•  test
  •  

Welcome to WordPress. This is your first post. Edit or delete it, then start blogging!

  •  test
  •  

Përshëndetje,

Jam e interesuar të di nëse gruaja mund t’i dhurojë (kalojë) burrit vite sigurimi nga vitet e siguruara të saj.

Në pritje të një përgjigje nga ana juaj.

Përgjigje:

Në lidhje me pyetjen tuaj, sqarojmë se:

Mbështetur në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, të ndryshuar, çdo person punon dhe sigurohet për veten e tij dhe nuk mund të dhurojë periudha sigurimi as për bashkëshortin dhe as për bashkëshorten.

Ju faleminderit

  •  test
  •  

Intervistë e znj. Vjollca Braho, Drejtore e Përgjithshme e ISSH-së, dhënë në gazetën “Panorama”, datë 4.10.2013, faqe 6.

Znj Braho, gjatë ditëve të fundit është shfaqur sërish çështja e mashtrimeve me pensionet. A mund të na thoni se, në cilën fazë është pastrimi i skemës nga pensionet e padrejta?
ISSH ka nisur prej vitesh një proces të pastrimit të skemës nga përfitimet e pamerituara. Si rezultat i këtyre kontrolleve ka rezultuar një numër relativisht i lartë i personave që kanë përfituar pensione të pamerituara. Janë konstatuar raste me datëlindje të fallsifikuara, dublime pensionesh, pensione fiktive, si dhe raste të fallsifikimit të vjetërsisë në punë. Ky proces është në vazhdimësi dhe si rezultat i informatizimit të veprimtarisë së sigurimeve shoqërore vazhdimisht po konstatohen pensione me datëlindje të fallsifikuar.
-Mund të na thoni më konkretisht sa është numri i dosjeve të kontrolluara dhe të konstatuara me problem dhe dëmi i shkaktuar?
Nga auditi i ISSH-së janë kontrolluar manualisht të gjithë dosjet e pensioneve urbanë për shumicën e rajoneve dhe nga ky kontroll ka rezultuar që rreth 5600 dosje kanë patur probleme. Më konkretisht rreth 1750 dosje kanë rezultuar me datëlindje të ndryshme nga ajo e gjendjes civile duke përfituar pension para kohe nga disa muaj në disa vite. Pjesa tjetër kanë rezultuar me probleme të vjetërsisë në punë si shtim fiktiv i vjetërsisë, fallsifikime të regjistrave, ndryshim të punës nga kategori e tretë në kategori të parë, ndryshim të punës nga punë në Kooperativa Bujqësore në ndërrmarrje shtetërore etj. Të gjitha këto ndryshime kanë sjellë përfitimin e pensionit më shumë dhe më parë se normalisht. Për të gjitha këto dosje me problem, është zbatuar një procedurë e përcaktuar nga ana ISSH-së e cila konsiston në pezullimin e pensionit, kontaktimi i qytetarit me sigurimet shoqërore rajonale, pranimi i dokumentave që kërkohen për të vërtetuar saktësinë e dosjes, rillogaritjen e pensionit në kushtet e reja, llogaritja e dëmit të shkaktuar, ndalesa e dëmit në masën 50 për qind të pensionit mujor si dhe kallëzimet penale për rastet kur ka rezultuar falsifikim. Gjithashtu, në kuadër të informatizimit të sistemit, deri tani janë dixhitalizuar rreth 90 për qind e dosjeve të vjetra të pensionit dhe ky proces hedhjeje të dhënash është i lidhur on line me regjistrin kombëtar të shtetasve, çka do të thotë që gjeneralitetet dhe data e lindjes ngarkohen automatikisht në sistem. Nga ballafaqimi i datëlindjes në regjistrin e shtetasve me datëlindjet e certifikatave të lindjes të paraqitura nga qytetarët ka rezultuar se 856 pensionistë kanë përfituar pension me datëlindje të falsifikuar. Ky proces hedhje të dhënash ka evidentuar edhe rastet kur një person përfitonte dy pensione në rajone të ndryshme. Deri më tani kanë rezultuar 96 raste me pensione të dubluara. Për të gjithë këto raste ëshë zbatuar procedura e mësipërme dhe janë kallzuar nga ana jonë për ndjekje penale pranë organeve përkatëse.
-Sa është dëmi i shkaktuar për këto raste mashtrimi?
Duke qënë se numri I pensioneve që administrohen dhe paguhen është I lartë, faktit që shumica e llogaritjeve janë bërë në mënyrë manuale, kontrolli i periodik nga auditi, informatizimi I proceseve të punës, vazhdimisht dalin debitorë dhe raste të përfitimeve më tepër ose nëpërmjet mashtrimit. Shuma debitore në fund të vitit 2012 ka rezultuar në masën 2.9 miliardë lekë. Për të gjithë debitorët zbatohet ndalesa në masën 50 për qind e këstit mujor të pensionit kur qytetari ka mashtruar dhe 20 për qind në rastet kur gabimi në llogaritje është bërë nga sigurimet shoqërore. Dëmi i shkaktuar nga 96 rastet e pensioneve te dubluara është rreth 91 milionë lekë, ndërsa për 856 rastet e konstatuara me datëlindje të fallsifikuar nga hedhja e të dhënave, dëmi i shkaktuar është rreth 224 milionë lekë. Vjelja e dëmit të shkaktuar siç e shpreha më lart është në vazhdimësi dhe për vitin 2012 shuma e rekuperuar ëshë 377 milionë lekë.

