tha Braho.

  •  test
  •  

Në datat 28 – 30 janar 2014, u zhvillua në Luksemburg raundi i tretë i negociatave midis Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, për arritjen e një marrëveshjeje në fushën e Mbrojtjes Shoqërore.

Në përfundim të negociatave u konkludua me një marrëveshje për bashkimin e periudhave të sigurimit për përfitimin e pensioneve për qytetarët e të dy vendeve. Arritja e kësaj marrëveshjeje është në interes të qytetarëve shqiptarë që kanë periudha sigurimi si në Shqipëri ashtu edhe në Luksemburg, pasi të gjitha kontributet e paguara në të dy vendet do të merren në konsideratë për llogaritjen e pensionit. Kjo siguron se asnjë ditë kontributive e paguar nuk do të përjashtohet nga përfshirja në llogaritje.

Marrëveshja e re do të hyjë në fuqi pasi të firmoset nga ministrat respektivë të dy vendeve dhe të votohet në Parlament.

  •  test
  •  

Nën drejtimin e Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, zotit Erion Veliaj, zhvilloi mbledhjen e parë grupi Ndërministror i Punës për reformën e pensioneve. Gjatë fjalës së tij, zoti Veliaj vuri theksin në domosdoshmërinë e reformës së sistemit të pensioneve, si dhe ftoi të gjithë aktorët e interesuar për të dhënë kontributin e tyre. “Reforma e sistemit të pensioneve do t’i nështrohet një diskutimi të gjerë e gjithëpërfshirës dhe për këtë process do të ngrihet edhe këshilli. Janë të ftuar të kontribuojnë nga gjithë spektri politik. Jam krenar që jam pasues i Dashamir Shehit, i cili ka themeluar bazat për skemën e pensioneve. Do të doja të kishte diskutime dhe me grupet e ndryshme parlamentare, ekspertët që partitë politike mund të ofrojnë, veç atyre të Qeverisë”, deklaroi zoti Veliaj. Ministri bëri të ditur se është planifikuar një konferencë kombëtare bashkë me Bankën Botërore, punëmarrësit etj. Konferenca do të mbahet në Mars dhe do të hartohet edhe dokumenti për politikat për zhvillimin e skemës së pensioneve. Ndërsa foli për thelbin e reformës dhe përmbajtjen e saj, zoti Erion Veliaj, siguroi të gjithë pensionistët apo ata që janë afër moshës së daljes në pension, që të mos frikësoheshin. Kjo reformë është vërtet e domosdoshme, por nuk do të prekë ata që tashmë janë në pension apo afër tij. “Çdo pensionist i tanishëm duhet të mos trembet se asnjë e drejtë e tyre deri tani nuk do të preket. Nuk iu drejtohet reforma pensionistëve të sotëm, por të punësuarve të sotëm. Kjo nuk cënon të drejtat e qytetarëve që janë afër moshës së daljes në pension. Ky është investim afatgjatë”, deklaroi ministri.

Mministri Veliaj foli dhe për bashkëpunimin me Institutin e Sigurimeve Shoqërore për pastrim të skemës së pensioneve nga çdo abuzivitet. “Nuk do të ketë reformë nëse nuk ka pastrim nga abuzimet. Ashtu siç bëmë pastrim për ndihmën ekonomike edhe procesi i reformës së pensioneve do të shkojë në këta binarë. Do të ketë edhe modernizim të skemës”, vërejti Veliaj. Sipas tij, nga reforma dhe skema e re, duhet të garantohet që çdo i moshuar të ketë një pension dinjitoz. Gjithashtu sipas tij, duhet të forcohet lidhja mes kontributeve dhe pensioneve për të qenë të drejtë e të ndershëm. “Është e arsyeshme të heqim pensionin tavan e t’i jepet e drejta çdokujt të kontribuojë më shumë nëse do. Reforma konsiston edhe në zhvillimin e skemave alternative të kontributit shoqëror. Është normale që njerëzit të jenë përfitues të disa skemave. Do të ketë benefite të mjaftueshme për të moshuarit. Deficiti mund të reduktohet, duke e bërë skemën të vetëmjaftueshme dhe të përballueshme”, deklaroi zoti Veliaj.

