•  test
  •  

Sot më datë 04.10.2013, në ambjentet e Postës Shqiptare Sha u zhvillua një takim mes Drejtores së Përgjithshme të ISSH-së, znj. Vjollca Braho dhe z. Ardit Çela, Administrator i Postës Shqiptare Sha.

Në qendër të diskutimeve ishte mbarëvajtja e procesit të pagimit të pensioneve të pleqërisë, duke pasur parasysh faktin që Posta Shqiptare është agjenti pagues i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Në frymën e bashkëpunimit, të dyja palët e vunë theksin në vazhdimin e reformave për përmirësimin e shërbimit, si dhe eliminimin e abuzimeve në pagesat e pensioneve të pleqërisë. Gjithashtu, u diskutua dhe për shtrirjen e mëtejshme të projektit për pagesat online të pensioneve të pleqërisë në të gjithë vendin.

Të dy palët konfirmuan se do të vijojnë punën për rritjen e performacës për ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për të gjithë qytetarët.

  •  admin
  •  

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar më 31 korrik 2014, me 88 vota pro, Reformën e pensioneve. Kjo Reformë e bën sistemin më të drejtë, duke lidhur kontributet e paguara me përfitimet për çdo qytetar. Për herë të parë, gjatë këtyre viteve është vendosur ndryshimi i skemës së së pensioneve me efekt deri në vitin 2080.

“Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Shkarko të plotë në PDF

  •  admin
  •  

Të ardhurat nga kontributet në vitin 2013 u arkëtuan me një vlerë prej 51 390 milionë lekësh dhe numri mesatar vjetor i kontribuesve arriti në 561 169 persona, me një rritje ndaj vitit 2012 për rreth 11 069 persona.  Ndërkohë, për periudhën janar – shtator 2014, të ardhurat nga kontributet jo vetëm që u realizuan, por u konstatua dhe një tejkalim për më shumë se 1 miliard lekë. Tejkalimi i të ardhurave në vlerë u shoqërua me rritje të numrit të kontribuesve ndaj vitit 2013 për rreth 43 000 persona.

Puna më e mirë në zbulimin dhe zbardhjen e evazionit të kontributeve, rritja e punësimit nëpërmjet programeve në drejtim të nxitjes së tij, kushtet më të favorshme të zhvillimit të biznesit, si dhe falja e kamatëvonesave të kontributeve të personave që janë të vetëpunësuar në bujqësi, bënë të mundur jo vetëm rishikimin në rritje të programit të të ardhurave të vitit 2015, por dhe rritjen e pjesëmarrjes dhe numrit të kontribuesve, në skemën e sigurimeve shoqërore, për vitin 2014.

Bazuar në këto të dhëna, në fund të vitit 2014, të ardhurat nga kontributet parashikohet të realizohen në shumën mbi 55 130 milionë lekë, me një rritje rreth 7.3 % ndaj vitit 2013, ose me një tejkalim me mbi 3740 milionë lekë. Nga raportimet e agjentëve konstatohet se numri i kontribuesve pret një rritje të ndjeshme, si në bizneset jobujqësore, ashtu edhe në të vetëpunësuarit në bujqësi. Vetëm në 10 ditët e fundit, nga data e miratimit në Kuvend të Ligjit të Faljes së Kamatëvonesave të kontributeve të personave të vetëpunësuar në bujqësi, janë mbledhur mbi 457 milionë lekë, duke bërë të mundur realizimin e programit vjetor të të ardhurave nga këto subjekte.

Shkarko në PDF Ligjin nr 153/2014 “Për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi

Derdhja e kontributeve vazhdon me ritme të larta dhe krahas tyre është rritur dhe pjesëmarrja në skemë. Mbështetur në këto të dhëna, numri i kontribuesve në fund të vitit 2014 parashikohet të arrijë në rreth 642,5 mijë persona, me një tejkalim prej mbi 81 352 kontribues, në krahasim me vitin 2013.

  •  test
  •  

Në datën 29 prill 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua takimi me përfaqësuesit e patronatit Italian dhe Unione Italiani nel Mondo (UIM) , me të cilët u nënshkrua një Protokoll Bashkëpunimi. Ky protokoll ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit institucional, për të mbështetur bashkëatdhetarët tanë, nëpërmjet agjencive tona, për shërbime cilësore në drejtim të sigurimeve shoqërore, për të gjithë shtetasit që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri dhe Itali.