-Ju thatë se ka qenë informatizimi si proces vendimtar që ka qartësuar pastrimin e skemës. Në cilën fazë është aktualisht informatizimi i skemës?
Informatizimi i skemës nuk përfshin vetëm dixhitalizimin e dosjeve të pensioneve por të gjithë aktivitetin e ISSH-së. Më konkretisht përfshin, informatizimin financiar, pagesën on line të pensioneve, llogaritjen automatike të përfitimeve, menaxhimin e kontributeve të paguara, dixhitalizimin e dokumentave të vjetërsisë në punë dhe periudhave të sigurimit për të gjithë kontribuesit. Janë hartuar programet për çdo proces të punës, është ngritur infrastruktura dhe jemi në fazën e implementimit të tyre. Rasti më i prekshëm i informatizimit deri tani është pagimi i pensioneve nga ana e postës shqiptare jo më nëpërmjet urdhër pagesave në letër por on line dhe nëpërmjet përdorimit të sistemit. Deri më tani paguhen rreth 200 mijë pensione dhe pjesa tjetër do të paguhet me këtë mënyrë, menjëherë sapo posta shqiptare të realizojë infrastrukturën e nevojshme për këtë qëllim. Qytetarët që paguhen sipas sistemit të ri, në momentin e pagesës pajisen me një mandate pagese të printuar ku evidentohen të gjitha përfitimet që merr si pension, kompensim të ardhurash, kompensime çmimesh të energjisë dhe bukës, peridha për të cilën paguhet, llojin e përfitimit etj. Ky system pagese on line rrit transparencën ndaj qytetarëve, kontrollon në kohë reale pagesat e bëra nga agjenti pagues dhe shmang abuzimet në saktësinë e pagesave.
-Nga ajo çfarë ju keni deklaruar në media, prej muajsh ka nisur të funksionojë një arkivë e përqëndruar për sigurimet shoqërore. Çfarë përfitojnë qytetarët nga ky përqëndrim. A ka nisur të ndjehet efekti ?
Ndërtimi dhe funksionimi i arkivës qëndrore të sistemit të sigurimeve shoqërore është në funksion të strategjisë së informatizimit dhe të modernizimit të sistemit. Kjo arkivë ka disa muaj që ka nisur funksionimin dhe është një arkivë moderne sipas standarteve më të mira arkivore ndërkombëtare. Është e pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme për sigurinë, kushtet e ruajtjes se dokumentacionit dhe të dixhitalizimit të tyre. Aktualisht, janë tërhequr dhe arkivuar të gjitha regjistrat e ditëve të punës në ish KB dhe rreth 60 për qind e regjistrave të vjetërsisë në punë të ish ndërrmarrjeve shtetërore, ndërkohë që po vazhdon puna për tërheqjen dhe grumbullimin e dokumentave të tjerë të vjetërsisë në punë. Paralel me këtë process, po vazhdon puna për dixhitalizimin e këtyre dokumentave dhe krijimit të arkivës dixhitale. Ky process ka përfunduar për regjistrat e ish KB dhe rreth 50 për qind të regjistrave te ish ndërrmarrjeve shtetërore. Përfitimi i qytetarëve në nivel të përgjithshëm nga funksionimi i kësaj arkive është i madh, sepse është rritur siguria e ruajtjes dhe shmangja e abuzivizmit me këto dokumenta ndërsa në nivel personal, si rezultat i dixhitalizimit dhënia e dokumentave të vjetërsisë në punë për qytetarët jepet në një kohë shumë të shkurtër dhe të saktë. Efekti përfundimtar do të ndjehet kur të përfundojë tërësisht procesi i dixhitalizimit të vjetërsisë në punë, i cili do të bëjë të mundur llogaritjen automatike të të gjithë përfitimeve si dhe kontrollin nga kompjuteri i çdo kontribuuesi të kontributeve të paguara.

  •  test
  •  

Intervistë e znj. Vjollca Braho, Drejtore e Përgjithshme e ISSH-së, dhënë në Gazetën “Panorama”, datë 2 Dhjetor 2013.

Të dhëna, nga viti i daljes në pension te llogaritja e përfitimit.
Uebsajti i ISSH-së, dy rubrika për informacione dhe denoncime.

Të gjithë qytetarët që kërkojnë informacion lidhur me sistemin dhe përfitimet nga sigurimet shoqërore mund ta arrijnë atë në mënyrë elektronike.

Kjo pa qenë nevoja për të përdorur shërbimin postar, ose për t’u paraqitur personalisht pranë zyrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Në vijim të procesit të informatizimit të ISSH-së, si dhe për t’u ofruar një shërbim sa më të mirë qytetarëve, prej fillimit të muajit tetor në faqen zyrtare të këtij institucioni, www.issh.gov.al, janë hapur dy rubrikat e reja, që janë: Pyesni Online dhe Denonco Online.