Dhe për Drejtoreshën e Përgjithshme të Sigurimeve Shoqërore, zonjën Vjollca Braho, reforma e sistemit të pensioneve është e domosdoshme. “Zhvillimet demografike e sociale kanë bërë të nevojshme ndërmarrjen e një reforme”, u shpreh zonja Braho. Ajo vërejti se është e domosdoshme të bëhet i mundur dixhitalizimi i sistemit aktual. “Ky dixhitalizim, sqaron Braho, bëhet me mbështetjen teknike nga ana e Bankës Botërore”. Reforma konsiston në dixhitalizmin e sistemit, për grumbullimin e gjithë materialit dokumentar për vjetërsinë në punë në Shqipëri. “Me financimin e Bankës Botërore dhe Qeverisë, u bë i mundur ndërtimi i Arkivës Qendrore të Sigurimeve Shoqërore, në Lundër. Ka filluar të mblidhet gjithë dokumentacioni për vjetërsinë në punë. Është bërë e mundur zhvillimi i sistemit on-line të pagesave të pensioneve”, theksoi zonja Braho. Sipas saj, një pjesë e madhe e pagesave të pensioneve bëhet përmes Postës Shqiptare sha dhe projekti do të fillojë të zbatohet edhe për fshatin. Ajo bëri të ditur se është përgatitur regjistri elektronik i pensioneve. Braho tha se është duke u bërë edhe zhvillimi dhe implementimi i llogarisë on-line të pensioneve dhe dizhitalizimi i vjetërsisë në punë. “Ka përfundur ky proces për kooperativat dhe është duke u bërë për ndërmarrjet shtetërore”, sqaroi kreu i ISSH-së. Sipas Brahos, sistemi i sigurimeve shoqërore nuk është i balancuar por deficitar, dhe kap 1.7% të GDP-së dhe shkak kryesor për këtë është numri i vogël i kontribuesve dhe lëvizjet demografike, emigracioni. “Pjesa më e madhe e shqiptarëve të aftë për punë kanë shkuar jashtë shtetit. Ka evazion, pasi kemi mosdeklarime të punësimit apo pagave reale, që ndikojnë në skemën e sigurimeve shoqërore, duke e bërë defiçitare”, vazhdoi zonja Braho. Ajo vëren se, ka një lidhje të dobët mes pensionit minimal e maksimal dhe pensioni minimal dhe ai mesatar janë thuajse të njëjtë, si rezultat i kompensimeve. Sektori agrar duket se është ai që e agravon më tepër skemën e pensioneve sipas konkluzioneve, pasi këtu është numri më i madh të pasiguruarve.

Ashtu si dhe ministri, zoti Veliaj edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Sigurimeve e Sigurimeve Shoqërore, zonja Vjollca Braho, vërejti se pjesa e subvencionimit për të vetëpunësuarit në bujqësi dhe ata që jetojnë në fshat e kanë çuar këtë subvencionim drejt një skeme asistenciale. Ajo përmendi se një pikë ku duhet parë është ajo e moshës së daljes në pension. Sipas saj, “faktor i rëndësishëm është diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pesë vjet më pare, edhe pse jetëgjatësia e tyre është më e madhe se e burrave, gjë që në fakt rrit defiçitin”. Defiçitare për të është edhe skema suplementare, ku 80 përqind e saj subvencionet nga shteti. Por defiçitar është edhe niveli i lartë i debitorëve, sipas zonjës Braho janë rreth 46 mijë subjekte që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore. Ndërkohë edhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare deklaroi se e mbështet këtë nismë për reformim të sistemit të kontributeve përmes afrimit me legjislacionin e brendshëm dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

  •  test
  •  

Mbrojta shoqërore dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit ka qenë në qendër të takimit tripalësh, mes drejtuesve të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë, Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë dhe Departamentit për Administratë Pensionale të Kosovës. Ky takim, i pari i këtij lloji, u zhvillua në datën 12 shkurt 2014 në Shkup dhe në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja dhe njohja e periudhave kontributive mes shtetasve që punojnë në të tri vendet, pavarësisht se ku jetojnë.