Risitë që do të sjellë ky bashkëpunim i ri, do të jenë rritja e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve, nëpërmjet verifikimeve kontributive në dy vendet tona, promovimit të fushatave informuese për shërbimet e ofruara, si dhe krijimi dhe mbulimi me sigurim shoqëror në tërësi, dhe vullnetar në veçanti.

  •  test
  •  

Nga data 5 – 6 maj 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua takimi dy ditor me homologët maqedonas, për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren për implementimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me Ligjin nr. 151/2015, datë 21.12.2015.

Nga implementimi i kësaj Marrëveshjeje do të mundësohet njohja dhe mbrojtja e kontributeve të sigurimeve shoqërore të derdhura nga qytetarët shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Republikën e Maqedonisë dhe anasjelltas, në mënyrë që asnjë kontribut i tyre të mos humbasë, por të merret në konsideratë në llogaritjen e vjetërsisë në punë për efekt pensioni.

  •  test
  •  

Në datën 29.06.2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua mbledhja e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, me këtë rend dite:

1. Projekt VKA “Për miratimin e projekt VKM “Për zbatimin e Ligjit nr. 46/2016 “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare, nga rillogaritja e pensioneve, në zbatim të Ligjit nr. 10 142, datë 15.05.2009 “Për Sigurimin Shoqëror Suplementar të Ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”;

2. Projekt VKA “Për koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar për vitin 2014”;

3. Projekt VKA “Për miratimnin e rregullores “Për llogaritjen dhe procedurën e indeksimit të bazës së vlerësuar për efekt të përfitimeve”;

4. Projekt Rregullore e Këshillit Administrativ “Për disa shtesa e ndryshime në Rregulloren nr.1, datë 21.10.2008 “Për caktimin, administrimin dhe pagesen e pensioneve”.

  •  test
  •  

Në kuadër të vazhdimit të bisedimeve për marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës për pension, në datat 8 dhe 9 gusht 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Tiranë, u zhvillua takimi ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies të Republikës së Kosovës, dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë.

Gjithashtu në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore dhe në frymën e bashkëpunimit konstruktiv.

  •  test
  •  

Në  datat 6 – 8 shtator 2016, në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u zhvillua takimi përfundimtar me homologët austriakë, për diskutimin dhe përcaktimin e formularëve që do të përdoren gjatë implementimit të Marrëveshjes në fushën e mbrojtjes shoqërore, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë.

Si rezultat i kësaj Marrëveshjeje do të mundësohen përfitimet nga skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, për gëzimin e të drejtave të fituara nga personat që kanë jetuar dhe punuar në Republikën e Austrisë dhe anasjelltas, me qëllim që asnjë kontribut të  mos humbasë, por të merret në konsideratë, në mënyrë që të sigurohet e drejta për përfitim, në interes të qytetarëve.

Marrëveshja kuadër është miratuar ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 637, datë 07.09.2016, dhe së shpejti do të nënshkruhet nga ministrat homologë të të dy vendeve.

  •  test
  •  

Në datën 15 shtator 2016 në ambjentet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore u zhvillua analiza 8-mujore e punës me drejtorët e Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, mbi realizimin e detyrave për periudhën janar – gusht 2016.

Gjatë këtij takimi theksi u vu në zbatimin me korrektësi të ndryshimeve në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, të ndryshuar dhe akteve normative në zbatim të tij.

U diskutua mbi përgatitjen e dokumentacionit për zbatimin e procedurave të faljes së detyrimeve të ushtarakëve, si dhe të kthimit të lekëve të mbajtura, menjëherë pas miratimit nga KM.

Gjithashtu vend të veçantë në diskutimet nga të pranishmit zuri dhe zbatimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave për rastet e periudhave të sigurimeve shoqërore të evidentuara me laps para vitit 1993, si dhe zgjidhjeve të problemeve përsa i përket mangësive në rregjistrat e ndërmarrjeve.