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, bëri të ditur për “Panorama” se “ky shërbim ofron një sërë lehtësirash për të gjithë qytetarët që jetojnë si jashtë, ashtu edhe brenda vendit. Kjo për faktin se koha e marrjes së përgjigjes për pyetjet apo ankesat që ata kanë është shumë herë më e shkurtër. Sipas drejtueses të ISSH-së, dy rubrikat e reja erdhën pas interesimit në rritje të qytetarëve lidhur me të shkuarën e tyre në aspektin e sigurimeve shoqërore, si dhe për qartësimin e masës së pensionit të përfituar.

PYETJET
Për periudhën dymujore në adresën elektronike janë postuar mbi 80 pyetje nga qytetarët për çështje të ndryshme, të cilat kanë marrë përgjigje nga specialistët e ISSH-së, brenda tri ditësh nga dërgimi i tyre. “Tematika e këtyre pyetjeve ka qenë e ndryshme, por janë të ndara pothuajse në numër të barabartë ndërmjet fushës së kontributeve dhe asaj të përfitimeve”, theksoi Braho. Sipas saj, çështjet që ngrenë qytetarët kanë të bëjnë me pyetje për verifikimin e derdhjes së kontributeve nëpër firma private, ajo mbi bashkimin e periudhave kontributive për efekt pensioni për qytetarë që jetojnë në Itali e Greqi, si dhe për sigurimin vullnetar, procedurat që duhet ndjekur për aplikim dhe përfitimet. Një pjesë e qytetarëve kërkojnë llogaritjen e masës së pensionit ose moshën e daljes në pension, si dhe informacion apo edhe kërkesa për rishikimin e përfitimeve suplementare.

“Për t’u dhënë zgjidhje sa më të shpejtë kërkesave dhe pyetjeve të qytetarëve, pavarësisht se nga cili qytet janë adresuar ato, specialistët e caktuar kërkojnë informacion të menjëhershëm nga drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa në rastin kur është e nevojshme të verifikohet dosja e pensionit të kërkuesit, ajo skanohet dhe dërgohet menjëherë në rrugë elektronike në ISSH, për t’u riverifikuar sipas kërkesës së dërguar me e-mail”, sqaron Braho. Në mënyrë që specialistët e ISSH-së ta kenë më të lehtë kontaktin me qytetarin që ka dërguar kërkesën online, të gjitha fushat shfaqen në ekranin e kompjuterit.

Pasi klikohet në rubrikën “Pyesni online”, janë të detyrueshme për t’u plotësuar të gjitha rubrikat, ku përfshihet edhe një numër kontakti telefonik. Kjo për faktin se gjatë shqyrtimit të kërkesave mund të lindë nevoja për informacion më të hollësishëm nga qytetari, çka do ta bëjë më të shpejtë kthimin e përgjigjes. Sipas Brahos, kjo mënyrë aplikimi nuk ka zhvlerësuar pjesën tjetër, pra atë të kërkesave apo të ankesave të sjella me rrugë postare, ku edhe për këtë lloj shërbimi fluksi i letrave nga ana e qytetarëve vijon të jetë mjaft i madh.

DENONCIMET
Për sa i përket rubrikës “denonco online”, mësohet se gjatë periudhës 03 tetor – 27 nëntor gjithsej ka pasur 7 denoncime. “Të gjitha këto ankesa kanë kaluar për ndjekje dhe pasi janë bërë verifikimet përkatëse, janë marrë edhe masat e nevojshme. Me këtë rast më lejoni që të ftoj të gjithë qytetarët që kanë paqartësi apo që kanë ankesa t’i drejtohen faqes sonë të internetit për të depozituar pyetjet dhe ankesat e tyre dhe i garantoj që përgjigja nga ana jonë do të jetë shumë e shpejtë”, shprehet Braho për “Panorama”.

Ndërkaq, për sa u përket denoncimeve të bëra, janë konstatuar ankesa për vonesa në lidhjen e pensionit, si dhe ankesa për punonjës të sistemit të sigurimeve shoqërore.
 

  •  test
  •  

Takimi i Grupit të Punës
Flet Vjollca Braho, Drejtorja e Përgjithshme e ISSH-së për problematikat e sistemit aktual “Pay As You Go” dhe domosdoshmërinë e reformës së pensioneve

(Gazeta “Telegraf”, 08 shkurt 2014, faqe 10 – 11)

Një nga problemet e sistemit aktual të pensioneve, që radhit drejtorja e përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, është dalja në pension e grave 5 vjet më shpejt se burrat. “Diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pleqërie 5 vjet më shpejt se burrat, megjithëse jetëgjatësia e tyre është më e lartë se e burrave, çon në rritjen e shpenzimeve të skemës dhe ndikon në deficitin e saj”, shprehet znj. Braho në takimin e Grupit të Punës për reformën e sistemit të pensioneve. Si shkak i shumë problematikave që radhiti në fjalën e saj, Braho propozon domosdoshmërinë e reformës së pensioneve. Më poshtë do të japim të plotë fjalën e Brahos për problematikat e shfaqura deri tani në sistemin aktual të pensionit.