Drejtori i Fondit të SPIM-së, z. Bekim Neziri, i cili, mbajti dhe fjalën e hapjes, falënderoi për pjesëmarrjen, dhe shprehu besimin se ky takim do të kontribuojë në tejkalimin e disa çështjeve nga fusha e sigurimit shoqëror, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm me këto shtete. Z. Neziri theksoi faktin se është i nevojshëm nënshkrimi i marrëveshjes me Shqipërinë, për të vijuar më pas me diskutimet në nivel teknik, në mënyrë që kjo marrëveshje, pasi të miratohet nga ministritë përkatëse dhe parlamentet e dy vendeve, të hyjë në fuqi sa më shpejt. “Ne duhet ta bëjmë sa më shpejt të mundur këtë marrëveshje, pasi është e pakuptimtë që Republika e Maqedonisë të ketë marrëveshje për sigurim shoqëror me shumë vende, por jo me fqinjët e saj”, deklaroi z. Neziri.

Nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, vuri theksin në thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, si një mjet për kujdesin ndaj qytetarëve të të tri vendeve. “Tashmë negociatat mes Shqipërisë dhe Maqedonisë po shkojnë drejt përfundimit, pasi kanë përfunduar tre raunde bisedimesh mes palëve, kështu që është e domosdoshme të vazhdojmë me tej deri në nënshkrimin e saj. Shqipëria është përfshirë në një sërë negociatash të tilla me shumë vende të Europës dhe presim që disa prej tyre të realizohen në një kohë sa më të shkurtër. Ndërkohë, që është e nevojshme të mbyllet sa më shpejt marrëveshja mes dy vendeve tona”, deklaroi Braho. Duke vijuar fjalën e saj Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, vuri theksin edhe në nevojën e nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Departamentin për Administratë Pensionale të Kosovës. Ajo theksoi numrin e lartë të shtetasve të Republikës së Kosovës, që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri, si dhe të atyre të Shqipërisë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend. “Këto marrëveshje, do t’iu japin mundësi të gjithë qytetarëve që të mos humbasin asnjë ditë kontribute nga llogaria e tyre, duke u dhënë mundësinë e një përfitimi të drejtë e në kohën e duhur”, përfundoi kreu i ISSH-së. Gjithashtu, Braho, vuri theksin edhe në shkëmbimin e eksperiencave mes dy vendeve, lidhur me skemën e pensioneve, duke qenë se Shqipëria është duke u përgatitur për reformën e sistemit të pensioneve, pasi sistemi i sigurimit pensional dhe invalidor në Republikën e Maqedonisë i përket sistemit trekolonësh.

Sa i përket Marrëveshjes për sigurim shoqëror ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë deri tani janë mbajtur tri raunde të marrëveshjes, prej të cilave i fundit është mbajtur në mars të vitit 2013 në Shkup.

Ndërsa me Republikën e Kosovës, duke filluar nga data 17 nëntor 2013 ka hyrë në fuqi marrëveshja për përcaktimin e ndërsjelltë të periudhave të sigurimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.

  •  test
  •  

Delegacioni i ISSH-së, i kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme, zonja Vjollca Braho, ishte ftuar nga Drejtori i Fondit Pensional dhe Invalidor të Maqedonisë, zoti Bekim Neziri, për të diskutuar mbi marrëveshjen për njohjen e periudhave kontributive të qytetarëve të të dy vendeve. Pjesë e këtyre takimeve ishte dhe një delegacion nga Republika e Kosovës, i cili kryesohej nga zoti Sami Saliu, Drejtor i Departamentit për Administratë Pensionale të Kosovës.

