|
Ju uroj mirëseardhjen në faqen tonë. Kjo faqe është për Ju, ndaj dhe prania juaj është e rëndësishme për ne. Eshtë e rëndësishme për të gjithë hapat që hedhim çdo ditë në drejtim të përmirësimit të shërbimit ndaj jush. Pikërisht për këtë fakt ne jemi të vendosur në bashkëpunimin me cilindo që kërkon nga ne të ecim përpara, në të mirë të të gjithëve.
Kontributi i punës suaj kërkon nga ne përgjegjësinë për t’iu informuar në çdo moment dhe në çdo vend ku jetoni, dhe për t’iu dhënë në kohë atë që ju takon. Ne jemi sot përpara sfidës së madhe të dixhitalizimit të të dhënave, gjë që do të bëjë të mundur për sejcilin nga ju krijimin e llogarive personale të kontributeve, e më pas edhe llogaritjen automatike të përfitimeve për çdo qytetar.
Hedhja në këtë sistem i të gjithë të dhënave që kanë të bëjnë me vjetërsinë në punë të shtetasve shqiptarë dhe krijimin e regjistrit kombëtar të pensioneve është një sfidë që do të na japë mundësinë të jemi jo vetëm pranë jush, por edhe të garantojmë gjithsejcilin se do t’iu llogaritet çdo kontribut i paguar dhe që askush nuk do të mundë të përfitojë pa të drejtë.
Shumë shpejt, gjithsejcili prej jush, do të mundet të aplikojë direkt në këtë faqe, duke hedhur një hap që do të na bashkojë me të gjithë familjen e madhe evropiane, ku dëshirojmë të jemi bashkëudhëtarë. Në këtë rrugëtim ne do të synojmë të shtojmë transparencën me kontribuesit dhe përfituesit e skemës, të japim informacion në kohë reale, përsa i përket marrëdhënies së tyre me ISSH-në, dhe pagimin e detyrimeve nga punëdhënësit, të jemi të shpejtë në lidhjen e përfitimeve si dhe mirëadministrimin e fondeve të sigurimeve shoqërore, duke bërë kështu të mundur rritjen e besimit të gjithsejcilit nga ju në skemën e pensioneve.
Anketimet e ndryshme na kanë bërë të besojmë se na keni ndjekur dhe ndihmuar, duke na orientuar drejt asaj që na bën më të besueshëm dhe më të komunikueshëm me ju. Ne do të vijojmë të japim informacione dhe të mirëpresim nga ju sugjerime për atë që mund të bëjmë më mirë.
Duke besuar se mendimet tuaja do të jenë një shtysë e rëndësishme në punën tonë, ne ju ftojmë në këtë bashkëudhëtim, që synon ta bëjë sa më të lehtë menaxhimin e kontributeve tuaja, duke bërë të mundur që përfitimi juaj të jetë në kohë dhe i merituar. |