MBI SISTEMIN E SIGURIMEVE SHOQËRORE

Mbledhja e kontributeve të detyrueshme të të punësuarve dhe të vetëpunësuarve urbanë është deleguar me ligj tek organet tatimore nga viti 2005, ndërsa sigurimi i detyrueshëm i të vetëpunësuarve në fshat dhe sigurimi vullnetar mblidhet nga ISSH. Pagesa e përfitimeve realizohet nga agjentët pagues që janë Posta Shqiptare, e përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, dhe Bankat e nivelit të dytë. Të gjithë kontributet e sigurimeve shoqërore pavarësisht se nga kush mblidhen dhe paguhen, administrohen në Fondin e Sigurimeve Shoqërore (FSSH) nëpërmjet llogarisë së përqendruar të Qeverisë (TSA).

Sistemi i Përgjithshëm i Sigurimeve Shoqërore përbëhet nga:
A.Sigurimi Shoqëror i Detyrueshëm, i cili funksionon sipas parimit Pay As You Go dhe është kontributiv. Sigurimi Shoqëror i Detyrueshëm mbron me të ardhura:

  • personat e punësuar në lidhje me: barrëlindjen, paaftësinë e përkohshme në punë për shkak të sëmundjes, sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë, pleqërinë, invaliditetin, humbjen e mbajtësit të familjes, papunësinë;
  • personat e tjerë ekonomikisht aktivë (punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit) në lidhje me: barrëlindjen, pleqërinë, invaliditetin, humbjen e mbajtësit të familjes.

Kjo skemë financohet nga

  • kontributet e punëdhënësve, punëmarrësve, të vetëpunësuarve nga shteti;
  • në çdo rast, përfitimet garantohen nga Buxheti i Shtetit.

B. Sigurimi Shoqëror Vullnetar

C.Sigurimi Shoqëror Suplementar. Kjo skemë përfshin personat me funksione kushtetuese, punonjësit e lartë të shtetit, ushtarakët dhe punonjësit e policisë aktivë, si dhe personat me tituj akademikë profesorë dhe profesorë të asociuar.

D.Pensionet e Posaçme Shtetërore. Ky lloj pensioni jepet për kategori të caktuara individësh, që kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, artit, ekonomisë, politikës dhe që kanë merita të veçanta. Kjo skemë financohet tërësisht nga Buxheti i Shtetit.

E.Gjithashtu, ISSH administron dhe paguan edhe disa kategori të tjera përfitimesh, që nuk lidhen me sistemin e sigurimeve shoqërore, por financohen direkt nga Buxheti i Shtetit dhe trajtohen me ligje të veçanta si:

  • Trajtime të veçanta për pilotët fluturues;
  • Trajtime të veçanta për punonjësit e nëndetëseve;
  • Trajtime të veçanta për ish-punonjësit e nëntokës;
  • Trajtime të veçanta për ish-punonjësit e industrisë ushtarake;
  • Pagesa e veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare;
  • Pagesa për invalidët e luftës;
  •  Kompensime të të ardhurave dhe të çmimeve të energjisë dhe bukës;
  • Shpenzime funerale;
  •  Pagesa për karburant dhe lubrifikantë për invalidët e punës, që kanë nevojë për mjete lëvizëse.

Buxheti i ISSH-së është mjaft i madh, afërsisht sa ¼ e buxhetit të përgjithshëm ose rreth 101.8 miliardë lekë (2014). ISSH kontakton çdo muaj dokumentet për mbi 1.2 milionë njerëz, të cilët janë kontribues ose përfitues të skemës.

REFORMAT E NDËRMARRA NË VITE

Zhvillimet ekonomike, demografike dhe sociale herë pas here kanë bërë të domosdoshme ndërmarrjen e një reforme në sistemin e sigurimeve shoqërore me qëllim përgjigjen më të mirë të ndryshimeve që kanë ndodhur. Nga viti 1993 dhe deri sot Ligji i Sigurimeve Shoqërore ka pasur disa ndryshime, ndër të cilat, si më të rëndësishme përcaktohen:

  • Reforma e rritjes së moshës së daljes në pension me 5 vjet si për burrat dhe për gratë, viti 2002, ku aktualisht masa ligjore e pensionimit ka arritur në 65 vjet për burrat dhe 60 vjet për gratë;
  • Vendosja e një formule të re të llogaritjes së pensioneve të fshatit në vitin 1998;
  • Vendosja e sistemit të pensioneve të reduktuara dhe ulja e periudhës së sigurimit për pension të pjesshëm nga 20 në 15 vjet etj..