Gjatë këtyre takimeve u prezantuan skemat e sigurimeve shoqërore të të tri vendeve, në mënyrë që të bëhet e mundur njohja e plotë e legjislacionit dhe përmirësimi i kuadrit bashkëpunues në fushën e kontributeve dhe përfitimeve mes tri vendeve.

Në datën 12 shkurt 2014, delegacionet u pritën nga Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, zoti Musa Xhaferri, ndërsa në datën 13 shkurt u pritën nga Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, zoti Dime Spasov. Në të dy këto takime u vu theksi mbi thellimin e bashkëpunimit mes tri vendeve në fushën e mbrojtjes sociale, si dhe përshpejtimit të hapave për të bërë të mundur nënshkrimin sa më të shpejtë të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

  •  test
  •  

I nderuar Zoti Ministër

Të nderuar kolegë

Më lejoni të bashkëndaj me Ju sot rezultatet e punës së ISSH-së për vitin 2013. Puna e bërë gjatë vitit 2013 ka qenë shumë e madhe dhe padyshim është fokusuar në shërbimin cilësor ndaj publikut, informatizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore, realizimin e të ardhurave të planifikuara, si dhe pastriminn e skemës nga përfitimet e pamerituara.    

Gjatë vitit që lamë pas, një nga arritjet më të mëdha të institucionit tonë është përfundimi i Arkivës qëndrore të sistemit dhe vënia në funksion të plotë të saj. Ashtu siç edhe ju vetë e konstatuat, kjo arkivë është moderne, e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për të garantuar një ruajtje cilësore të dokumentacionit dhe një përdorim sa më efikas të tij. Vlera e kësaj arkive si ndërtesë dhe pajisje është rreth 5.5 milionë USD dhe është një financim i Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Botërore, në kuadër të kredisë dhënë për modernizimin e sigurimeve shoqërore. Ajo është e pajisur me një infrastrukturë informatike të fjalës së fundit si në pajisje ashtu edhe në programe, një sistem të ruajtjes konstant të temperaturës dhe lagështirës së kërkuar sipas standarteve botërore për arkivimin e dokumentacionit në letër, me një sistem antizjarr me gaz shumë efikas dhe që në rast përdorimi nuk dëmton dokumentacionin, si dhe pajisje të reja zyre. Kjo arkivë nuk është unike dhe moderne vetëm për ambientet dhe pajisjet, por edhe për punën e madhe që është bërë gjatë vitit 2013 dhe që po vazhdon më tej. Arkiva nuk do të funksionojë vetëm si arkivë në letër, por edhe si arkivë dixhitale e të gjithë periudhave të punës dhe periudhave kontributive të të gjithë shqiptarëve. Ka nisur procesi i dixhitalizimit të të gjithë dokumentacionit duke krijuar kështu arkivën dixhitale dhe llogaritë personale të çdo pjesëmarrësi në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ky proces bazohet në skanimin e dokumentave, hedhjen e të dhënave në programim e krijuar, krijimin e llogarive individuale të kontributeve dhe shfrytëzimin e tyre për lidhjen e të gjithë përfitimeve që ISSH ofron. Me kënaqësi ndaj me ju faktin që përveç regjistrave të ditëve të punës të ish-KB, është dixhitalizuar edhe pjesa më e madhe e regjistrave të ish-ndërrmarrjeve shtetërore, deri në vitin 1994, dhe jemi në fazën e përgatitjes së dokumentacionit të kontributeve pas vitit 1994. Kjo gjë do të bëjë të mundur rritjen e transparencës ndaj çdo kontribuesi, shërbim të shpejtë dhe cilësor ndaj çdo qytetari, llogaritjen automatike të përfitimeve, mirëadministrimin e fondeve, si dhe do të jetë një mjet shumë efikas për studime të ndryshme që do të përdoren për reformat e mundshme në skemën e pensionit.

Por puna e ISSH-së gjatë vitit që analizojmë nuk është fokusuar vetëm në funksionimin e Arkivës, por edhe në informatizimin e të gjithë aktivitetit të sigurimeve shoqërore. Janë përfunduar dhe kanë filluar të implementohen edhe një sërë programesh të tjera informatike si hedhja e të dhënave të dosjeve të pensioneve ekzistues, pagesat online të pensioneve, një sistem financiar i informatizuar, programi i menaxhimit të kontributeve, si dhe implementimi i programit të llogaritjes automatike të përfitimeve. Gjithë të dhënat e arkivës dixhitale që përmenda më sipër do të përdoren për llogaritjen e përfitimeve në kohë rekord, duke përdorur softin e përgatitur për këtë qëllim. Një arritje për t’u veçuar është krijimi i Regjistrit Kombëtar elektronik të pensioneve dhe pagimi online i pensioneve. Dhe kam kënaqësinë të ndaj me ju, që sot gati të gjithë pensionet që paguhen në qendrat urbane, paguhen on line nëpërmjet këtij portali dhe regjistri të krijuar. Kjo mënyrë pagese ka bërë të mundur rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pensionistëve, ka rritur transparencën për masën e pensionit dhe kompensimeve që jepen nga qeveria, ka rritur kontrollin e pagesave dhe shmangien e abuzimeve në këtë fushë, kontroll më të mirë të cash floë dhe mirëadministrim të fondeve nën administrimin e ISSH-së.

Të gjitha sa shpreha më sipër janë në kuadër të strategjisë së informatizimit dhe automatizimit të veprimtarisë së ISSH të hartuar. Për realizimin e kësaj strategjie, këto sisteme janë interaktivë dhe të lidhur me sisteme të tjera  të administratës publike, nëpërmjet rrjetit govnet si Gjendja Civile, Posta Shqiptare, Autoriteti tatimor etj. Të gjitha të dhënat që lidhen me gjeneralitetin e një personi merren online nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, duke garantuar cilësinë dhe saktësinë e të dhënave dhe kontrollin në kohë reale të tyre. Kjo lidhje dhe ky shkëmbim të dhënash ka bërë të mundur shmangien e pensioneve me datëlindje të ndryshuar, duke sjellë pastrimin e skemës nga pensionet e pamerituara ose të pagesave të dubluara. Kështu, vetëm nga hedhja e të dhënave të dosjeve të pensionit dhe kontrollit me RKGJC janë konstatuar rreth 1100 dosje me datëlindje të fallsifikuara si dhe rreth 120 raste me dublim pensionesh në rajone të ndryshme.

Për vitin 2013 janë realizuar të ardhurat në përgjegjësi të ISSH-së në masën 114.4% ose rreth 400 milionë më tepër se planifikimi. Të tre komponentët e të ardhurave si kontributet nga të vetëpunësuarit në bujqësi, kontributet vullnetare dhe të ardhurat e tjera janë tejkaluar. Në total të ardhurat për kontributet u realizuan në masën 51.452 milionë lekë ose 100.6% me një tejkalim prej 291 milionë lekë më shumë. Të ardhurat nën përgjegjësinë e tatimeve u realizuan në masën 99.6% dhe me nje dificit prej 206 milionë lekë;

Problematike vazhdon të mbetet mosdërgimi i listëpagesave nga autoritetet tatimore në kohë, problem që është përkeqësuar gjatë vitit 2013 me mosdërgimin e listëpagesave të deklaruara online. Kjo sjell vonesa në dhënien e përfitimeve dhe sorrollatje të qytetarëve.

Gjatë vitit 2013 janë transferuar në drejtim të buxheteve familjare 95.6 miliardë lekë si pagesa të pensioneve dhe përfitimeve të tjera që ISSH jep. Në total ISSH ka paguar përfitime për mbi 570.423 pensione pleqërie, invaliditeti, familjar, mbi 12 mijë përfitime për barrëlindje,  1145 përfitime afatshkurtra për sëmundje, 35 raste përfitimesh për  aksidente në punë, mbi 31 mije pensione të parakohshme dhe suplementare, si dhe rreth 7269 invalidë lufte dhe veteranë.