Gjithashtu, duke filluar nga viti 2006, megjithëse ende nuk kishte përfunduar reforma e rritjes graduale të moshës së daljes në pension, u identifikua nevoja për ndërmarrjen e reformave të mëtejshme, sidomos në drejtim të modernizimit të sistemit, rritjes së qëndrueshmërisë financiare të tij dhe një reformë e  plotë për ngritjen e kapaciteteve institucionale të sistemit. Nga ana e ekipit të BB, në bashkëpunim dhe me aktorë të tjerë u përcaktua nevoja për një reformë parametrike e sistemike e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe krahas saj një reformë administrative, si dhe të ngritjes së një infrastrukture moderne që t’i përgjigjej nevojave të kohës dhe të ardhmes.

Ndërsa reforma administrative, me mbështetjen teknike e financiare të BB, është në fazën e implementimit të plotë të saj. Kjo reformë konsiston në:

  • Grumbullimin e dokumentacionit të vjetërsisë në punë dhe ngritjen e Arkivës Qendrore të Sistemit të Sigurimeve Shoqërore;
  • Informatizimin e të gjithë aktiviteteve të ISSH-së;
  • Krijimin e Regjistrit qendror të pensioneve dhe modernizimin e sistemit të pagesave;
  • Ngritjen e arkivës dixhitale dhe krijimin e llogarive individuale dixhitale;
  • Rehabilitimin e zyrave të sigurimeve shoqërore dhe pajisjen e tyre me rrjete të plota e të sigurta të komunikimit.

Krahas këtyre:

  • Pastrimin e skemës nga pensionet e dubluara;
  • Auditimin e pensioneve, për të zbuluar dhe eliminuar pensionistët me datëlindje të ndryshuar;
  • Mbylljen e pensioneve të personave të vdekur e të padeklaruar.

ARRITJET E ISSH-së

Në kuadër të mirëadministrimit të sistemit të sigurimeve shoqërore në vazhdimësi është bërë një punë e madhe në drejtim të:

  • Mirëadministrimit financiar të skemës. Skema është administruar me një kosto prej 1.8% të fondit nga 5% e përcaktuar në ligj;
  • Pastrimit të skemës nga përfitimet e pamerituara. Si rezultat i kontrolleve manualë dhe procesit të informatizimit është bërë e mundur pastrimi i skemës nga pensionet e dubluara, me datëlindje të falsifikuar, vjetërsi pune të falsifikuara, personat e vdekur. Nga auditimi i trajtimeve të veçanta të ish- punonjësve të nëntokës rezultoi se rreth 1 700 persona përfitonin trajtim të padrejtë, si rezultat i falsifikimeve të dokumenteve të vjetërsisë në punë dhe të punës nëntokë. Njëkohësisht, me grupe kontrolli të ngritura në çdo DRSSH, të përbërë nga specialistët më të mirë të përfitimeve, u kontrolluan të gjitha dosjet e pensioneve të lidhura në dhjetë vitet e fundit, për të parë ligjshmërinë e caktimit të tyre. Nga kontrolli manual rezultoi se rreth 1 900 persona kishin paraqitur certifikata me të dhëna të falsifikuara, duke përfituar dalje para kohe nga 1 vit deri 10 vjet. Të gjithë rastet janë kallëzuar në prokurori dhe vazhdojnë proceset penale.
  • Krijimit të regjistrit kombëtar të pensioneve. Deri tani janë hedhur në sistemin informatik rreth 95% e përfitimeve;
  • Informatizimit të sistemit:
  • Dixhitalizimit të periudhave të sigurimit, që nga fillimi i sistemit të sigurimeve shoqërore. Aktualisht ka përfunduar procesi i dixhitalizimit të ditëve të punës të ish-kooperativave bujqësore dhe është në proces dixhitalizimi i regjistrave të punës për ish-ndërmarrjet shtetërore;
  • Ndërtimit të Arkivës qendrore të sistemit dhe fillimit të grumbullimit të dokumentacioneve të vjetërsisë në punë, të shpërndara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Përfundimi i procesit të informatizimit të gjithë sistemit, si dhe përfundimi i dixhitalizimit të vjetërsisë në punë, krijimi i llogarive personale do të bëjë të mundur rritjen e transparencës ndaj publikut, administrimin më të mirë të fondeve, rritjen e performancës së institucionit, përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, uljen e kohës së caktimit të përfitimeve dhe rritjen e saktësisë në llogaritjen e tyre.

PROBLEMATIKAT

Problemet që ndesh sistemi i sigurimeve shoqërore janë:

  • Skema e sigurimeve shoqërore funksionon sipas parimit Pay As You Go, që do të thotë që pensionet që paguhen në një vit financohen nga kontributet e mbledhura po atë vit. Skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht, pra kontributet e mbledhura nga personat e siguruar nuk mjaftojnë për të paguar përfitimet që jep skema brenda të njëjtit hark kohor (një vit). Kjo paqëndrueshmëri financiare vjen si rezultat i numrit të ulët të kontribuuesve, evazionit (mosdeklarim të punësimit dhe deklarim jo i saktë i pagave), numrit relativisht të lartë të pensionistëve, krahasuar me moshën e re të popullsisë, moshës së ulët të pensionistëve, si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve 90, ndryshimeve demografike, nivelit të papunësisë, nivelit të lartë të emigracionit të personave që janë në moshë pune. Aktualisht deficiti i skemës shkon në 1.5% të GDP-së;
  • Niveli ende i lartë i evazionit në pagesën e kontributeve, sidomos në biznesin e vogël. Sipas të dhënave nga DPT rezulton që numri i subjekteve biznes i vogël deri në fund të muajit Tetor 2013 ka qenë 57,476, ndërsa numri i të siguruarve në këto biznese – 79,706 persona ose 1.38 persona të siguruar për një biznes. Ky tregues është i ulët, pasi shumica e biznesit të vogël është e pamundur të funksionojë me një person. Gjithashtu, numri i bizneseve të vegjël në gjykimin tonë është më i lartë se 57,476;
  • Lidhja e dobët midis kontributeve të paguara dhe pensioneve të paguara sidomos të kontribuuesve me paga mbi pagën mesatare. Personat që paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore mbi paga të larta kanë shkallë të zëvendësimit të ulët (raporti pension me pagë), gjë që dekurajon qytetarët të deklarojnë pagat reale. Kjo sjell mungesën e iniciativave për të deklaruar pagat e vërteta për të punësuarit me pagë të lartë dhe vazhdimin e kontribuimit përtej kushtit për 35 vjet sigurim, pasi nuk ndikon në masën e pensionit;
  • Masa e pensionit është e vogël dhe e pamjaftueshme për të përballuar jetesën në moshën e tretë;
  • Komprimimi i pensioneve drejt pensionit minimal që nuk motivon për pjesëmarrje. Pensioni mesatar është pothuajse i barabartë me pensionin minimal, ndërsa paga mesatare është dyfishi i pagës minimale në shkallë vendi. Gjithashtu, pensioni mesatar është i barabartë me të ardhurat minimale si rezultat i kompensimeve të ndryshme që financohen nga buxheti i shtetit (kompensimi i të ardhurave për pensionet minimale);
  • Për të vetëpunësuarit në bujqësi, në varësi të zonës gjeografike (fushore ose malore) pjesa e kontributit që paguhet nga buxheti i shtetit është nga 50% deri  në 75%  të masës kontributive, krahasuar me të vetëpunësuarit në qytet, të cilët e paguajnë totalisht vetë. Ky subvencion i kontributit për të vetëpunësuarit në bujqësi praktikisht është një subvencion “i fshehur” i skemës së pensioneve nga buxheti i shtetit dhe e kthen pensionin për këtë kategori në një skemë asistenciale;
  • Diskriminimi pozitiv për gratë që dalin në pension pleqërie 5 vjet më shpejt se burrat, megjithëse jetëgjatësia e tyre është më e lartë se e burrave, çon në rritjen e shpenzimeve të skemës dhe ndikon në deficitin e saj;
  • Projeksionet e skemës për 50 – 75 vitet e ardhshme tregojnë një plakje të popullsisë, si rezultat i rritjes së jetëgjatësisë dhe uljes së numrit të lindjeve. Këto projeksione tregojnë që në dekadat e ardhshme deficiti i skemës do të thellohet dhe do të krijojë vështirësi serioze në pagimin e pensioneve për qytetarët që sot janë kontribuues ose do të rrisë subvencionin e skemës nga buxheti i shtetit;
  • Pjesëmarrja e ulët e forcave të punës në sistemin e sigurimeve shoqërore, 65%, tregues i cili sjell probleme në financimin e pagesave aktuale dhe rrit barrën sociale në të ardhmen. Kjo shkallë e ulët e mbulimit me elementë të sigurimit shoqëror në të ardhmen do të kthehet në një barrë sociale për shoqërinë dhe Buxhetin e Shtetit. Mospjesëmarrja në skemë nëpërmjet pagimit të kontributeve do të përjashtojë individët në marrjen e përfitimeve nga skema, dhe ata do t’i drejtohen skemave të tjera të financuara nga buxheti si ndihma ekonomike, asistenca të tjera sociale;
  • Norma e ulët e varësisë së sistemit (raporti kontribuues/përfitues), i cili është shumë i ulët krahasuar me vendet e tjera. Ky tregues aktualisht është 1.2 kontribuues për një pensionist, por në numrin e kontribuuesve futen edhe të vetëpunësuarit në bujqësi që paguajnë një shumë fikse, si dhe kategori të cilave me ligje të veçanta kontributet iu paguhen nga buxheti i shtetit, si pensionet e parakohshme të ish-ushtarakëve, vitet e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, vitet e shkollës së lartë për gratë, trajtimeve të veçanta etj;
  • Niveli mjaft i lartë i mbulimit me subvencione shtetërore të skemës suplementare dhe trajtimeve të veçanta. Rreth 80% e shpenzimeve të skemës suplementare financohet direkt nga Buxheti i Shtetit;
  • Niveli i lartë i debitorëve të kontributeve shoqërore. Numri i subjekteve që janë debitorë pas vitit 2005, vit kur mbledhja e kontributeve kaloi në organet tatimore është 45,380 subjekte, me një borxh prej 9.7 miliardë lekësh. Përveç problemeve të financimit të skemës, këta debitorë krijojnë edhe probleme sociale për personat që kanë qenë dhe janë të punësuar, pasi ata nuk marrin përfitime nga skema, deri në pagimin e  kontributeve.