Për vitin 2013 janë caktuar 36.049 pensione të reja.  Krahasuar me vitin 2012 ky numër është 21.8% më i lartë ose 6.464 pensione më shumë. Gjithashtu, janë rishqyrtuar  të gjithë dosjet e pensioneve të invaliditetit dhe familjar që arrijnë në rreth 120 mije dosje, janë rillogaritur pensionet e parakohshme të ish-ushtarakëve, në zbatim të ligjit nr. 10142 dhe rishqyrtimi i të gjithë dosjeve që arrijnë në mbi 11 mijë, si dhe rishqyrtime të dosjeve të pleqërisë, si rezultat i paraqitjes së dokumentave shtesë dhe kërkesave nga vetë pensionistët për masën e pensionit, shpesh herë të përsëritura këto kërkesa.

Shifrat e mësipërme tregojnë për një punë voluminoze të realizuar nga të gjithë punonjësit e ISSH-së në qendër dhe rajone.

Afatet e caktimit të pensioneve në shkallë vëndi janë më ulët se parashikimi ligjor prej 45 ditësh dhe më konkretisht është 39 ditë. Megjithatë, në këtë drejtim duhet bërë një punë më e madhe për caktimin e pensioneve në një kohë më të shkurtër. Përfundimi i dixhitalizimit të arkivës do të bëjë të mundur reduktimin në disa ditë të caktimit të pensioneve.

Problematike mbetet rritja e numrit të invaliditetit. Megjithëse ka faktorë objektivë si rritja e sëmundshmërisë, rritja e diagnostifikimit të popullatës, rritja e moshës së pensionit, në gjykimin tonë, numri i invaliditetit ka ritme të shpejta të rritjes. Kështu, në vitin 2013 numri i pensioneve të reja të invaliditetit ishte 7.076. Ndërsa rritja neto e numrit të invaliditetit në krahasim me 2012 është 4372 pensione (diferenca pensione të reja minus pensione të mbyllura). Një problem tjetër është që raporti pensione të plotë/pensione të pjesshme invaliditeti po rritet, çka tregon që subjektivizmi në caktimin e aftësisë për punë është i lartë. Nga ana jonë, janë ushtruar kontrolle të herëpashershme dhe janë marrë masa, por përsëri mbetet prioritet i punës tonë dhe ndoshta edhe ndryshime ligjore për të kufizuar trendin rritës. Nga kontrollet e ushtruara janë pezulluar  480 dosje invaliditeti.

Megjithë përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve, përsëri vërehet një performancë jo në nivelin e kërkuar. Përmirësimi i shërbimit ndaj klientit dhe rritja e performancës do të jenë prioritet i punës së ISSH-së për vitin 2014.
Një punë shumë e mirë është bërë në drejtim të kontrollit të pagesave të kryera nga agjenti pagues Posta Shqiptare. Kontrolli i pagesave i ndërthurur dhe me informatizimin e sistemit të pagesave ka bërë të mundur evidentimin e 2 713 raste te pagesave të jashtëligjshme me një dëm prej 33 016 mije lekë, nga të cilët është arkëtuar 32 440 mijë lekë, ose 97 % e dëmit te zbuluar. Profilet e shkeljeve në pagesa janë: pagesa mbas vdekjes, pagesa të dyfishta, pagesa jashtë afatit etj. Lidhja e sistemeve online me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile ka bërë të mundur kontrollin e pagesave pas vdekjes, duke ulur ndjeshëm evazionin në pagesa. Gjatë vitit 2013 është intensifikuar puna për pagesat e pensioneve nëpërmjet bankave dhe po punohet për nënshkrimin e marrëveshjeve edhe me bankat që nuk kanë nënshkruar marrveshje.

Megjithë punën e mirë të evidentuar më sipër, përsëri nga kontrollet e ushtruara në mënyrë periodike kanë rezultuar shkelje dhe procedura jo uniforme në rajone të ndryshme. Kështu, ka rezultuar që 710 dosje janë pezulluar dhe rishqyrtuar me një dëm financiar prej 76.4 milionë lekë dhe 112 dosje me llogaritje gabim me një shumë kreditore prej 5 milionë lekë.

Profilet kryesore nga gjetjet e auditimeve dhe kontrollit të dosjeve konsistojnë në njohje të periudhave të vjetërsisë së punës të pakonfirmuara, në llogaritjet e pensioneve të parakohshme të ushtarakëve, barrëlindjet e të vetëpunësuarve në bujqësi etj.

Gjatë vitit 2013 janë ndjekur një numër i lartë gjyqesh që përgjithësisht kanë të bëjnë me njohje vjetërsie në punë si rezultat I djegjes së dokumentacionit në vitin 1997, saktësimi i indentitetit, parregullsi në evidentimin e vjetërsisë në punë, ankimet e ish ushtarakëve etj. Një problematikë e mprehtë mbeten vendimet e gjykatave që shpesh janë në disfavor të ISSH-së në gjykimin tonë pa baza, vonesa të shqyrtimeve nga gjykatat dhe sidomos nga Gjykata e Lartë.

Problematike mbetet gjithashtu, edhe marrëdhënia me përmbarimin privat që vendos sekuestro të llogarive pa kërkuar qytetari ekzekutim vullnetar të vendimeve të formës së prerë ose edhe në rastet kur çështja është akoma në ankimim gjyqësor.

  •  test
  •  

Prezantohet dokumenti i politikave për reformën e pensioneve.

Gjatë ditës së sotme, në ambientet e  Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë u zhvillua mbledhja e dytë e Grupit ndërministror të punës për reformën e pensioneve, ku u prezantua dokumenti i politikave, si dhe dy opsionet për reformën. Gjatë këtij takimi ekspertët e grupit, që kanë hartuar këtë document, dhanë spjegime teknike lidhur me të gjitha parashikimet që kanë të bëjnë me reformën në pensione.

Gjatë këtij takimi, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, vuri në dukje problemet thelbësore të skemës aktuale të pensioneve, që janë defiçiti i lartë, që e bën skemën financiarisht të papërballueshme, si dhe numri shumë i ulët i kontribuesve. Gjithashtu ai vuri në dukje faktin se është emergjent realizimi i reformës, pasi këto dy probleme mund të shkaktojnë krizë brenda një kohe të shkurtër. “Skema e re, të cilën jemi duke e punuar, është moderne dhe jo vetëm që do të ofrojë një zgjidhje afatgjatë për dy problemet e sipërpërmendura, por do të garantojë edhe pensione të larta në përputhje me nivelet e kontributit të gjithsecilit në këtë skemë”, theksoi ministri Veliaj.

Ndërkohë ekspertët dhe anëtarët e grupit ndërministror të punës do të vijojnë diskutimet deri në nxjerrjen e produktit përfundimtar, që më pas do të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.

  •  admin
  •  

Qeveria prezantoi sot publikisht “Dokumentin e Politikave të Pensioneve”, në ambjentet e Arkivit Qëndror të Sigurimeve Shoqërore, në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, Drejtoreshës së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, zj. Vjollca Braho, dhe dy përfaqësueseve të Bankës Botërore, zj.Tahseen Sayed Khan dhe zj. Anita Schwarz. Në këtë dokument, i cili u hartua në zbatim të urdhërit të Kryeministrit, nr. 7, datë 17.01.2014, “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për bashkërendimin dhe mbikqyrjen e procesit të përgatitjes së reformës në fushën e pensioneve”, me specialistë të Minstrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, si dhe specialistë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, janë përshkruar me detaje karakteristikat kryesore të sistemit aktual të pensioneve, ecuria e të gjithë parametrave dhe treguesve të tij, si dhe problemet me të cilat ky sistem përballet sot. Ekipi i specialistëve të MMSR-së dhe ISSH-së, të ndihmuar dhe nga ekspertë të Bankës Botërore, ka paraqitur në këtë material të gjitha parashikimet afatgjata të treguesve kryesorë të skemës së sotme të pensioneve, si dhe dy opsionet se si mund të reformohet skema e pensioneve në të ardhmen dhe cilat janë projeksionet afatgjata të treguesve kryesorë të tyre.