Diktohet dhe është imediate nevoja për një reformë në parametrat e sistemit, si dhe për vazhdimin e punës për përmirësimin e infrastrukturës së sistemit.

  •  test
  •  

Intervistë/ Flet për ATSH-në, Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, znj. Vjollca Braho, datë 18 shkurt 2014

Aktualisht në Shqipëri  janë rreth 561 mijë pensionistë. Ndërkohë nga kontrollet e vazhdueshme që i janë bërë skemës së sigurimeve shoqërore është bërë e mundur që gjatë muajve të fundit të largohen prej saj rreth 5700 abuzues. Në një intervistë për ATSH-në Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të sigurimeve Shoqërore Vjollca Braho tha se janë marrë një sërë masash për pastrimin e skemës.

“Skema e sigurimeve shoqërore po i nënështrohet një reforme që po zhvillohet në dy shtylla si ajo administrative dhe parametrike. Është një punë mjaft e madhe dhe për pastrimin e skemës nga abuzuesit. Kemi punuar me dy grupe kontrolli një nga auditti i ISSH, dhe një tjetër të ngritur me specialist nga drejtoritë për të kontrolluar punën që është bërë në to”, Braho theksoi se një rëndësi e madhe i është kushtuar dhe dixhitalizimit të regjistrave. “Në të njëjtën kohë kemi përfunduar gati 95% të hedhjes së dosjeve të pensioneve në regjistrin e pensioneve. Ndërkohë ky regjistër është lidhur me regjistrin e gjëndjes civile dhe është bërë ballafaqim mes tyre. Si rezultat i këtij kontrolli, janë gjetur rreth 5700 dosje të cilat ishin me probleme abuzuese, si psh ndryshim i ditëlindjeve dhe vjetërsisë së punës”, sqaroi drejtoresha e ISSH-së.

Ndërkohë Instituti i Sigurimeve Shoqërore me mbështetjen e Bankës Botërore, ka ngritur arkivën qëndrore të sigurimeve shoqërore, i cili daton prej vitit 1945. Vjollca Braho tha se “nga ana e ISSH është bërë një punë e madhe në këto dy vite, për të gjithë dixhitalizmin dhe informatizimin e sistemit të sigurimeve shoqërore. Është ngritur Arkiva Qëndrore e Sigurimeve Shoqërore e cila ndodhet në Lundër të Tiranës. Në të është mbledhur i gjithë dokumentacioni arkivor, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale dhe është duke u punuar për të hedhur vjetërsinë në punë që nga vitit 1945 dhe deri në ditët e sotme. Aktualisht ka përfunduar hedhja e regjistrave të gjithë ish-koperativave bujqësore, dhe po punohet për hedhjen e vjetërsisë në punë për ndërmarrjet shtetërore. Gjithashtu është bërë zhvillimi dhe implementimi i sistemit informatik të gjithë pjesës financiare, të të gjithë kontributeve që janë derdhur në të gjithë këto vite në sistemin e sigurimeve shoqërore”, tha ajo.

Sipas drejtoreshës është shumë e rëndësishme të vazhdohet ky projekt përsa i përket mirëmbajtjes apo dhe back up-it që duhet ti bëhet sistemit. Serverat me të dhënat e Sigurimeve shoqërore janë të vendosuara në Arkivën shtetore dhe në institucionin e ISSH, por njëkohësisht duhet të krijohet dhe një server rezervë, për të qënë i pranishëm në çdo rast dhe për të mos penguar punën, pasi janë të ardhurat e 561 mijë pensionistë që varen në të./a.gj/

  •  test
  •  

Sot më datë 04.10.2013, në ambjentet e Postës Shqiptare Sha u zhvillua një takim mes Drejtores së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho dhe z. Ardit Çela, Administrator i Postës Shqiptare Sha.

Në qendër të diskutimeve ishte mbarëvajtja e procesit të pagimit të pensioneve të pleqërisë, duke pasur parasysh faktin që Posta Shqiptare është agjenti pagues i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në frymën e bashkëpunimit, të dyja palët e vunë theksin në vazhdimin e reformave për përmirësimin e shërbimit, si dhe eliminimin e abuzimeve në pagesat e pensioneve të pleqërisë. Gjithashtu, u diskutua dhe për shtrirjen e mëtejshme të projektit për pagesat online të pensioneve të pleqërisë në të gjithë vendin.

Të dy palët konfirmuan se do të vijojnë punën për rritjen e performacës për ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për të gjithë qytetarët.

  •  test
  •  

Në datat 7 dhe 8 Tetor 2013, një delegacion  i Ministrisë së Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit të Aftësive të Kanadasë, zhvilloi disa takime në Tiranë, qëllimi i të cilave ishte shkëmbimi i informacionit për strukturën e programeve të mbrojtjes shoqërore në të dy vendet, veçanërisht të skemës publike të pensioneve dhe fillimin e negociatave për arritjen e marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen shoqërore midis dy vendeve.