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të tij, e quajti emergjente bërjen e reformës së pensioneve, e cila është kthyer në një plagë të thellë për vendin. Ai theksoi se në thelb të kësaj reforme është pensioni dinjitoz, që do të varet nga kontributet e gjithësejcilit, si dhe heqja e tavanit të pensionit, i cili do të motivojë çdo individ të deklarojë pagën reale për efekt të pensionit që do të marrë nesër. Gjithashtu, ai vlerësoi punën e jashtëzakonëshme të të gjithë specialistëve të ISSH-së dhe MMSR-së, që morën pjesë në hartimin e këtij dokumenti. Një falenderim i veçantë nga ana e Kryeministrit iu rezervua Drejtoreshës së Përgjithshme të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, znj. Vjollca Braho, për kontributin e dhënë për përgatitjen e këtij procesi të rëndësishëm reformues.

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, në diskutimin e tij për prezantimin e “Dokumentit të Politikave të Pensioneve” theksoi se kjo reformë pasqyron fytyrën njerëzore të Qeverisë, e cila po ndërhyn tani për të mos lënë pa pension asnjë të moshuar nesër. Ai shpjegoi hollësisht dy opsionet e hartuara nga ekipi i ekspertëve, duke vënë në dukje të gjitha risitë që këto propozime sjellin në skemën e re të pensioneve. Ministri Veliaj theksoi se skema aktuale e pensioneve jep pensione shumë të ulëta për qytetarët shqiptarë dhe nëse nuk reformohet, në të ardhmen pensionet do jenë akoma më të ulëta, për këtë arsye reforma që ne kemi hartuar ka si synim themelor që qytetarët shqiptarë të kenë pensione më të larta në të ardhmen, sigurisht në përputhje me kontributet që ato kanë derdhur.

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, znj. Vjollca Braho, gjatë fjalës së saj vuri theksin në domosdoshmërinë e reformimit të skemës së pensioneve dhe kthimin e saj në normalitet. Kjo për faktin se sistemi i pensioneve në Shqipëri i ka përmbushur funksionet e tij themelore gjatë tranzicionit dhe tani vuan nga disa probleme të mprehta që e bëjnë reformimin e tij të domosdoshëm.Skema aktuale e pensioneve jep përfitime të ulta për disa kategori dhe, ç’është më e rëndësishmja, përfitimet e saj do të vazhdojnë të ulen edhe më shumë në rast se skema nuk reformohet. Gjithashtu ajo karakterizohet nga elementë të theksuar të padrejtësisë, sepse disa grupe kontribuesish përfitojnë pensione shumë të larta dhe kontribuojnë shumë më pak se të tjerët. Për këtë arësye shihet si e natyrshme që sistemet e pensioneve të kenë një farë rishpërndarjeje tek më të varfërit apo kategoritë e tjera. Po kështu përkeqësimi i ndjeshëm i raportit mes kontribuesve dhe përfituesve lë të kuptohet se në të ardhmen shumë të moshuar nuk do të mund të marrin fare pension pleqërie dhe sistemi aktual i pensioneve nuk do të jetë në gjendje të barazpeshojë mjaftueshmërinë e përfitimeve me përballueshmërinë e shpenzimeve, prandaj është tepër e nevojshme të ndërhyhet menjëherë për reformimin e sistemit.

Në fund të prezantimit të “Dokumentit të Politikave të Pensioneve”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në ambjentet e Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore, duke shprehur në të njëjtën kohë vlerësimin e tij për këtë investim dinjitoz.