Pas takimit me Ministrin për Mirëqënien Sociale dhe Rininë, z. Erjon Veliaj, delegacioni kanadez, i kryesuar nga z. Rakesh Patry, Drejtor i  Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Politikave të Pensionit, zhvilloi një takim dhe me znj. Vjollca Braho, Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Gjatë këtij takimi, pala kanadeze u njoh me funksionimin e skemës së pensioneve që administrohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, si dhe kapacitetet institucionale të ISSH-së për shkëmbimin e periudhave kontributive, për realizimin e marrëveshjes së pritshme midis dy vendeve.

Nga ana e palës kanadeze u bë e njohur funksionimi administrativ i dy skemave të pensioneve në Kanada. Takimi u zhvillua në një frymë të ngrohtë dhe  mirëkuptimi dhe u shpreh gatishmëria e dyanshme për bashkëpunimin teknik midis dy institucioneve.

  •  test
  •  

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, shpalosi sfidat e institucionit për vitin 2014, gjatë një takimi ku u prezantuan edhe 12 drejtorët e rinj të Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në qarqe.

“Ne jemi një institucion i lidhur thuajse me çdo familje shqiptare, ndaj performanca jonë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shqiptarëve. Kjo na bën të privilegjuar për shkak të kontaktit me thuajse çdo qytetar, si përfitues apo kontribues, por njëkohësisht na rrit përgjegjësinë për të bërë të mundur që çdokush të gjejë tek punonjësit tanë gadishmërinë për t’i shërbyer”, tha Braho, duke i kërkuar drejtuesve të rinj që t’i bashkangjiten traditës së mirë që ka krijuar ISSH në komunikimin e hapur me publikun. “Ne besojmë se shërbimi me trasparencë dhe në kohë është sfida jonë e përditshme, e njëkohësisht detyrimi ynë për të bërë të mundur që çdo përfitues të marrë atë që i takon”, tha Braho, duke i kërkuar drejtuesve që të gjejnë rrugët për të bërë të mundur komunikimin me çdo qytetar që kërkon shpjegime apo shërbime në zyrat e sigurimeve shoqërore.

Ndër sfidat e tjera u përmendën edhe realizimi i llogarive personale për çdo kontribues në skemë: i punësuar apo i vetëpunësuar, në fshat apo qytet,  llogaritja automatike e pensioneve nëpërmjet softit të përgatitur, rritja e kontrollit për pensionet e invaliditetit për të shmangur subjektivizmin në këtë lloj përfitimi, si dhe realizimi i të ardhurave nga kontributet, nën përgjegjësinë e ISSH-së.

Në takim u  përmend si një hap drejt përafrimit edhe më shumë me publikun hapja e rubrikave “Pyesni Online” dhe “Denonco Online”, të cilat kanë bërë të mundur një komunikim edhe më të drejtëpërdrejtë të qytetarëve me institucionin. “Thellimi i kësaj eksperience komunikimi me qytetarët, marrja në konsideratë e mendimeve të tyre rreth shërbimit nga ana jonë, do të na bëjë më të afërt me çdo qytetar, e njëkohësisht më të besueshëm në përmbushjen e detyrave tona”, theksoi Braho.

Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kërkoi një bashkëpunim sa më të përshpjetuar mes të gjitha DRSSH-ve për t’iu përgjigjur çdo verifikimi që kërkohen nga qytetarët, lidhur me historinë e tyre kontributive, e njëkohësisht përgjegjësinë për të përmbyllur sa më sukseshëm procesin e informatizimit të plotë të aktivitetit të ISSH-së. “Ne jemi të bindur se mirëmenaxhimi i skemës është një detyrim ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar, duke bërë të mundur që çdo person të marrë atë që i takon dhe që askush të mos jetë pjesë e përfitimeve të padrejta. Informatizimi i plotë i gjithë sistemit të sigurimeve shoqërore rrit saktësinë e përfitimeve dhe shmang faktorët subjektivë me ndikim në dëmtimin e fondeve”, tha Braho.

  •  test
  •  

Në datat 28 – 30 janar 2014, u zhvillua në Luksemburg raundi i tretë i negociatave midis Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, për arritjen e një marrëveshjeje në fushën e Mbrojtjes Shoqërore.

Në përfundim të negociatave u konkludua me një marrëveshje për bashkimin e periudhave të sigurimit për përfitimin e pensioneve për qytetarët e të dy vendeve. Arritja e kësaj marrëveshjeje është në interes të qytetarëve shqiptarë që kanë periudha sigurimi si në Shqipëri ashtu edhe në Luksemburg, pasi të gjitha kontributet e paguara në të dy vendet do të merren në konsideratë për llogaritjen e pensionit. Kjo siguron se asnjë ditë kontributive e paguar nuk do të përjashtohet nga përfshirja në llogaritje.

Marrëveshja e re do të hyjë në fuqi pasi të firmoset nga ministrat respektivë të dy vendeve dhe të votohet në Parlament.